NYON - U mbajt këtë të premte në selinë e UEFA-s shorti për fazën play-off në Conference League. Pas gjashtë ndeshjeve të fazës së ligës, 16 skuadrat e renditura nga vendi i 9-të deri në atë të 24-t u shortuan për vijimin e garës në ndeshjet vajtje-ardhje që do jenë me eliminim direkt.
Drita e Gjilanit që e mbylli fazën e ligës në pozitën e 20-të, do ketë rival sllovenët e NK Celje. Ndeshja e parë do luhet në Prishtinë. Nga ana tjetër, Shkëndija e Tetovës që e mbylli fazën e ligës në vendin e 22-të do përballet me turqit e Samsunspor, me ndeshjen e parë që do luhet në Shkup.
Përballjet e para do luhen më 19 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 26 shkurt. Do jenë këto përballje që do nxjerrin tetë fitues për të kaluar në raundin e 1/8-ave. Ndërkohë që duel i fortë e pret Fiorentinën, me klubin e Serie A që do përballet me polakët e Jagiellonia.
Nëse kalon këtë raund, më tej Shkëndija do përballej me njërën mes Shakhtar Donetsk ose Rayo Vallecanos, me spanjollët që fituan 2-0 kundër tetovarëve në fazën e ligës. Nga ana tjetër, nëse kalon më tej Drita do përballej me njërën mes Spartës së Pragës dhe AEK-ut të Athinës.
Finalja e këtiij sezoni të Conference League do zhvillohet më 27 maj në stadiumin e Leipzig në Gjermani.
Ndeshjet play-off në Conference League:
Zrinjski Mostar - Crystal Palace
SK Sigma - Lausanne
KuPS - Lech Poznan
Shkëndija - Samsunspor
FC Noah - AZ Alkmaar
Drita - NK Celje
Jagiellonia - Fiorentina
Omonia FC - Rijeka
Ndeshjet play-off dhe rruga drejt finales së Leipzig
Komente








