Protestat e opozitës po bëhen gjithnjë e më patetike dhe po zvogëlohen dita ditës. Për Dashamir Shehi, kjo tregon qartë se opozita ka nevojë për ndryshim real, si në mënyrën e protestës, ashtu edhe në rregullat e lojës politike.

I ftuar në Studio Live në Report TV, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar shpjegoi një protestë që të jetë e suksesshme duhet të burojë nga rebelimi popullor dhe ky i fundit nuk duhet pilotuar nga politika.

“Unë them që nuk i bën mirë opozitës. Ka një element patetizmi politik. Kjo nuk është rruga e duhur. Mua më shqetëson që kjo është një rrugë pa krye, dhe po vjen e po zvogëlohet dhe po humbet inercinë. E patë edhe vetë herën e fundit kishte më pak njerëz. Përse kishte pak njerëz? Se janë po të njëjtët njerëz që vijnë çdo dy javë, një herë në muaj, që lodhen.. sepse protestën e nxit tharmi politik, por ka edhe nevojë për momente entuziazmi, rebelim popullor dhe jo të pilotuar nga politika. Çfarë ndodhi këtë radhë? Asgjë e madhe. Partia është e mbyllur. Berisha ka qenë kryetar, Berisha do të jetë kryetar prapë, ndaj harxhojnë kot energji”, tha Shehi.

Sipas tij, demokratët duhet të gjejnë forma të reja reagimi dhe të krijojnë besim te qytetarët, përndryshe protestat do të shuhen.

Duke u ndalur te propozimi i Sali Berishës për një sistem proporcional me lista të hapura, Shehi argumentoi se një model i tillë do të ishte më i drejtë për përfaqësimin, por vjen me vonesë dhe pas humbjeve të njëpasnjëshme të opozitës.

“Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe nuk ka më kuptim rajonalizimi i votave. Ka qenë budallallëk dhe maskarallëk që në fillim. Kjo i bën mirë opozitës dhe shqiptarëve. Berishës i intereson ta bëjë këtë. I interesonte ta bënte edhe një vit më parë por nuk e bëri sepse ishte i shqetësuar për status-quo-n e vet, administrimi i pushtetit brenda oborrit opozitar se sa kundërshtari. Opozita humbi me duart e veta. U bë dy herë që bën këtë lloj eksperimenti. Edhe në vitin 2021 ishte e njëjta situatë. Vonë vonë, por kanë mbështetjen tonë për këtë. Urojmë të bëhet”, u shpreh ai.