Adoleshentët tanë nuk janë pa shkollë; ata janë në shkollën që kemi bërë ne për ta. Adoleshentët tanë nuk janë të dhunshëm; atyre u mungon vëmendja dhe dashuria jonë, ndërsa u rritën mes nesh. Adoleshentët tanë nuk janë të manipulueshëm nga algoritme të dhunës që kanë mbërthyer rrjetet sociale; ata gjetën diçka më të fortë se indiferenca jonë dhe babëzia e përgjithshme për t’u marrë me gjëra më të rëndësishme se ata!

Ua lamë fëmijët tanë në dorë rrjeteve sociale. I lamë orë e orë të gjata me celularët në tru, vetëm e vetëm që ne të hanim një drekë rehat, të bënim gjërat pa pasur këta “qurravecë” nëpër këmbë dhe ja rezultatet.

Sot u kërkojmë adoleshentëve të mos jenë të ndikuar nga Antifa, nga TikTok, nga dhuna; të mos jenë prekur nga shëndeti mendor dhe skandalizohemi se si një e re i drejtohet polices që e zmbraps.

Po ku ishim dhe ku jemi ne në humnerën e thellë të krijuar tashmë? Do t’i fusim me qindra në burg? Do t’i detyrojmë të paguajnë prindërit që nuk kanë asgjë apo do të pranojmë paaftësinë tonë për të dhënë dashuri pa kushte për jetët që sollëm dhe për përgjegjësinë që kemi për ta?

Përreth ndihen disa shpirtra të ftohur, pa asnjë emocion, pa asnjë përgjegjësi, pa asnjë dëshirë për të vendosur dorën mbi këtë plagë të madhe që është hapur tashmë.

Adoleshentët, të rinjtë tanë, kanë nevojë për një përqafim, për një ngrohtësi njerëzore që nis në familje, që kalon në shkollë, në një kishë apo xhami, në një institucion, teatër, balet... Adoleshentët dhe të rinjtë tanë kanë nevojë për vëmendje, përqafime dhe dorën e shoqërisë mbi këtë plagë, sa nuk është tepër vonë.