HAJVALI, Prishtinë - Vllaznia e Shkodrës është eliminuar që në turin e parë kualifikues të Conference League. Ekipi i drejtuar nga Edi Martini u mposht 5-0 nga Malisheva e Kosovës këtë të mërkurë në ndeshjen e kthimit të kompeticionit evropian. Sfida e një jave më parë në 'Loro Boriçi' ishte mbyllur me fitoren 2-1 të Vllaznisë, por sot shkodranët kanë qenë hija e vetvetes.

Me rezultatin e përgjithshëm 6-2 Malisheva kualifikohet në turin e dytë për herë të parë në histori dhe gjen përballë Hibernian, ndërsa futbolli shqiptar vijon të mbetet në vendnumëro.

NDESHJA - Vendasit e Malishevës dominuan sfidën dhe shënuan dy gola në pjesën e parë me autor Kreshnik Ukën dhe Xhemal Ibishin. Shqiptarët e Kosovës vijuan të krijonin raste edhe në fraksionin e dytë duke shënuar sërish me Ukën, teksa te goli dolën edhe Arlind Veliu dhe Krenar Dulaj (i sapofutur në fushë).

Malisheva disa javë më parë uli në stol Thomas Brdaric, ish-trajnerin e Vllaznisë që sot eliminoi skuadrën shkodrane. Malisheva i shkakton Vllaznisë një ndër disfatat më të rënda në garat evropiane.

Skuadra nga elita e futbollit të Kosovës bëhet skuadra e tretë pas Rapid Vienës dhe Napolit që mund skuadrën shkodrane me shifrat 5-0.

2008 - Napoli 5:0 Vllaznia

2009 - Rapid Viena 5:0 Vllaznia

2026 - FC Malisheva 5:0 Vllaznia

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:55
Eliminoi ish-ekipin e tij, Brdaric pas fitores 5-0 kundër Vllaznisë: Këtë raund e kemi kaluar me shumë punë

1784134601_thomasbrdaric.jpg

Malisheva fitoi sot 5-0 kundër Vllaznisë duke u kualifikuar për në turin e dytë të Conference League. Pas ndeshjes foli trajneri i ekipit shqiptar nga Kosova, Thomas Brdaric. Ish trajneri i Vllaznisë eliminoi ish ekipin e tij, ndërsa tregoi se suksesi i Malishevës erdhi pas shumë pune.

"Ne kemi punuar shumë që të kalonim këtë raund. E dinim përpara që do ishte shumë e vështirë të luanim kundër Vllaznisë. Jam shumë krenar për djemtë e mi dhe sa sakrificë bëmë. Performancë në maksimum, ishte 100%. Nuk mund të them asgjë tjetër.

Jam shumë falenderues për djemtë e mi. Fillimisht do festojmë sot që kaluam raundin. Nga nesër do mendoj për Hibernian. Çfarë presidenti, njerëzit dhe anëtarët ndërtuan në 10 vitet e fundit një klub të mrekullueshëm.

Kur më kërkuan që të vi këtu, 'u ndeza' direkt. Të zhvilloj këtë skuadër në një nivel tjetër, e vlerësoj që m’u krijua mundësia. Si një trajner jam falenderues që drejtoj këtë skuadër të mrekullueshme”, u shpreh Thomas Brdaric për 'RTK'.