Partia e Lirisë kërkoi të enjten reagimin e qeverisë përballë rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që siç tha Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi, janë rrjedhojë e shtrenjtimit të naftës në Shqipëri. Qeveria duhet të heqë taksat mbi karburantin - thotë Blushi-  dhe të ofrojë paketa ndihmëse për të mbrojtur qytetarët, që sipas tij kanë fuqinë blerëse më të ulët në Rajon.

" Shqipëria përballet sot me çmimet më të larta të karburanteve në rajon dhe rritja e mëtejshme e tyre rrezikon ta zhysë vendin në një krizë ekonomike të plotë, të ngjashme me atë të vitit ’97, sipas paralajamërimit edhe të Konfindustrias, dhe me pasoja shumë shumë të rënda jo vetëm për ekonomitë familjare, por shumëpërmasore, deri në qëndrueshmërinë politike dhe rendin kushtetues.

Kostoja në rritje të pandalshme e karburanteve po shoqërohet me kosto më të larta të të gjitha çmimeve dhe me ngadalësim të përgjithshëm të ekonomisë duke sjellë për pasojë thellimin e mëtejshëm të varfërisë të popullit më të varfër dhe më të vjedhur të Europës.

Përballë kësaj situate shumë të rëndë, Qeveria ka zgjedhur të heshtë dhe të mbulojë krizën e rëndë ekonomike me propagandë, duke braktisur qytetarët, fermerët dhe bizneset e ndershme që po përballojnë mbi supe një tjetër barrë të shtuar  të keqqeverisjes kriminale dhe të bashkëpunimit të Edi Ramës me oligarkët e naftës në kurriz të popullit. 

Sot, një litër naftë në Shqipëri kushton rreth 214 lekë, ku mbi 60% e çmimit përbëhet nga taksat që mbushin arkën e shtetit.
Në vend që të ndërmarrë masa konkrete për lehtësimin e kësaj barre, duke ulur taksat apo duke ofruar mbështetje reale, Edi Rama, me pashpirtësinë e një hajduti të pangopur të taksave të shqiptarëve, vijon të injorojë situatën, ndryshe nga shumë vende të Bashkimit Europian dhe të rajonit që kanë ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur qytetarët e tyre. 

Për qeverinë, prioritet nuk ka qenë kurrë dhe as tani nuk është interesi publik, por ruajtja e një sistemi  zhvatës që favorizon një pakicë klienteliste që pasurohet bashkë me Edi Ramën në kurriz të shumicës. Ndërkohë, që kërkesat për kompensim vijnë nga të gjitha anët, qytetarët, fermerët, transporti publik dhe biznesi, përgjigjja mbetet e njëjtë, snjë ulje taksash, asnjë lehtësim konkret, vetëm justifikime pa zgjidhje.

Kontrasti me rajonin është i qartë, ndërsa në Shqipëri nafta shitet sot me rreth 2.2 euro për litër, në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi çmimi është rreth 1.6 euro, ndërsa në Kosovë rreth 1.7 euro.  Një qytetar shqiptar paguan mesatarisht 25–40% më shumë për karburant, ndërkohë që fuqia blerëse, pagat dhe pensionet mbeten jo vetëm më të ulëtat por më mizerabël në rajon. Edhe barra fiskale është dukshëm më e lartë, rreth 1.16 euro taksa për litër në Shqipëri, krahasuar me 0.58 euro në Maqedoninë e Veriut, 0.55 euro në Mal të Zi dhe 0.67 euro në Kosovë.  Kjo do të thotë se çdo shqiptar paguan pothuajse dyfishin e taksave për karburant krahasuar me fqinjët.

Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga depozitimi në Kuvend i projektligjit të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të karburanteve, nëpërmjet heqjes së taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit dhe deri tani nuk ka asnjë reflektim nga Edi Rama dhe mazhoranca rilindase, të marrë peng edhe nga oligarkët e babëzitur të naftës. Në emër të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, përsëris thirrjen e fortë drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që ka filluar edhe ai të vijë era naftë si Edi Rama, të mos bllokojë më këtë nisëm ligjore, ta nxjerrë nga sirtaret e Kuvendit dhe ta fusë menjëherë me procedurë të përshpejtuar për miratim në seancën më të afërt plenare, për t’i dhënë qytetarëve një lehtësim të menjëhershëm dhe për të rikthyer frymëmarrjen e ekonomisë familjare dhe biznesit.

Shqiptarët nuk kërkojnë më justifikime, as meritojnë premtime për gjoja Borde Transparencë, që në fakt kanë rezultuar se kanë qenë borde të zhvatjes së mëtjeshme të tyre, po kërkojnë veprim dhe nisma konkrete. Dhe nisëm konkrete, efektive, e prekshme për ta është projektligji i propozuar nga Partia e Lirisë për heqjen e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, që rrjedhimisht do të sjellë uljen drastike të çmimit të karburanteve. Zgjidhja është në Kuvend dhe miratimi i saj i shpejtë është e vetmja masë efektive për interesin publik.