/ATSH-ANA-MPA/- Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë mund të përmirësohen më tej dhe Greqia të bëhet një urë mes Perëndimit dhe Rusisë, deklaroi kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, në prag të vizitës së tij në Moskë dhe takimit më 8 prill me presidentin Vladimir Putin.
"Mund të kemi një bashkëpunim thelbësor që do t'i mundësojë Greqisë të eksportojë në Federatën e Rusisë prodhime bujqësore", konfirmoi Cipras duke shtuar se këto vitet e fundit këto marrëdhënie kanë pësuar një goditje nga fakti se qeveritë e mëparshme të vendit tim nuk kanë bërë asgjë për të penguar këtë politikë për mendimin tim pa kuptim, të sanksioneve për shkak të tensionit në Ukrainë.
Sipas kryeministrit grek, Cipras, marrëdhëniet me Rusinë kanë qenë në një situatë të ngrirë këto vitet e fundit.
"Nuk e di nëse ato ngjajnë me dimrin në Siberi, padyshim ishte dimër dhe tashmë po përjetojmë pranverën dhe duhet që ne të mbështesim pranverën me qëllim që të ketë një zhvillim të vërtetë në marrëdhëniet tona", theksoi ai.
"Ndodhemi në një situatë gjeopolitike tensioni të veçantë. Ekzistojnë sfida të përbashkëta dhe duhet të shohim se si popujt tanë dhe vendet tona mund vërtet të bashkëpunojnë në disa fusha, në ekonomi, në energji,  tregti, prodhimin bujqësor, të qartësojmë se ku njëri mund të ndihmojë tjetrin dhe kryesisht të studiojmë se deri në çfarë mase bashkëpunimi ynë mund të jetë konstruktiv, për faktin se mendoj vërtet që Greqia si vend anëtar i Bashkimit Evropian mund bëhet ndërlidhësi, urë mes Perëndimit dhe Rusisë.
Cipras nënvizoi se vizita e tij në Moskë mund të mundësojë fillimin e vërtetë të marrëdhënieve dy palëshe me një impuls të ri, të marrëdhënieve që kanë perspektiva të forta rritjeje kryesisht në sektorët e energjisë dhe turizmit.