TIRANE-Kryeministri Edi Rama është gati për të takuar Lulzim Bashën me qëllim gjetjen e konsensusit për miratimin e Reformës Zgjedhore. Kreu i qeverisë duke iu përgjigjur këmbënguljes së opozitës që solli dështimin e afatit pa gjetur marrëveshjen, u shpreh në pyetjen e drejtuar nga Report Tv se zgjedhjet nuk fitohen me ligjin e reformës zgjedhore apo ndryshimin e sistemit.
Ai tha se PS-ja është e hapur për diskutimet që pritet që të rinisin pasditen e sotme, por shtoi se i vjen keq që për konsensusin po ndërhyjnë sërish ndërkombëtarët, pasi duhet ta kishin mbyllur vetë. Depolitizimi, tha Rama është rekomandim i OSBE-së dhe se për PS-në produkti që është në tryezë i plotëson të gjitha kushtet.
"Sa i përket reformës i kam thënë ato që kam pasur. Është shumë e thjeshtë, ka një sugjerim të kthyer në një kërkesë, që nga Bundestagu është përfshirë në dokumentin e Këshillit për një reformë zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE, që do të votohet në Kuvend.
Mbi këtë bazë gjithcka që nuk është ndonjë shkencë, sepse janë gjëra të shkruara ku më e përsëritura në të gjitha vitet është depolitizimi i administratës, ne jemi të hapur deri në fund për cdo gjë. Për duke qenë se janë përfshirë për të ndihmuar edhe partnerë, nuk dëshiroj që të bëj komente, përpara se të flasin dëshmitarët. Unë kam këndvështrimin tim, por besoj që ajo që na duhet është që të bëjmë sa më pak polemika e lagu s'e lagu dhe të përpiqemi për produktin më të mirë.
Ne mendojmë se produkti është aty i plotëson të gjitha kushtet. Në një proces, të gjitha palët kërkojnë gjithcka, ka palë që mendojnë se me ligjin e reformës fitohen zgjedhjet, por nuk është e vërtetë, fitohen me votën e popullit. Apo ky apo ai sistem, të bëjë mrekullira, është thjeshtë cështje garantimi standardesh.
E kemi dhënë dhe besoj se e kemi bërë detyrë tonë. Nuk dua të merrem me fjalë se ka dëshmitarë. Më vjen keq që në 2020 të ketë akoma ambasadorë për të bërë marrëveshje, negociatë, apo diskutim mbi rregullat e lojës. Unë mendoj që do të duhet ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element edhe për të pasur garanci, nuk e di se cfarë, nuk ka problem, u jam mirënjohës miqve, për të bërë më të mirën për të lehtësuar komunikim, por nuk kam koment sot. Mendoj që ka akoma të tjerë që duhet të flasin.
Nga tamponi te Basha është një rrugë e gjatë. Ne e kemi mbaruar punën tonë dhe besojmë se produkti është aty. Mos më bëni të komentoj sot, se mendoj që më ka ardhur radha për të komentuar unë, përderisa janë përfshirë edhe të tjerë, dhe për t'i respektuar deri në fund, mendoj se do të ma falni një shtyrje për disa orë.
Përsa i takon takimit, në Shqipëri në 2020 nuk është e hijshme për ne, që për cështje të brendshme dhe që lidhen me vendosjen e rregullave të lojës, ku palët janë dy skuadra apo më shumë që do të zhvillojnë një ndeshje, apo një finale, ulen dhe biem dakord, sa është fusha, sa është porta, etj., të bëhet me ambasadorë që hyjnë dhe dalin nëpër dyer.
Megjithatë është për të thënë faleminderit, përderisa ka palë që nuk e bëjnë vetë. Unë kam qenë në opozitë dhe disa herë i kam kërkuar kryeministrit të kohës të uleshim për gjërat që duheshin diskutuar dhe tani kanë ndryshuar pozicionet. Kur isha në opozitë kërkoja të uleshim, tani kërkoj të ulemi...ju e dini historinë.
Gjynah se humbasim kohë dhe energji, lodhim njerëzit. I lëmë hapësirë gënjeshtrave, fantazive në media me informacione të qëllimshme. Do të ishte normale që të uleshim, merreshim apo jo vesh, kjo është gjë tjetër, por nuk jemi ende aty, nuk po vazhdoj" përfundoi Rama.
Pas dështimit për ta mbyllur në 31 maj, Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore do të mblidhet sërish pasditen e sotme në orën 17:00 për të diskutuar për cështjet që i ndajnë palët, kryesorja kushti i opozitës për teknologjinë në zgjedhje, identifikimin biometrik. Ndërkombëtarët u vendosën në lëvizje ditën e djeshme duke i kërkuar Lulzim Bashës që të mos shtojë kushte të reja. Ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë i shkuan në zyrë Lulzim Bashës.