Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga fillimi i procesit të zgjedhjes së Presidentit, mendoni se do jetë një President konsensual?
Partia Socialiste e ka bërë katërcipërisht të qartë qëndrimin e saj në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. I qëndrojmë pikëpamjes sonë të shprehur dhe nga kryetari Edi Rama, për një proces transparent për zgjedhjen e kreut të shtetit, qëndrim të cilin e kanë mbajtur dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Madje këtij qëllimi i ka shërbyer dhe letra e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dërguar pesë kryetarëve të partive parlamentare në Shqipëri, dhe në çanti kryetarit të mazhorancës Sali Berisha e kreut të partisë së tretë parlamentare në vend, Ilir Meta. Berisha dhe Meta, është e udhës që pikësëpari të kthejnë përgjigjie për letrën e Ramës për të hapur procesin e negociatave për zgjedhjen e presidentit konsensual dhe mbi palët.
Por kryeministri Berisha deklaroi se do të fillojnë diskutimet për presidentin kur të hapet procedura sipas Kushtetutës...?
Berisha me sa duket i referohet procesit të zgjedhjes së presidentit në momentin kur fillon votimi. Ndërsa ne kërkojmë që para fillimit të procesit të zgjedhjes së presidentit të ketë një proces paraprak negociatash për kriteret që duhet të plotësojë kryetari i shtetit, si simbol i unitetit të popullit. Pastaj të fillojë procesi i zgjedhjes. Nuk ka se si të fillojë procesi i votimit para arritjes se realizimit të negociatave përmes një procesi transparent për mënyrën dhe kriteret e zgjedhjes së Presidentit. As Kushtetuta nuk e përjashton arritjen e një konsensususi mes palëve për kriteret e zgjedhjes së kryetarit të shtetit e hyrjen në procesin e votimit me një figurë konsensuale, që të jetë mbi palët dhee i dalë si produkt nga një proces transparent negociatash mes palëve politike në Shqipëri.
Janë hedhur disa kandidatura në tregun politik, mes të cilëve Topalli, Nano, Beja etj. PS do ketë kandidat të vetin...?
Tani për tani PS ka këtë pikëpamje në lidhje me procesin e zgjedhjes së kryetarit të shtetit. Pra jemi për të diskutuar dhe vendosur për paraprocesin, që të përcaktohen kriteret e zgjedhjes së Presidentit. Për emrat konkretë kemi kohë të diskutojmë. Por unë shpresoj shumë që në ditët e ardhshme Kryetari i PS, Edi Rama të marrë përgjigjien e letrës nga kryetari i mazhorancës Sali Berisha dhe kreu i LSI, Ilir Meta.
Do hyni në procesin e votimit në tre raundet e para ku duhet shumicë e cilësuar, ndërkohë që ende s'është arritur kompromisi. Do ta njihni si kushtetues këtë proces, nëse s'bëhet kuorumi..?
Nuk dua të flas për votimin për kreun e shtetit, pasi PS është e investuar për procesin. Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë shprehur se palët duhet të bisedojnë dhe të arrijnë të zgjedhin një president konsensual dhe të gjithëpranuar. Nëse mazhoranca e ka dëgjuar më vëmendje Komisionerin për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle gjatë vizitës në Tiranë dhe ka vullnet për të respektuar e zbatuar rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, atëherë padyshim duhet të hapë negociatat për një proces transparent që do të çojë në zgjedhjen e një Presidenti mbi palët dhe simbol të unitetit të popullit.
Zgjedhjet e fundit në Greqi treguan që PASOK, nga partia e parë që ishte ka rënë parti e tretë, duke ia lënë vendin e parë të djathtëve të Samaras dhe vendin e dytë radikalëve të majtë. Mendoni se PS duhet të radikalizojë opozitarizmin që të shmangë këto precedentë?
Nuk mund të bëhen krahasime të tilla, sepse ndryshe është gjendja në Greqi e ndryshe në Shqipëri. Pasi PASOK-u i drejtuar nga Papandreu pagoi politikisht jo konston e vet, por atë të qeverive të mëparshme të djathta që kanë qeverisur shumë keq. Dihet që qeveritë e mëparshme të konservatorëve grekë lanë pas në duart e të majtëve në qeverisje, një shtet në krizë, që kishte manipuluar rëndë me shifrat e kishte mashtruar Bashkimin Evropian. Papandreu mendoi për shpëtimin e Greqisë dhe ndërmori reforma të forta, duke mos qëndruar dhe vepruar për interesin politik të tij dhe PASOK, por për interesin e shpëtimit të vendit, duke paguar për pararendesit e djathtë në qeverisje konsto të fortë politike.
Ju thoni se s'ka përsëritje të procedentit grek në Shqipëri...?
Fillimisht unë them se nuk është ndëshkuar e majta në Greqi, por e djathta, pasi bashkë me radikalët e majtë që janë aktualisht dhe në Parlamentin Evropian mandje kanë bërë dhe raport për Shqipërinë, dhe të majtët e tjerë janë më në shumicë, gjë që tregon se grekët kanë votuar majtas. Pra s'ka disfatë, ndërkohë që ripërsëris PASOK pagoi për reformat e forta në funksion të shpëtimit të Greqisë dhe mbajtjes së saj në zonën e euros. PS dhe kryetari Rama kanë folur që herët dhe për fshehjen e shifrave nga ana e qeverisë së Berishës, e cila po vepron njëlloj si në Greqi, shqetësim i i cili është shprehur dhe përmes prononcimit të FMN. Por që Berisha sërish ka mohuar se ka manipuluar me shifrat.
Po duhet një opozitë e fortë në Shqipëri...?
Në fillim duhet të arrijmë të zgjedhim presidentin e ri, për t'i dhënë vendit një kryetar shteti mbi palët dhe simobol të unitetit të popullit. Pas zgjedhjes së Presidentit, uroj që të përfundojë me sukses ky proces, besoj që PS do të zbresë në bazë për të qënë më pranë njerëzve për të shpjeguar fort alternativën tonë të ndryshimit. Aksioni politik opozitar do të jetë më i fuqishëm edhe për shkak se jemi tamam në vitin elektoral. Do të bëjmë një opozitë të fortë për të evidentuar të gjithë keqqeverisjen e kësaj mazhorance dhe shpjeguar programin tonë politik që synon rilindjen shqiptare, mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, zgjidhjen e çështjes së pronave dhe ish-të përndjekurve, problemet në arsim, shëndetësi dhe në veçanti bërjen e reformave për integrimin e Shqipërisë në BE.
Por për të realizuar këto duhet ardhur në pushtet. Cila do jetë formula...?
Partia Socialiste do të bëjë koalicione të mëdha, përpos që vetë është forcë e parë politike në vend. PS do ta lërë derën të hapur për koalicione të mundshëme me të gjitha ato forca politike që në programin e tyre kanë rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti, rikthimin e votës së lirë dhe orientimin drejt së ardhmes.
Dhe me LSI jeni të hapur për koalicion...?
Dhe me këtë parti jemi të hapur, nëse rrëzon Berishën.
Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)