Ministri i Jashtëm Serb, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, tha se kish marrë garanci nga ky i fundit se “asnjë forcë ushtarake Kosovare nuk do të vepronte në veri të vendit”, duke rikujtuar se shefi i mëparshëm i Nato kishte dhënë siguri për një gjë të tillë.

Në një konferencë për shtyp për krerët e NATO-s Ivica Daçiç tha se gjatë bisedimeve me Stoltenberg ata kanë diskutuar për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Serbisë dhe Natos mes Partneritetit për Paqe, kanë diskutuar për situatën në Kosovë e Metohi, bashkëpunimin ne rajon si dhe për “sfidat e reja të sigurisë”.

Daçiç theksoi veçanërisht “rëndësinë e prezencës së vazhdueshme të KFOR në Kosovë e Metohi dhe duke sqaruar se “suksesi i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, ashtu si dhe implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara, varej drejtpërdrejt nga ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë”.

Me nënshkrimin e “Planit për Veprim Bashkëpunimi Individual” Serbia hyn në një fazë të re të marrëdhënieve me Naton, për të cilën Daçiç tha se “Askush nuk mund të ndryshojë çfarë ka ndodhur 16 vite më parë kur Nato bombardoi Serbinë, por kjo nuk do të jetë një pengesë për ndërtimin e marrëdhënieve bashkëpunuese në të ardhmen”.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)