Deputetja dhe nënkryetarja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar sot në rrjetet sociale lidhur me rritjen e çmimeve të ushqimeve të shportës dhe nivelin e pagave e pensioneve në vend.

Në një video-mesazh, Xhixho shprehet se çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë më të larta se në shumë vende të Bashkimit Europian, ndërsa pagat dhe pensionet mbeten ndër më të ultat në Europë. 

"Paradoksi më i madh është se ushqimet bazë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, ndërkohë që pagat dhe pensionet janë ndër më të ulëtat. Ndërkohë, qeveria jeton në luks: vetëm vera e kryeministrit kushton 33 mijë euro; “Kopshti Eden”, i ndërtuar në Kryeministri thjesht për estetikë kushtoi 4.2 milionë euro; pa përmendur udhëtimet charter të kryeministrit, që kapin shifra miliona euro", thotë ajo. 

Xhixho akuzon qeverinë për luks dhe keqmenaxhim të fondeve publike, duke përmendur shpenzime të larta për projekte dhe udhëtime, ndërkohë që, sipas saj, qytetarët varfërohen dhe të ardhurat shtetërore nuk kthehen në shërbime apo mbështetje sociale.

Ajo shton se paratë publike, sipas pretendimeve të saj, përfundojnë te oligarkët dhe jo te qytetarët, duke përmendur disa projekte infrastrukturore si shembuj të abuzimeve financiare.

"Vetëm për Tunelin e Llogarasë u vodhën 75 milionë euro; “rrugët e florinjta” si Unaza e Madhe kushtuan mbi 450 milionë euro; inceneratorët që nuk punuan kurrë përpinë mbi 400 milionë euro. Paratë ekzistojnë, por ato nuk shkojnë për mirëqenien e qytetarëve. Ato përdoren për të pasuruar këtë qeveri dhe klientët e saj.", tha Xhixho. 

Në fund të reagimit, Xhixho deklaron se kjo qeveri, sipas saj, punon për një grusht njerëzish dhe jo për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.

Deklarata e plotë e Xhixhos në Facebook

"Çmimet e ushqimeve bazë vazhdojnë të rriten në mënyrë të papërballueshme, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara. Sot, familjet shqiptare janë të detyruara të llogarisin çdo lek për bukën e përditshme, kurse pensionistëve, të lënë në harresë, u duhet të zgjedhin mes ushqimit, ilaçeve dhe ngrohjes.

Paradoksi më i madh është se ushqimet bazë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, ndërkohë që pagat dhe pensionet janë ndër më të ulëtat. Ndërkohë, qeveria jeton në luks: vetëm vera e kryeministrit kushton 33 mijë euro; “Kopshti Eden”, i ndërtuar në Kryeministri thjesht për estetikë kushtoi 4.2 milionë euro; pa përmendur udhëtimet charter të kryeministrit, që kapin shifra miliona euro.

Ndërsa qytetarët varfërohen, shteti mbledh gjithnjë e më shumë të ardhura nga rritja e çmimeve. Por këto para nuk u kthehen qytetarëve; ato shpërndahen te oligarkët. Vetëm për Tunelin e Llogarasë u vodhën 75 milionë euro; “rrugët e florinjta” si Unaza e Madhe kushtuan mbi 450 milionë euro; inceneratorët që nuk punuan kurrë përpinë mbi 400 milionë euro.

Paratë ekzistojnë, por ato nuk shkojnë për mirëqenien e qytetarëve. Ato përdoren për të pasuruar këtë qeveri dhe klientët e saj.

Kjo qeveri punon për një grusht njerëzish, jo për qytetarët që mezi mbyllin muajin."