TIRANE- Tashmë është zyrtare, Rudina Hajdari shkarkohet nga posti i kryetares së grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa në vendin e saj është vendosur Myslim Murrizi. Dokumenti që ka siguruar Report Tv mban datën 12 maj. Nga 9 deputetë të grupit, e vetmja që ka munguar ka qenë Fatjona Dhimitri, 7 deputetë votuan pro shkarkimit të Hajdarit. 

E pranishme në mbledhjen që u shoqërua me debate të forta dhe akuza ka qenë edhe vetë Hajdari. Arsyeja e shkarkimit sipas deputetëve është mostransparenca për grupin lidhur me atë që po ndodh në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore. Pra shkarkimi është bërë një ditë përpara se të mblidhej Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore.

Në fjalën e saj në Kuvend, Rudina Hajdari e shmangu duke mos folur për këtë cështje, por u shpreh se nuk bëhet pjesë e pazareve, pasi është vajza e Azem Hajdarit dhe do ta çojë amanetin e tij deri në fund.

Kjo nuk ishte hera e parë, pasi vitin e kaluar Hajdari u tentua që të shkarkohet nga posti, pasi Korab Lita pretendoi se kishte fituar besimin e deputetëve për të drejtuar grupin, por një gjë e tillë nuk ndodhi pas rikonfigurimit të grupit.

Ndërkohë që para 2 ditëve është shkarkuar zyrtarisht. Tashmë nuk dihet nëse Hajdari do të vijojë që të jenë pjesë e tryezës së reformës apo frenat do i marrë vetë në dorë Murrizi.

Dokumenti i shkarkimit të Rudina Hajdarit

Kerkesa drejtuar Kryetarit te Kuvendit mbi ndryshimet