Në Itali prej disa ditësh nuk ka më dyshime, ish-trajneri i Juventusit dhe Chelsea-s do të jetë numri 1 i pankinës te Interi sezonin e ardhshëm. Madje sipas mediave, Conte ka piketuar edhe goditjet në merkato, të cilat do të jenë të bujshme pasi zikaltërit zyrtarisht nuk janë më nën regjimin e UEFA-s për ‘Fair Play-n Financiar’.
Ndërkohë që pritet rrotacioni në stol, Spalletti, trajneri aktual i Interit, ka folur ditën e sotme për këtë çështje dhe jo vetëm. I pyetur nëse ndeshja me Napolin dhe ajo me Empolin do të jenë 180 minutat e fundit në stolin zikaltër ai është përgjigjur:
“E ardhmja ime është ndeshja me Napolin, pasi ky ekip drejtohet nga trajneri më i mirë, Carlo Anchelotti.” Një deklaratë që nuk ka shuar asnjë pikëpyetje pavarësisht se sipas të gjitha gjasave Conte do t’I marë vendin te zikaltërit. Ndërkohë Spalleti ka komentuar edhe Mauro Icardi-n, ish-kapitenin që me një postim në rrjetet sociale i ka premtuar besnikëri Interit edhe për sezonet e ardhshme.
“Nëqoftëse ai thotë se dëshiron të qëndrojë unë e besoj, pasi Mauro është djalë i mirë, sinqerisht.”