MONACO - Këtë të premte me fillim nga ora 13:40 në Monaco u mbajt shorti i fazës së ligës për sezonin e ri 2026-27 të Conference League. Për herë të parë në këtë turne marrin pjesë edhe kampionët e Shqipërisë, Egnatia.

Klubi nga Rrogozhina ka mësuar gjashtë rivalët. Në shtëpi Egnatia do të luajë kundër danezëve të Midtjylland, ekipit nga Gjibraltari të Lincoln Red Imps dhe lituanezëve të Kauno Zalgiris. Në udhëtim Egnatia do të përballet me portugezët e Bragës, rumunët e Universitatea Craiova dhe danezët e Aarhus.

Për të tretin vit radhazi, Conference League do të garojë në fazën e ligës me formatin e ri, 36 skuadra dhe një renditje e përgjithshme. Secili nga 36 ekipet do të luajë 6 ndeshje kundër rivalëve të ndryshëm, 3 në shtëpi dhe 3 jashtë fushe. Ekipet nga i njëjti vend nuk mund të përballen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në këtë fazë dhe çdo klub mund të përballet me një maksimum prej dy kundërshtarësh nga e njëjta shoqatë kombëtare.

Tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në 1/8-at, ndërsa ekipet nga vendi i 9 deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt. Skuadrat nga vendi i 25-të e deri në të 36-in eliminohen nga gara.

Faza e ligës së Conference League do të fillojë më 15 tetor 2026, ndërsa finalja do të luhet më 2 qershor 2027 në stadiumin e Besiktasit në Stamboll.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:53
Mësuan rivalët në Evropë, Nevil Dede i Egnatias: Short i pranueshëm, kam peng eliminimin nga Champions League me 11 metërsha

1787925268_nevildede.JPG

Për herë të parë në histori Egnatia do të jetë pjesë e fazës së ligës së Conference League. Rivalët e kampionëve në fuqi të Shqipërisë do të jenë emra si Midtjylland, Braga, Lincoln Red Imps, Universitatea Craiova, Kauno Zalgiris dhe Aarhus.

Shortin e komentoi edhe trajneri i rrogozhinasve, Nevil Dede. Ai tha se kundërshtarët janë të pranueshëm, duke treguar edhe pengun e kualifikueseve evropiane.

“Është e rëndësishme që do të përfaqësojmë Shqipërinë në futbollin evropian. Mendoj se shorti është i pranueshëm. Ka më mirë, por ka edhe më keq, kështu që them se është një short i pranueshëm për ne. Qëllimi ynë është që të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe të argëtojmë me futbollin që luajmë, siç kemi bërë deri tani. Nuk është se kisha preferenca për shortin.

Pengu im në rrugëtimin evropian është humbja me penallti në Champions League. Por edhe dje ndaj Lillestrom nuk u treguam pragmatistë për ta mbyllur ndeshjen me golin e dytë, sepse krijuam shumë raste.

Përforcime? Patjetër që kur bëhet fjalë për të fuqizuar skuadrën është mirë, por mendoj se deri tani e kemi përballuar mirë me kontigjentin që kemi. Të mos harrojmë se kemi pasur edhe dy mungesa, ku Bakayoko për mënyrën si luajmë, është shumë i rëndësishëm për ne”, tha mes të tjerash për RTSH Nevil Dede.

Në shtëpi Egnatia do të luajë kundër danezëve të Midtjylland, ekipit nga Gjibraltari të Lincoln Red Imps dhe lituanezëve të Kauno Zalgiris. Në udhëtim Egnatia do të përballet me portugezët e Bragës, rumunët e Universitatea Craiova dhe danezët e Aarhus.