Davutoğlu: Turqia nuk do ta lërë
Kosovën jashtë projektit të TAP

Davutoğlu: Turqia nuk do ta lërë<br />Kosovën jashtë projektit të TAP
ANKARA - Ministri turk i Punëve të Jashtëm, Ahmet Davutoğlu e ka siguruar shefin e diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj se Turqia nuk do ta lë jashtë Republikën e Kosovës nga Projekti Trans Adriatik për transportimin e gazit të Azerbajxhanit në Evropë (TAP).

Ahmet Davutoğlu këtë mbështetje e ka konfirmuar gjatë një takimi që ka zhvilluar në Nju Jork me ministrin Enver Hoxhaj. Dy homologët kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, të cilat janë vlerësuar të shkëlqyera në rrafshin politik, diplomatik dhe në fushat e tjera.

Ministri Hoxhaj ka vlerësuar kontributin, që ka dhënë Turqia për shtetin e Kosovës duke qenë një ndër vendet që vazhdojnë përkrahjen e fuqishme në lobimin për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu, ka vlerësuar lartë progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës.

Ministri Davutoğlu ka shprehur përkrahjen e fuqishme të Turqisë për forcimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me theks të veçantë në përmbylljen e procesit të njohjeve.

“Republika e Kosovës mbetet prioritet i Turqisë në Evropën Juglindore”, ka thënë Davutoğlu, duke vlerësuar rolin e Kosovës në paqen dhe stabilitetin në rajon. Me këtë rast, ministri Davutoğlu ka siguruar ministrin Hoxhaj se Turqia ka përfshirë Republikën e Kosovës në TAP.

Ndërkaq, ministri Hoxhaj edhe njëherë ka theksuar rëndësinë ekonomike dhe gjeopolitike të përfshirjes së Kosovës në projektin TAP.

Sipas tij, me gazsjellësin TAP, Kosova bëhet një pjesë e rëndësishme në hartën energjetike të Ballkanit dhe Evropës, derisa në aspektin gjeopolitik i jep shtytje intensifikimit të marrëdhënieve të Kosovës me vendet e rajonit.

“Përfshirja e Kosovës në TAP do të krijonte të ardhura vjetore të qëndrueshme. Në rrafshin ekonomik do t’i sillte Kosovës diversitet në burimet energjetike dhe padyshim se qytetarët e Kosovës do të kishin çmime më të ulëta të furnizimit me energji nëpërmjet këtij gazi”, ka thënë Hoxhaj.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja