Çuçi: Jo spiunë në administratë
por denoncues korrupsioni

Ministri për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi po drejton prej disa muajsh Partisë Socialiste të Qarkut të Gjirokastrës drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Gjasat që ai të kryesojë listën e deputetëve socialistë në këtë qark, janë të mëdha, por vetë ministri shpjegon në një intervistë për Shqiptarja.com se nuk ka një vendim për këtë çështje, dhe se për kandidimin e tij do të vendosë Rama dhe kryesia e PS-së.

Po ashtu, ministri konfirmon se nuk është mirëpritur nga ish-koordinatori i këtij qarku, Koco Kokëdhima, ndërsa, sa i takon mandatit të Ben Blushit pas largimit nga PS, Çuçi është i dyzuar mes interpretimit juridik dhe atij moral.

Si ministër për çështjet vendore, Bledi Çuçi e konsideron të stisur dhe artificial, pretendimin e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, që akuzon kryeministrin Rama se ka diskriminuar bashkitë e djathta gjatë shpërndarjes së fondeve.

Ministri Çuçi jep dy fakte interesante që sipas tij, rrëzojnë pretendimin e Ademit. “në vitin 2015 dhe 2016, Shkodra ka përfituar investime nga buxheti i shtetit për projekte të ndryshme në rrugë, shkolla, stadiumin apo dhe infrastrukturë rurale në vlerën prej rreth 50 milionë dollar, ndërsa Bashkia Vlorë po për të njëjtën periudhë ka përfituar diçka më pak se 23 milionë dollarë.Po kështu 60% i buxhetit të bashkisë Shkodër për vitin 2016 financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa buxheti i bashkisë Tiranë merr 25% nga buxheti i shtetit dhe pjesën tjetër e gjeneron nga taksat lokale”,-thotë ministri Çuçi për Shqiptarja.com.
 
Ka pak ditë që ka hyrë në fuqi ligji i sinjalizuesve. Si do të arrihet që të përzgjidhet “spiuni” brenda çdo ndërmarrjeje?
Këtu ka një keqkuptim, sepse ligji për sinjalizuesit nuk bën fjalë për përzgjedhje, siç i quani ju, spiunësh. Përkundrazi, ky ligj rregullon dhe garanton integritetin brenda administratës, qoftë edhe brenda privatëve. Thënë ndryshe, ligji për sinjalizuesit nxit punonjësit brenda një organizate që ata të denoncojnë rastet korruptive kur ata ndeshen me to. Ligji bën të mundur mbrojtjen e tyre nga ndonjë hakmarrje e mundshme, nga eprorët e këtyre punonjësve. Përzgjedhja duhet të bëhet në këtë rast vetëm për strukturën që do të ngrihet brenda organizatës ku shtrin efektet ligji. Kjo strukturë do të ndjekë “sinjalin” dhe të kryejë hetimin administrativ për të parë nëse vërtetë përbën vepër korruptive apo jo. Mendoj që edhe media nuk duhet më ta përdorë fjalën spiun, e para sepse nuk ka të bëjë fale më spiunim në konceptin e drejtpërdrejt të fjalës, dhe e dyta, sepse kjo fjalë ka një konotacion negativ. Edhe në këtë rast, vetëm do të shtrembëronte qëllimin për të cilin është bërë ligji. Po jua them edhe një herë, është e kundërta. Ky ligj mbron integritetin, dinjitetin e punonjësit publik apo privat kur denoncon një akt korruptiv.  

Si koordinator kundër korrupsionit keni matur rezultatet e këtij viti? Prisni të reflektohen ato në progres raportin e nëntorit?
Është shumë e vështirë të flasësh për rezultate në luftën kundër korrupsionit. Ai është një fenomen kapilar, as shqiptar, as rajonal, por universal horizontal. Ai shtrihet në të gjithë sferat e qeverisjes dhe sektorit publik. Matja më e mirë në këtë rast është renditja që bën Transparecy International, një nga organizatat kryesore sot në botë që mat perceptimin e korrupsionit në të gjithë vendet e botës duke bërë një raport krahasues. Në vitin 2016 kjo organizatë e renditi Shqipërinë 25 vende më lart se 2015-a. Rritja më e madhe në historinë e 25 viteve të Shqipërisë. Nëse do të nisemi nga ky raport, do të kuptojnë që Shqipëria ka bërë hapa goxha pozitivë në luftën kundër korrupsionit. Po nuk është vetëm kjo. Janë edhe raportet që bëjnë organizatat dhe partnerët tanë, dhe këtu i referohem sigurisht Brukselit, i cili është në fazë monitorimi, për të dhënë pastaj verdiktin nëse do t’i rekomandojë BE-së çeljen e negociatave me Shqipërinë, apo jo. Raportet e Brukselit janë më burokratikë, me tregues më të drejtpërdrejtë  për hapat që kanë ndërmarrë vendet kundër korrupsionin. Të gjitha këto raporte deri tani flasin për një trend pozitiv të ndërmarra nga shteti shqiptar dhe inkurajojnë Shqipërinë për këtë rrugë që kanë nisur në luftën kundër korrupsionit. Unë jam optimist, dhe sa na takon ne si qeveri, është e qartë në të gjithë raportet, që qeveria i ka bërë detyrat e saj më së miri. Sa i përket panoramës në tërësi për korrupsion, Shqipëria ka ende për të bërë dhe problemet vijnë kryesisht nga sistemi i drejtësisë. Ndaj dhe ne si mazhorancë këtë vit u fokusuam tërësisht tek reforma në drejtësi.  

Së fundmi është ndezur një debat që ka nisur në Shkodër për financimin e bashkive me kryetar të djathtë. Si ministër për pushtetin vendor, a nuk ndiheni përgjegjës për këtë diskriminim të pretenduar?
Debati midis pushtetit vendor dhe qeverisë për financat, nuk është një çështje e re dhe as një karakteristikë e veçantë e vendit tonë. Ky fenomen është i një fenomen i hershëm pothuajse në të gjitha vendet e Evropës dhe debati për ndarjen e financave dhe investimeve është pjesë normale e dialogut ndërinstitucional midis qeverive dhe pushtetit vendor, pra edhe Shqipëri nuk bën dallim në këtë drejtim. Për sa i përket financimit të bashkive që drejtohen nga kryetarë të djathtë mendoj që ky është një debat i stisur dhe artificial së pari sepse në qasje është i gabuar pasi nuk mund të ndash qytetarët dhe komunitetet në të djathtë dhe të majtë, dhe së dyti sepse është debat i pabazuar në fakte. Meqë më pyetët për Shkodrën po ju them që në vitin 2015 dhe 2016, Shkodra ka përfituar investime nga buxheti i shtetit për projekte të ndryshme në rrugë, shkolla, stadiumin apo dhe infrastrukturë rurale në vlerën prej rreth 50 milionë dollar, ndërsa Bashkia Vlorë po për të njëjtën periudhë ka përfituar diçka më pak se 23 milionë dollarë. Po kështu 60% i buxhetit të bashkisë Shkodër për vitin 2016 financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa buxheti i bashkisë Tiranë merr 25% nga buxheti i shtetit dhe pjesën tjetër e gjeneron nga taksat lokale. Pra duket qartë që nuk ka ndonjë diskriminim në këtë aspekt, përkundrazi kemi dyfishuar fondin e investimeve për projektet në nivel lokal në gati 100 milionë dollar nga 50 milionë që ishte në 2013.

Reforma territoriale a do të pasohet edhe me një ndarje të re në nivel të dytë? E kam fjalën për “fatin” e prefekturave, a do të shkohet drejt rajoneve?
Niveli i dytë i qeverisjes vendore apo ndryshe Qarqet, nuk u prekën nga reforma territoriale e 2014, por mbetet për tu konsideruar në periudhë tjetër dhe e harmonizuar me zhvillime të tjera. P.sh. ajo që ne po bëjmë aktualisht është  stimulimi i politikës së zhvillimit rajonal që fokusohet në rajonet ekonomike, çka përfshin një qasje zhvillimore ndryshe domethënë  gjithëpërfshirëse sipas territorit të caktuar (rajonit) dhe jo e fragmentuar sipas sektorëve të veçantë. Politika re e zhvillimit rajonal padyshim inkuadron edhe nivelin e dytë të qarqeve, dhe na jep një shtysë drejt atyre rajoneve që mund të konsiderohen si rajonet evropiane. Kjo është një tjetër reformë madhore e kësaj qeverie e cila sapo ka hedhur hapat e parë dhe pritet që të finalizohet e plotë në mandatin e dytë të kësaj mazhorance.

Në aspektin politik, ju jeni mandatuar nga kryesia e PS-së për të drejtuar strukturat e qarkut Gjirokastër. Si po shkon puna organizative atje?
Mendoj që po shkon mirë. Jemi në proces të konsolidimit të strukturave të reja që dolën mbas pas Kongresit të PS-së. Kemi pasur një fushatë zgjedhjesh të organeve brenda partisë, dhe tani besoj se jemi gati për të filluar fazën e fushatës elektorale, e cila shumë shpejt pritet të fillojë për zgjedhjet e 2017-ës. Mendoj, dhe po e shoh në fakt sa herë jam pranë strukturave të PS-së në qarkun e Gjirokastrës, që qeverisja ka dhënë impaktin e saj pozitiv edhe në elektorat. Unë jam shumë i kënaqur që shkoj dhe takohem atje me grupe të ndryshme interesi, edhe si i deleguar i Kryesisë së PS-së për Qarkun Gjirokastër, përtej kostumit të ministrit, bisedojmë shumë më gjerë. Shoh që në këto tre vite, edhe qeveria ka bërë reformave të mëdha që mund të sillnin edhe disa kosto në elektorat, shqiptarët i kanë pritur mjaft mirë dhe pozitivisht këto reforma. Ky është një lloj sadisfaksioni personal që unë ndjej si një politikan dhe ministër i kësaj qeverie që ka udhëhequr gjithë këto reforma.

 A ju ka mirëpritur z. Kokëdhima në këtë zonë? Raportimet kanë qenë për një rezistencë nga ana e ish-deputetit.
Jo. Që ditën e parë që unë kam shkuar në Gjirokastër, unë nuk jam takuar asnjëherë me z. Kokëdhima, dhe ai nuk ka qenë asnjëherë prezent në qarkun Gjirokastër, këto tre muaj kur unë kam qenë prezent si i deleguar i Kryesisë së  PS-së në këtë qark.

Zgjedhjet e ardhshme janë afër. Ju do të kërkoni të kandidoni në Gjirokastër?
Kjo është një çështje që e vendos kryesia e partisë dhe organet e saj sipas statutit. Ne kemi një sistem proporcional me lista të mbyllura, dhe përderisa ky sistem është në fuqi, atëherë edhe fakti nëse unë apo kushdo tjetër, do të kandidojë në një qark apo në një tjetër, vendoset pikërisht nga këto organe vendimmarrëse të partisë. Sido që të jetë, kudo që të jem, unë do të bëj detyrën time si përfaqësues i PS-së, brenda mandatit që do të më ngarkohet nga kryesia dhe organet vendimmarrëse të partisë: kryetari dhe kryesia.  

Një largim i ri ka kaluar jo pak bujë në Partinë Socialiste. Kolegu juaj Blushi ju ka quajtur “kazan i rilindjes”. Bashkë me të është larguar dhe znj. Hafizi. Si e komentoni largimin e tij?
Është zgjedhje e tyre dhe tashmë ata e kanë shprehur hapur vullnetin e tyre. Ata nuk duan të jenë më pjesë e Partisë Socialiste dhe mendoj se që nga ky moment, debatet janë të kota. Mendoj që duhet të debatohet për prurje të reja dhe zhvillime brenda partisë. Në momentin që dikush largohet nga partia, nuk ka më vend për të diskutuar vendimet e tyre. Kjo është një zgjedhje e lirë e tyre dhe çdo koment në këtë drejtim do të ishte i tepërt.

Z. Balla ka kërkuar që z. Blushi duhet të dorëzojë mandatin e deputetit sepse i takon një socialisti. Ju ndani të njëjtën bindje? Duhet ta dorëzojë mandatin?
Nga pikëpamja e interpretimit strikt juridik dhe kushtetues, të gjykatave kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, është vlerësuar gjithnjë që mandati është personal, por, në një farë mënyre unë i bashkohem mendimit të zotit Balla, në pikëpamjen që diktohet nga sistemi që ne kemi zgjedhur. Duke qenë se kemi zgjedhur sistem proporcional me lista të mbyllura, në një farë mënyre mandati ka një kuptim kolegjial. Votohet një ekip, një listë, dhe jo një sistem mazhoritar ku votohet një individ. Në këtë kontekst, mund të diskutohet për një mandat të dhënë nga një subjekt politik, në këtë rast Partia Socialiste. Por siç e thashë, interpretimi strikt juridik, përcakton se mandati dhe deputeti kanë një marrëdhënie personale.
 
Fondet
60% i buxhetit të bashkisë Shkodër për vitin 2016 financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa buxheti i bashkisë Tiranë merr 25% nga buxheti i shtetit dhe pjesën tjetër e gjeneron nga taksat lokale.
 
Blushi
Votohet një ekip, një listë, dhe jo një sistem mazhoritar ku votohet një individ. Në këtë kontekst, mund të diskutohet për një mandat të dhënë nga një subjekt politik, në këtë rast Partia Socialiste.
 
Kandidimi
Sido që të jetë, kudo që të jem, unë do të bëj detyrën time si përfaqësues i PS-së, brenda mandatit që do të më ngarkohet nga kryesia dhe organet vendimmarrëse të partisë: kryetari dhe kryesia. 
 
Qeverisja
Shoh që në këto tre vite, edhe qeveria ka bërë reformave të mëdha që mund të sillnin edhe disa kosto në elektorat, shqiptarët i kanë pritur mjaft mirë dhe pozitivisht këto reforma.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen