Ish-drejtues i Klubit Partizani, Paro Laçi, ka treguar në një lidhje live për emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, prapaskenat e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, me vendim të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Teksa e quajti privatizimin e kubit Partizani si një grabitje, Laçi tregoi edhe kalvarin e vuajtjeve dhe kërcënimet nga njerëzit e Berishës, të cilët sipas tij, i kërkonin që ai ‘të kyçte gojën’ për këtë çështje.
“Në radhë të parë, nuk është se ata morën dhe e kaluan klubin, por ata e grabitën klubin. Unë në atë periudhë kur Sali Berisha vriste njerëz, unë kam denoncuar këtë korrupsion kaq masiv. Kam denoncuar grabitjen e klubit, sepse ne nuk kemi pranuar të kalojmë nga një ambient në një tjetër. Ne jemi në luftë me polici, me shkopa gome. Prandaj falënderova ata tifozë që janë përleshur me policinë”, tha mes të tjerash Laçi.
Më tej Paro Laçi deklaroi se ai dhe shumë persona të tjerë u persekutuan nga qeveria Berisha asokohe, për çështjen e privatizimit të ish-komplksit Partizani.
“Sepse policia atëherë nuk lejonte as fëmijët që të stërviteshin në ato fusha. Ne u përleshëm në diktaturën e Sali Berishës në ato kohë, në ato ambiente. Ka shumë njerëz dhe figura legjenda të Partizanit, që janë përpjekur me intervista... I ati i Igli Tares, Isa Tare, u luftua nga Sali Berisha. Mua Berisha përmes nipit të tij, Dritan Berishës, më çoi në burg. Më degdisi në Itali. Jam i vetmi shqiptar që nga 2014 e pas kam bërë burg pa u hapur procesi, i dënuar në mungesë. Jam në një kalvar gjyqesh. Jemi disa njerëz që jemi persekutuar nga Berisha. Shumë njerëz nga publiku më pyesin ‘si ka mundësi që je gjallë?’. Bodyguardi i Sali Berishës vriste e priste për llogari të tij”, vijoi më tej Laçi.
Por Laçi nuk u ndal me kaq. Ai tha për ‘Frontline’ se prokuroria e kohës e kishte paralajmëruar atë se po rrezikonte jetën, duke i dalë kundër vajzës së Sali Berishës dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij.
Më tej Laçi deklaroi se dispononte biseda telefonike me Shkëlzen Berishën dhe të tjerë njerëz të afërt të tij, të cilët i premtonin 500 mijë euro, me qëllim që ai të hiqte dorë nga kundërshtimi i privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Për Laçin, të shumta kanë qenë edhe kërcënimet nga njerëzit e Berishës. Ai tha se këto kërcënime bëheshin edhe në komisariatet e Policisë, nga ish-bodyguardët e Berishës, Erzen Breçani, Agron Kuliçi, etj.
“Prokuroria e asaj kohe më thanë se vajza e Sali Berishës është rrezik real për jetën tuaj. ‘Paro Laçi, po rrezikon jetën, është vajza e Sali Berishës’, më kanë thënë në prokurori. Unë po të kisha parë interesat e mua nuk kisha shkruar në gazetat e asaj kohe që ‘më kishte premtuar 500 mijë euro dhe s’kam pranuar’. Familja e Sali Berishës më kanë thirrur në komisariat në atë kohë dhe policia më ka bërë presion. Kanë prurë Erzen Breçanin dhe më kanë arrestuar disa herë. Shkëlzen Berisha më ka ofruar 500 mijë euro. Kam biseda telefonike me të”, përfundoi Laçi.
Kujtojmë se Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi janë ende nën hetim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku mbi ta rëndojnë disa akuza të ngritura nga SPAK.
Komente












Zotëri! Ake bo padi në polici për këto dy banditë,kriminela për kërcënimin? Apo në atë kohë ka qënë në pushtet krimineli Berisha dhe padia kalonte nga duart e këtyre banditëve që drejtonin policin e bandave dhe krimit.
Përgjigju