Edi Rama ka ironizuar deklaratat e opozitës, ku një pjesë e përfaqësuesve të saj thoshin se ushtria amerikane do e merrte kryeministrin shqiptar me helikopter si diktatorin e Venezuelës, Nicolas Maduron.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke qenë se diçka e tillë nuk ndodhi, Rama me ironi i kërkoi opozitës ta çojë në SPAK ushtrinë amerikane.

Po ashtu Rama tha se opozita gënjeu kur ngriti akuza se do të merreshin 1 miliardë dollarë nga taksat e Shqiptarëve, vetëm që Shqipëria të bëhej pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

Sipas Ramës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të shiten dhe blihen ashtu siç sipas tij mendon dhe pretendon opozita. Shefi i qeverisë shtoi se opozita lobon në SHBA për të pastruar imazhin e vet të godiut nga 'non grata' ndaj Berishës, por që sipas Ramës nuk mund të pastrohet.

“Çojeni në SPAK se tani që ushtria amerikane e anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK është stacioni i fundit i rrugës tuaj për pushtet. Unë nervoz? Unë kam pasionin e atij që sheh sesi të gjitha kurthet në pyll janë plotë... Por për ato kurthe duhet durim. Prandaj sa më shumë më thoni Ramaduro, unë aq më shumë e dëgjoj Rama duro se këtë punë ke me këta. Prandaj hiqeni Ramaduro se më shtoni durimin. Mua më ka ardhur radha aq herë sa edhe ata 5 mijë veta që ju vinin, janë bërë tani si lekët e vjetra. Por ju fituat edhe për një arsye tjetër. Ju ndalët pushtimin e Shqipërisë nga palestinezët.

Se denoncuat një komplot në kurriz të shqiptarëve, se bashkë me 1 miliardë që do merrja unë nga taksat për të shkuar atje, se ju kujtoni se Amerika blihet siç doni ta blini ju me ato milionat tuaja që u’a japin patriotët. Sepse janë disa patriotë atje që shesin hamburger dhe ju japin juve para që të shpëlani atë që nuk shpëlahet.

Ju duhet ta çoni në SPAK projektin e kampusit të Universitetit të Durrësit. Një kokë e madhe nga ana juaj tha se po bëhet kampusi i universitetit të Durrësit për të sjellë palestinezët. Luli iku, por 7x7 mbeti. Matematika edhe kur bëni llogari të eksportit ajo është. Tani çojini SPAK dhe kërkojuni urgjent ata që paguat në Amerikë. Ore ai Latif magjistari ku është? I thoni që të gjitha këto denoncimet t’ja çojë atij kongresmenit t’i lexojë atje”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Me 110 vota pro, miratohet aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes! Rama-opozitës: Thatë se SHBA do më bënte gjyqin, por më votuat mua si përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë