Nga 214 deri në 217 lekë për litër është çmimi i naftës sot në karburantet në Shqipëri, një situatë që vijon e njëjtë me një çmim të fiksuar prej 1 jave, pavarësisht luhatjeve në bursë, si pasojë e ndikimit nga lufta në Lindjen e Mesme.

Për të frenuar rritjen e mundshme abuzive të çmimeve, këtë javë pritet të mblidhet për herë të parë bordi i transparencës, i cili do të caktojë çmimet tavan. subjektet e hidrokarbureve të cilat nuk i respektojnë gjobiten, deri në pezullim të licencës nëse nuk reflektojnë.

Anëtarët e bordit nga institucionet dhe kompanitë e tregtimit të karburantit pritet të caktohen këtë javë me vendim qeverie.

Si masë lehtësuese, qeveria ka paralajmëruar se do të ulë me 20% akcizën e naftës, nëse çmimi e kapërcen 220 lekë për litër.