Cristiano Ronaldo ka bërë hapin e tij të parë drejt pronësisë së një klubi futbolli, pasi ka blerë 25% të aksioneve të UD Almeria përmes kompanisë së tij “CR7 Sports Investments”. 41-vjeçari, i cili vazhdon të jetë aktiv në futbollin e luajtur me fanellën e Al Nassr, bëhet bashkëpronar i klubit spanjoll një vit pasi Almeria u ble nga një grup investitorësh nga Arabia Saudite i udhëhequr nga Mohamed Al Khereiji, bashkëpunëtor i ngushtë që më herët kishte ndihmuar edhe në transferimin e portugezit në Arabinë Saudite.

Al Khereiji e mirëpriti investimin, duke vlerësuar përvojën dhe njohjen e thellë që Ronaldo ka për futbollin spanjoll. Aktualisht, Almeria renditet e treta në La Liga 2 dhe po synon rikthimin në elitën e futbollit spanjoll.

"Cristiano Ronaldo blen 25% të aksioneve të skuadrës spanjolle UD Almeria. Marrëveshja është përfunduar me skuadrën e divizionit të dytë që aktualisht është në pronësi të një grupi investitorësh nga Arabia Saudite", konfirmon gazetari i mirënjohur Fabrizio Romano.

Ky investim shënon 'rikthimin' e Ronaldos në futbollin spanjoll në një rol ekzekutiv, pas periudhës së tij të suksesshme me Real Madrid, ku fitoi gjithçka në nivel klubi dhe u shndërrua në një legjendë të 'Galaktikëve'.