Në javën e fundit, dy herë, Lulzim Basha kërkoi që qeveria të ndihmojë mediat dhe policët. Ftesa do të vlerësohej sikur të ishte edhe e sinqertë, por si shumë deklarata të tjera të kësaj opozite të inatosur për paaftësinë e vet për të mbledhur pëlqime, zbulon një hipokrizi të thellë. Eshtë hipokrizi të kërkosh ndihmë për mediat që opozita ka kriminalizuar prej vitesh, I ka diskriminuar, ofenduar dhe kërcënuar.  Nëse përjashtojmë mediat e lidhura drejtpërdrejt me Partinë Demokratike, ose mediat dhe gazetarët te varur nga logjika (alogjika) që opozita kërkon të imponojë si arsyetim unik, të gjithë të tjerët konsiderohen si “të kapur” nga qeveria. Atëherë ç’sens ka të kërkosh të ndihmosh sot me fonde publike një kategori të tërë të kriminalizuar prej vitesh?

E njëjta hipokrizi ndjehet në kërkesën e Lulzim Bashës për të ndihmuar policët me incentivë ekonomikë. Cilët policë? “Narkopolicët” të akuzuar prej vitesh nga kjo opozitë se janë në shërbim të bandave kriminale, të trafikantëve të drogës dhe të vrasësve? Apo policët e zënë me gurë, të sulmuar me shishe molotovi dhe me shashka vetëm se ishin në mbrojtje të qeverisë dhe parlamentit që militantët e opozitës donin të sulmonin pa pengesë? Pse sot opozita kërkon të ndihmohen ekonomikisht policët që deri dje konsideroheshin “kriminelë vrasës” se ishin të detyruar të përdornin gaz lotësjellës si mjeti i vetëm për të shmangur përplasjen fizike në përgjigje të sulmeve të dhunshme të huliganëve të politikës?

Në politikë duhet koherencë. Eshtë e qartë se Bashës dhe opozitës nuk iu intereson fare për shtypin e lirë dhe as për policinë: atyre iu intereson vetëm të kundërshtojnë qeverinë edhe në zgjedhjen për të mos ndihmuar median dhe për mosparashikimin (deri tani) të asnjë shpërblimi ekstra për policët, siç u është premtuar mjekëve që janë impenjuar në repartet Covid në shpëtim të jetëve njerëzore.

Mediat janë në vështirësi ekonomike dhe nuk ka as edhe një polic që nuk do t’i pëlqente një ndihmë ekonomike në këto javë të vështira. Por nëse opozita dëshiron me të vërtetë të shpërblejë këto kategori, më parë të bëjë një mea-culpa, të tërheqë ofendimet e lëshuara në gjithë këto vite, të fshijë black-list dhe t’u kthejë respektin që meritojnë të gjithë gazetarëve dhe të gjithë policëve. Ne personalisht, atëherë, do t’i jemi shumë më mirënjohës.(c.b.)