Covid-19, von der Leyen: Europa ka nevojë për një Plan Marshall. BE 'qasje graduale' ndaj lehtësimit të masave të izolimit

"Europës i duhet një plan Marshall për të dalë nga kriza e koronavirusit, investimet publike dhe private janë të nevojshme." Kështu u shpreh Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, teksa prezantoi edhe udhëzimet e BE-së për fazën 2 të pandemisë.

“Unë shpesh kam thënë në të kaluarën se Europës i duhet një Plan i ri Marshall,” tha ajo, duke iu referuar paketës stimuluese prej shumë miliardë dollarëve amerikanë për të rindërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. “Ne kemi nevojë për investime masive publike dhe private për të ringjallur ekonominë, ristrukturuar atë dhe për të krijuar vende të reja pune.”

von der Leyen tha se “Çelësi për këtë është një buxhet i ri i fortë i BE-së. Buxheti ka avantazhin që gëzon besimin e të të gjitha vendeve anëtare. Ky buxhet i ri 7-vjeçar duhet të dallohet nga ai i mëparshmi. Ai do të jetë i ndryshëm, do të jetë përgjigja evropiane ndaj krizës së koronavirusit.”

Bashkimi Evropian ka bërë publike rekomandimet për vendet anëtare, që duan të lehtësojnë masat e izolimit nga koronavirusi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se parakushtet kryesore për shtetet janë që të kenë rënie të dukshme të numrit të të infektuarve, kapacitete të mjaftueshme në sistemet e tyre shëndetësore dhe monitorim adekuat.

“Në përgjithësi, ne rekomandojmë qasje graduale dhe çdo veprim duhet të monitorohet vazhdimisht", tha von der Leyen.

Sipas saj, qëllim i rekomandimeve është “të sigurohet një dalje e koordinuar nga masat e kontrollit”.

Këtë javë, disa vende të Bashkimit Evropian kanë nisur t’i lehtësojnë masat e izolimit kundër përhapjes së koronavirusit.

Prej tyre, edhe Italia - vendi më i goditur i Evropës, me më shumë se 21,000 viktima nga koronavirusi - i ka lejuar disa firma të rifillojnë operimet.

Çfarë thotë OBSH-ja për heqjen e masave të izolimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar gjashtë kushte për vendet që konsiderojnë relaksimin e izolimit:

·         Transmetimi duhet të kontrollohet;

·         Sistemet shëndetësore kanë kapacitet për të zbuluar, testuar, izoluar dhe trajtuar çdo rast dhe gjurmuar çdo kontakt;

·         Rreziqet e shpërthimit në ambiente të veçanta, si objektet shëndetësore dhe shtëpitë e pleqve, minimizohen;

·         Masat parandaluese ndërmerren në vende të punës, shkolla dhe vende të tjera ku njerëzit domosdoshmërisht shkojnë;

·         Rastet e importuara menaxhohen;

·         Komunitetet janë plotësisht të informuara, të angazhuara dhe të afta për t’u përshtatur me "normën e re".

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ditë më parë pas një takimi me drejtuesit në kompaninë gjermane “CureVac”, një nga shumë organizata që punojnë për vaksinën, pohoi se një vaksinë kundër koronavirusit mund të dalë në treg “para vjeshtës”.

Ndërkohë BE tashmë ka premtuar më shumë para për hulumtimin e vaksinave, si dhe shpejtimin e hapave të zakonshëm rregullatorë, siç janë provat klinike dhe autorizimet.

Deklarata ishte pjesë e udhërrëfyesit për heqjen e bllokimeve të Covid-19. Komisioni, i cili nuk ka fuqi mbi masat e izolimit të ndërmarra nga qeveritë po këshillon vendet që të marrin parasysh faktorët e mësipërm përpara se të lehtësojnë kufizimet.


Lajmi kryesor:

Covid-19, në Itali 578 viktima! Bota në pragun e 2 milionë të infektuarve dhe 127 mijë vdekjeve, Trump shkurton fondet për OBSH (VIDEO)


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?