TIRANË- Duket se ekonomia e vendit po fillon të rikuperohet dhe të çlirohet nga efektet negative të pandemisë COVID-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat në tremujorin e parë të këtij viti janë rritur me 4.4 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar, duke reflektuar një përmirësim të situatës ekonomike. Konkretisht për periudhën janar-mars janë mbledhur 108.6 miliardë lekë nga 104.1 miliardë që i mblodhën vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në tre muajit e parë të këtij viti të ardhurat tatimore janë rritur me 6.9 miliardë lekë, dhe ndikimi kryesor është dhënë nga përmirësimi i konsumit, punësimit dhe rritja e aktivitetit të bizneseve.
Bazuar tek shifrat, të ardhurat nga TVSH-ja janë rritur me 108 milionë lekë, duke dëshmuar një rritje të konsumit, krahasuar me vitin e kaluar. Po ashtu të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë shtuar me 1.4 miliardë lekë, duke reflektuar rritjen e aktivitetit ekonomik tek sipërmarrjet. Nga ana tjetër edhe sinjalet që vijnë nga tregu i punës janë pozitive, pasi nga tatim mbi pagën janë mbledhur 847 milionë lekë.
Sipas treguesve të ardhurat doganore arritën në vlerën e 38.3 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë se 3 mujori 2020, kontributin më të madh pozitiv e ka dhënë importi i karburantit, dhe kanë rënë të ardhurat nga cigaret, energjia elektrike, mishi, mielli dhe gruri.
Nga ana tjetër janë rritur shpenzimet me 8.8 miliardë lekë më shumë se në tremujorin e parë të 2020. Përkatësisht në muajit janar – mars këtë vit janë shpenzuar 115.7 miliardë lekë, në vitin e kaluar u shpenzuan 106.9 miliardë lekë.
Edhe pse poshtë parashikimit fillestar deficiti buxhetor është zgjeruar krahasuar me vitin e pandemisë. Sipas financave në fund të marsit deficiti ishte 7.1 miliardë lekë, nga 2.7 miliardë lekë që ishte vjet.