ANGLI - Manchester City ka vendosur të huazojë mesfushorin Kalvin Phillips te Sheffield United, klub që garon në Championship, duke vulosur një tjetër kapitull të vështirë në aventurën e lojtarit anglez në “Etihad”.

Sheffield United ka arritur marrëveshjen për huazimin e Phillips, i cili u ble nga City rreth 50 milionë euro katër vite më parë, por nuk arriti kurrë të sigurojë hapësira të qëndrueshme nën drejtimin e Pep Guardiolës. Marrëveshja është një huazim i pastër, pa opsion apo detyrim blerjeje në fund të sezonit.

Manchester City pritet të mbulojë pjesën më të madhe të pagës së lojtarit, e cila raportohet të jetë afërsisht 173 mijë euro në javë. Drejtuesit e klubit e shohin këtë lëvizje si një mundësi për t’i dhënë minutazh dhe vazhdimësi një futbollisti që ka mbetur në hije, ndonëse interes për të kanë shfaqur edhe disa klube të tjera evropiane.

Kalvin Phillips iu bashkua Manchester Cityt nga Leeds United në vitin 2022, duke firmosur një kontratë gjashtë vjeçare. Megjithatë, problemet fizike dhe konkurrenca e fortë në mesfushë bënë që ai të mos konsolidohej asnjëherë si titullar.

Situata u përkeqësua pas Kupës së Botës 2022, kur Guardiola deklaroi publikisht se Phillips ishte rikthyer “mbi peshë”, një koment që vetë lojtari e pranoi më vonë se kishte ndikuar rëndë në besimin e tij. Trajneri katalanas kërkoi falje në shkurt të vitit 2024, duke sqaruar se kishte biseduar më parë me futbollistin për këtë çështje.

Phillips, i cili numëron 31 paraqitje me përfaqësuesen e Anglisë, ka luajtur vetëm shtatë minuta këtë sezon me Manchester Cityn, në Kupën e Ligës ndaj Huddersfield. Në janar 2024 u huazua te West Ham, ku zhvilloi tetë ndeshje në Premier League, ndërsa sezonin pasues u huazua te Ipswich, me të cilin luajti 22 ndeshje dhe shënoi një gol.

Në total, mesfushori ka regjistruar 32 paraqitje dhe një gol me fanellën e Manchester Cityt.

Sheffield United, që drejtohet nga Chris Wilder dhe aktualisht renditet në vendin e 17-të në Championship, shtatë pikë mbi zonën e rënies, e konsideron Phillips një përforcim kyç në luftën për mbijetesë.

Kalvin Phillips