Covax: Si do të shpërndahen vaksinat anti-COVID në të gjithë botën?

Covax: Si do të shpërndahen vaksinat anti-COVID në të gjithë botën?

Vaksinat kundër Covid-19 kanë filluar të shpërndahen në të gjithë botën si pjesë e një përpjekje ndërkombëtare për të luftuar pandeminë që vazhdon të shkaktojë dëme të mëdha në të gjithë botën.

Ekspertët shëndetësorë theksojnë se qasja e barabartë në vaksina është thelbësore për t'i dhënë fund pandemisë.

Platforma e Covax synon të sigurojë që vaksinat të shpërndahen në mënyrë të drejtë midis të gjitha kombeve, të pasura dhe të varfra. Dhe deri më tani, ka arritur të shpërndajë më shumë se 38 milion doza në 98 vende.

Pse është e nevojshme një skemë për të shpërndarë vaksinat?

Pandemia e koronavirusit ka shkatërruar shoqëritë dhe u ka marrë jetën pothuajse 3 milion personave në të gjithë botën.

Por deri më tani, vendet më të pasura kanë qenë në gjendje të blejnë shumë më shumë vaksina anti-COVID sesa ato të varfra.

Covax shpreson të sigurojë më shumë se dy miliardë doza për popullsitë në 190 vende në më pak se një vit.

COVAX synon që të sigurojë qasje në vaksina për 92 vende të varfra në të njëjtën kohë me 98 vende të pasura.

Skema drejtohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe gjithashtu përfshin Aleancën Globale të Vaksinave (Gavi) dhe Koalicionin për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike .

Kush financon Covax dhe cilat vende mund të përfitojnë?

Covax ka mbledhur më shumë se 6 miliardë dollarë  fonde, por skema thotë se i duhen të paktën edhe 2 miliardë dollarë të tjerë për të përmbushur objektivin e saj për 2021. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka kontribuuar me 734 milion dollarë dhe SHBA premtuan 4 miliard dollarë në dhjetor.

Një nga veprimet e para të Presidentit Joe Biden në detyrë ishte përfshirja e SHBA në Covax.

Në anën tjetër MB, e cila ka porositur 400 milion doza vaksinash ka deklaruar se do të dhurojë pjesën më të madhe të furnizimit të saj me vaksina në vendet e varfëra.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se vendet më të pasura duhet të dërgojnë deri në 5% të furnizimeve të tyre aktuale të vaksinave në vendet e varfra.

Gana ishte vendi i parë që mori vaksinat nëpërmjet platformës së Covax në shkurt. Që nga ajo kohë, dozat janë shpërndarë në vendet e tjera me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Megjithëse shumica e dozave të para në dispozicion do të dorëzohen në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, disa do të dërgohen në vende me të ardhura të larta si Kanada, e cila ka mbrojtur vendimin e saj për të marrë furnizimin e hershëm të Covax.

Çfarë vaksinash përdor Covax?

OBSH-ja ka aprovuar vaksinën Oxford-AstraZeneca, duke i dhënë asaj dritën jeshile që ajo të përhapet globalisht përmes Covax.

Gavi thotë se ka një marrëveshje për 340 milion doza të vaksinës së Oxford-AstraZeneca dhe rreth 1.2 milion doza të vaksinës Pfizer-BioNTech.

Në fillim të Marsit, Covax dërgoi dozat e saj të para Pfizer-BioNTech, në Ruandë.  Punonjësit e kujdesit shëndetësor, të moshuarit dhe të prekshmit janë të parët në radhë për të marrë vaksinat anti-COVID.

A ka pasur ndonjë problem me shpërndarjen e Covax?

Shumë persona janë të mendimit se COVAX nuk ka lëvizur aq shpejt sa duhet. Një anëtar i bordit të OBSH-së, Dr Clemens Martin Auer, tha se platforma kishte qënë e ngadaltë për të siguruar marrëveshje vaksinash dhe për t’i shpërndarë ato.

Madje në fund të Marsit, drejtuesi i Gavi, Seth Berkley shprehu zhgënjimin në lidhje me vonesat e furnizimit nga një prodhues kryesor vaksinash në Indi.

Vaksina Oxford-AstraZeneca është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas OBSH përbën më shumë se 90% të vaksinave që shpërndahen përmes mekanizmit të COVAX.

Por raportet e fundit për mpiksje shumë të rralla të gjakut në lidhje me vaksinën kanë nxitur shqetësime për sigurinë e saj.

Disa vende të përfshira në skemë kanë pezulluar përdorimin e vaksinës, duke përmendur efektet anësore të mundshme. Pavarësisht se rregullatorët në të gjithë botën deklaruan se përfitimet e përdorimit të vaksinës tejkalojnë çdo rrezik.

Sa e drejtë është shpërndarja e vaksinës?

Vaksinat e prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Evropë, Rusi dhe Kinë janë duke u përdorur gjerësisht, pasi janë blerë dhe aprovuar në vende të ndryshme të botës. Por dozat nuk ndahen në mënyrë të barabartë midis vendeve.

"Kombet e pasura që përfaqësojnë vetëm 14% të popullsisë së botës kanë blerë më shumë se gjysmën 53% të të gjitha vaksinave më premtuese," tha një grup i quajtur Aleanca e Vaksinave të Popullit në Dhjetor.

Vendet me të ardhura të larta aktualisht kanë porositur 4.6 miliardë doza, ndërsa kombet me të ardhura të ulëta vetëm  670 milion, sipas studimit nga Duke Global Health Innovation Center.

A mundet Covax të ndihmojë në përfundimin e pandemisë?

Edhe nëse objektivi i Covax përmbushet, ai përsëri do të ishte më i ulët se niveli i imunitetit që ekspertët deklarojnë se është i nevojshëm për t'i dhënë fund pandemisë.

OBSH ka sugjeruar që ndalimi i Covid-19 kërkon që të paktën 70% e popullsisë globale të ketë imunitet.

Me një normë prej dy miliardë dozash në vit, mund të duhen vite për të vaksinuar 70% të 7.8 miliardë njerëzve në botë.

Sidoqoftë, dy miliardë doza do t'u jepnin një farë mbrojtje atyre që janë të parët në radhë, siç janë punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe të prekshmit.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut

‘Në Librari’ me 3 tituj në rinj: ‘Lufta e fshehtë në Shqipëri’, ‘Jeta e shkurtër e Lukas Santanës’ e ‘20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë’! ‘Tektonika e Shpirtit’ te Melodia e Vargut