Debati Harris-Trump dhe qytetërimi politiko-mediatik që të gjithë ëndërrojmë!

Debati Harris-Trump dhe qytetërimi politiko-mediatik që të gjithë ëndërrojmë!

Nisja e debatit, Kamala Harris i afrohet Trump dhe i jep doren

Debati, në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv i dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara, është një eksperiencë që nuk duhet humbur 1 herë në katër vjet. Eshtë një leksion demokracie, një guxim përballje, një mësim gazetarie dhe një spektakël jete që tashmë është traditë në vendin ku përpjekjet për respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor janë të pashtershme dhe qëllim në vetvete.

Në orën 3 me orën tonë dhe në orën 21 amerikane, në “sheshbetejën” e ABC news futen në skenë një Donald Trump i ngrysur dhe i ngrirë në mimikë dhe një Kamala Harris që, me sytë që i shkëlqejnë, me buzëqeshjen (që e sulmojnë se është e tepërt në këto kohë) i  afrohet dhe i jep dorën.

Hapja ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit, fillon edhe kështu: Thjeshtë, me një buzëqeshje, me një pranim, me një shtrëngim duarsh pavarësisht se si je, kush je, nga vjen dhe pse e mendon totalisht kundër. Donald Trump, gjithashtu, përfaqëson në pozicionin e tij miliona njerëz që janë njësoj si ai, ashtu, të ngrysyr, të pasaktë, trillues, të ngrirë, të pasur… Ashtu si Kamala Harris, përfaqëson të kundërtën. Debati i mbrëmshëm presidencial nuk ishte gjë tjetër veçse një përballje e më të natyrshmit ligj tokësor, një Yin e Yang, një e bardhë me të zezë, një ditë me natë, një e vërtetë me të pavërtetë. Është një përballje e vjetër aq sa i vjetër është agimi i ndërgjegjes njerëzore mbi Tokë.

E megjithatë, askush nuk duhet të ndjehet i gjykuar apo i lënduar se ndjehet një Donald Trump dhe askush nuk duhet të ndjehet superior apo i autorizuar për admirim se është një Kamala Harris. Jeta mbi Tokë është e themeluar dhe mbahet me të kundërtat dhe këto të kundërta do t’i shohim përherë të luftojnë. Ndryshimin e bën qytetërimi dhe demokracia. Janë këto dy vlera të larta që Europa dhe SHBA-të sot mishërojnë, të cilat përmes ligjeve, rregullave dhe respektimit të tyre bëjnë që lufta e të kundërtave të mos jetë e përgjakshme dhe mizore si në të shkuarën dhe siç vazhdon të jetë ende sot në zona të nxehta të globit tonë.

Debati i mbrëmshëm amerikan, ishte edhe një leksion i vyer gazetarie, pasi tregoi për të disatën herë se moderatorët e debateve politike, ku ndeshen të kundërtat nuk mund të jenë thjeshtë një mikrofon i hapur për çdo gënjeshtër e gënjeshtar. Moderatorët-gazetarë ndërhyjnë për të dhënë fakte se ajo që po deklarohet në atë moment drejtpërdrejtë për telespektatorët, nuk është e vërtetë, pra nuk ka fakte, si në rastin kur Trump deklaroi se “emigrantët po hanë qentë dhe macet e amerikanëve”. Por edhe për këtë, ashtu si dhe për politikën, qytetërimi, demokracia, ligjet janë rregullatorët që si skulptorët më të mirë, na korrigjojnë, na përmirësojnë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rama e deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, është vendimi i duhur?



×

Lajmi i fundit

Do i komunikohet akuza për aferën Partizani, Berisha mbërrin në SPAK

Do i komunikohet akuza për aferën Partizani, Berisha mbërrin në SPAK