Çobaj vs Ademi / Luftë klanesh
në PD-në e Shkodrës për bashkinë

Çobaj vs Ademi / Luftë klanesh<br />në PD-në e Shkodrës për bashkinë
Edhe pse PD fitoi dy bashki, atë të Shkodrës dhe të Vaut të Dejës, përçarja e nisur që prej mbi një viti vazhdon të jetë prezente dhe tashmë në pozicionin e fituesit, ndërsa klanet brenda saj po synojnë të forcojnë pushtetin e tyre politik, por dhe abuziv, duke shfrytëzuar faktin e të qenurit në krye të bashkive. Ashtu si para dhe gjatë fushatës dhe tani pas përfundimit të zgjedhjeve, klanet në PD-në e Shkodrës janë të pranishëm. Kryetari Ramiz Çobaj dhe klani i tij kërkojnë që t’i imponohen kryetares së re të bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, lidhur me caktimin e nënkryetarëve dhe drejtuesve të disa drejtorive kryesore. Burime brenda kryesisë së PD-së në Shkodër, të cilët nuk duan të identifikohen me emër për shkak të situatës së acaruar në këtë degë të PD-së, bëjnë të ditur se kryetari Çobaj dhe njerëzit e afërt të klanit të tij kanë shtuar presionin ndaj Ademit.

Mësohet se vetë Çobaj është takuar disa herë me Ademin, duke kërkuar që t’i imponohet asaj me emrat e nënkyetarëve dhe drejtuesve të drejtorive kryesore në bashkinë e Shkodrës, më e madhja në këtë qark. Ai ka ndeshur në kundërshtimin e Ademit, e cila kërkon që rreth saj të ketë specialistë me argumentin se kështu mund t’i shërbehet sa më mirë komunitetit të kësaj bashkie. Ademi nuk ka qenë dakort me emrat e propozuar nga Çobaj, pasi, duke qenë vetë në krye të një tjetër klani brenda PD-së, në Shkodër, ajo është e bindur se njerëzit e Çobajt kanë si qëllim mbajtjen nën kontroll të saj dhe të përfitojnë personalisht.

Mësohet se Çobaj e Ademi kanë debatuar ashpër, ndërsa ka qenë Çobaj, i cili ka kaluar dhe në fyerje ndaj kryebashkiakes Ademi. Kjo e fundit mësohet që të jetë shprehur në rrethe të ngushta se nuk e kishte menduar se kreu i demokratëve shkodranë, Ramiz Çobaj do të arrinte deri aty. Ramiz Çobaj kërkon që njerëzit e tij të jenë në drejtim të bashkisë më të madhe të qarkut, ndërsa pretendon edhe kreun e Këshillit të Qarkut Shkodër. Debatet e tyre janë vazhdim i përplasjeve mes klaneve brenda kësaj force politike në Shkodër ku dhe më përpara klani Çobaj-Uldedaj-Hila, me anë mekanizmave të tyre kanë bërë çfarë ka qenë e mundur kundër klanit të Ademit apo dhe grupimeve më të vogla brenda demokratëve shkodranë që nuk dalin haptas dhe preferojnë që të qëndrojnë jashtë kësaj përplasjeje.

Edhe gjatë fushatës elektorale këto përplasje u panë haptas, ku shumë nga figurat me kontribute në PD u larguan dhe nuk u lejuan të afroheshin në fushatë. Kjo edhe bazuar në nismën e kthyer në ligj brenda PD-së, me ideator kryetarin saj, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar kudo spostimin e të vjetërve në PD. Po në fakt, në Shkodër drejtojnë jo figura të reja, por të vjetra si Çobaj, Ademi, Uldedaj, Spahia etj. të cilët, në rastin më të mirë, kanë qëndruar mënjanë kur nuk kanë qenë të përfshirë në lista, ose kanë punuar haptas kundër PD, siç bëri Çobaj më 2011 e 2013, apo Uldedaj më 2013. Tashmë me fitimin e bashkisë së Shkodrës, këto klane kërkojnë hapësira për të përfituar politikisht dhe ekonomikisht. Përplasja Ademi-Çobaj pritet të ketë vazhdimësi pasi, siç shprehen burimet brenda PD-së në Shkodër, asnjëra palë nuk toleron. Ademi kërkon që të ketë rreth vetes njerëzit e saj dhe të sponsorëve të saj politikë, të cilët mundësuan kandidimin e saj, por edhe ndikuan në fitoren e thellë të 21 qershorit. Ajo paraqet si argument nevojën për njerëz të aftë për të drejtuar një bashki me shpërndarje gjeografike të madhe.

Ndërsa Çobaj kërkon përfitime politike dhe pse jo edhe ekonomike, duke synuar që të ketë në drejtim, rreth Ademit njerëzit e tij që do e kontrollojnë dhe mbajnë nën vëzhgim atë. Ajo që duket qartë është se PD në një rreth të madh, bastion të sajin, gjë që e konfirmoi dhe më 21 qershor, paraqet probleme të shumta, pakënaqësi e përçarje që filluan pas humbjes së zgjedhjeve të 2013, vazhduan me zgjedhjen e kryetarit të PD-së dhe që pas fitores që 21 qershorit janë bërë më të dukshme dhe nuk pritet të ndalen. /Marrë nga "Shekulli"/

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Luiz Ejlli gdhend në trup portretin e Luna Mari

Luiz Ejlli gdhend në trup portretin e Luna Mari