Pas shortit të Ligës së Kombeve që u mbajt mbrëmjen e të enjtes në Bruksel, kanë dalë edhe data dhe oraret zyrtare të ndeshjeve në të gjitha ligat (A,B,C,D). Kombëtarja e Shqipërisë bën pjesë në Ligën C dhe në Grupin C1 do ndeshet kundër Finlandës, Bjellorusisë dhe San Marinos.
Kuqezinjtë do e fillojnë aktivitetin më 26 shtator, teksa presin në shtëpi Bjellorusinë në orën 20:45. Stadiumi ende nuk është vendosur, ndërsa 'Air Albania', 'Elbasan Arena' dhe 'Loro Boriçi' janë në kushte për të pritur një ndeshje të tillë.
Pas tre ditësh ekipi ynë do përballet kundër San Marinos në udhëtim, me ndeshjen që është programuar për në orën 20:45. Më 3 tetor tanët luajnë sërish në udhëtim, këtë herë në Finlandë ndeshja nis në orën 15:00.
Më 6 tetor Shqipëria pret San Marinon në orën 20:45, ndërsa rikthehet në fushë më 12 nëntor po në shtëpi, kundër Finlandës në orën 20:45. Sfida e fundit për Ligën e Kombeve do zhvillohet më 15 nëntor në udhëtim, me tanët që luajnë në Bjellorusi në orën 18:00.
Një risi e rëndësishme e këtij edicioni është ndryshimi i kalendarit ndërkombëtar. Për herë të parë, UEFA ka bashkuar dritaret e shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme të zgjatur.
Kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje nga 24 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të luhen në periudhën 12-17 nëntor. Ky format i ri synon të reduktojë ngarkesën e udhëtimeve për lojtarët dhe erdhi pas diskutimeve të gjata me klubet evropiane.
Nëse Shqipëria renditet në vendin e parë të Grupit C1 në Ligën C, atëherë kuqezinjtë do ngjiteshin në Ligën B dhe do merrnin të drejtën për në fazën play-off të Euro 2028, teksa do ishin vetëm dy ndeshje larg nga Evropiani i vitit 2028 që luhet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
Kalendari i plotë i ndeshjeve të Shqipërisë në Ligën e Kombeve:
26 shtator: Shqipëri - Bjellorusi ora 20:45
29 shtator: San Marino - Shqipëri ora 20:45
3 tetor: Finlandë - Shqipëri ora 15:00
6 tetor: Shqipëri - San Marino ora 20:45
12 nëntor: Shqipëri - Finlandë ora 20:45
15 nëntor: Bjellorusi - Shqipëri ora 18:00

Kalendari i Ligës C në Ligën e Kombeve
Komente







