Reshjet e dëborës/ 1.2 m borë në Dibër, probleme në Kukës dhe Korçë, pezullohet mësimi në disa qytete

Reshjet e dëborës të nisura 24 orë më parë vijojnë të dominojnë vendin tonë. Qarqet më të prekura janë Dibra, Kukësi, Korça dhe Shkodra ku raportohet për disa zona të bllokuara. Ministria e Arsimit dhe Sporteve njofton se ka vendosur pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në disa qytete të vendit (Lexo këtu). Më i prekur nga reshjet e dëborës dhe ngricat është Qarku i Dibrës. Zonat rurale mësohet se janë izoluar nga trashësia e dëborës dhe ngricat në rrugë. Ndërsa në zonat e thella dhe ato malore, trashësia e dëborës në Dibër arrin deri në 120 cm. 

Në Shkodër reshjet e borës janë rikthyer mëngjesin e sotëm dhe raportohet për vështirësi në lidhjen mes fshatrave të Bashkisë së Pukës për shkak të bllokimit të rrugëve. Në Bashkinë Pukë dhe Fushë Arrëz është pezulluar mësimi. Kukësi gjithashtu është një prej qarqeve më të prekura ku rezultojnë të bllokuara disa njësi administrave. Trashësia e borës në qytetin e Kukësit arrin 35 cm, në Krumë dhe Tropojë 40 cm. Rruga e Kombit është e kalueshme normalisht ndryshe nga mbrëmjen e kaluar kur u bllokua për shkak të borës dhe ngricave për rreth 4 orë me radhë. 

Reshjet e dëborës kanë rinisur edhe në Qarkun e Korçës të shoqëruara me temperatura të ulëta. Në aksin kryesor Qafë Thanë - Dogana Kapshticë qarkullimi kryhet pa zinxhire. Ndërsa në zonat rurale si Vithkuq, Lekas, Dardhas, Velçan dhe Mokër rrugët janë të bllokuara. Në Devoll problematike ngelet aksi Miras - Arrëz pasi debora ka arritur 70 cm dhe është rrugë e pakalueshme. 

Si pasojë e motit një aksident ka ndodhur në Shkodër, ku një person ka humbur jetën si pasojë e shembjes së strehës së një pike karburanti (LEXO KËTU) dhe një në Kukës, ku dy gra kanë mbetura të plagosura. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:03
Mblidhet shtabi i emergjencës në Kukës, vendoset ndërhyrja për hapjen e rrugëve në katër njësi administrative

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu ka zhvilluar një mbledhje me drejtorët dhe stafin e emergjencave lidhur me problematikat e situates së krijuar prej dëborës. Gjatë mbledhjes u vendos që të ndërhyet për hapjen e rrugëve në njësitë administrative në Shishtavec, Topojan, Zapod dhe Bicaj. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për masat e tjera organizative për shërbimin mjekësor, furnizimin dhe garantimin e ngrohjes në çerdhet e kopshtet dhe konviktin e institucioneve të tjera në vartësi dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm. Gjithashtu kryebashkiaku i bëri thirrje edhe 3 deputetëve të Kukësit që të kenë vëmendje për situatën.

Ora 21:08
FNSH shpëton 24-vjeçarin e bllokuar në stan nga dëbora në Postribë

Një 24 vjeçar që nga ora 10:00 e ditës së sotme ka mbetur i bllokuar në fshatin Ndërmollas të njësisë Postribë. Mursel Sykaj po kthehej drejt stanit të tij ku momentalisht ndodhet bashkë me familjen por ka mbetur në mes të borës e cila aty shkonte deri në 1 m 80 cm. Menjëherë 24 vjeçari ka njoftuar me celularin e tij të afërmit për bllokimin në mes të borës. Familjarët kanë njoftuar Shtabin e Emergjencave Civile. Fillimisht një helikopter është nisur për ta marrë por pas dy tre tentativash helikopteri nuk ka mundur të ulet për shkak të motit të keq. Në këtë mënyrë e vetmja mundësi ka qenë vetëm përmës tokës. Kështu në Prekal kanë mbërritur disa grupe të FNSH dhe dy grupe të efektivëve bashkë me disa banorë të zonës janë nisur në këmbë në orët e pasdites. Pas rreth dy orësh ecje në këmbë në mes të borës është arritur që 24 vjeçari të gjendet. Menjëherë forcat e FNSH e kanë marrë 24 vjeçarin duke bërë që ky i fundit t’i shpëtojë bllokimit.

24-vjeçari i bllokuar nga dëbora në Postribë
Ora 18:14
Moti i keq/ Mblidhet shtabi i emergjencave në Shkodër, drejtori i policisë: Menaxhimi është i keq

Në Shkodër është mbledhur shtabi i emergjencave. Marrë shkasë nga problemet me firmat kontraktuese, problemet energjinë dhe frekuentimin e shkollave, deputeti i PD-së, Lorenc Luka ka kërkuar shpalljen e gjendjes së pjesshme të emergjencës. Në fjalën e tij. prefekti Çesk Millja u shpreh se Bashkitë duhet të marrin masat që kanë për detyrë ligjore duke përdorur fondin e emergjencave. Ndër të tjera ai shtoi se: Të gjitha akset nacionale janë të zhbllokuara. Keni përcaktuar 0.1% për emergjencat që është minimale pasi ligji e parashikon deri në 3 %. Jepini prioritet emergjencave.” Edhe në fjalën e tij, deputeti tjetër i PD-së, Romeo Gurakuqi risolli në vëmendje problemet e zonës.  Ndërsa drejtori i policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati ka lëshuar kritika bashkive dhe firmave kontraktore për pastrimin e rrugëve duke u shprehur se: Nuk duhet të themi është mirë kur nuk është sepse qytetaret na shohin. Menaxhimi është i keq.

Ora 17:38
Shkodër/ Pesha e dëborës shemb strehën e një karburanti, humb jetën një person (EMRI)

Një person ka humbur jetën pasi streha e një karburanti është shembur për shkak të shkak të rëndesës së dëborës.  Bëhet fjalë për Tonin Locin, punonjës tek karburanti, i cili ndodhej në hyrje të qytetit të Shkodrës. Për më shumë detaje (LEXO KËTU)

Ora 17:36
Ortekë dhe dëborë mbi 70 cm, ARRSH jep njoftimin për rrugët problematike në vend

Autoritetit Rrugor Shqiptar ka bërë një njoftim lidhur me gjendjen e akseve kryesore të vendit. Në njoftim thuhet se në rajonin jugor po vazhdohet nga puna për pastrimin e dëborës dhe për shpërndarjen e kripës. Ndërsa në rajonin verior ka pasur reshje bore me intensitet të lartë ku trashësia shkon mesatarisht 30-70 cm duke shkatuar edhe rënie ortekësh. Për shkak të vazhdimit të reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta, akset qarkullohen me zinxhir. Për njoftimin e plotë të ARRSH-së (LEXO KËTU)

Ora 16:23
Kukës/ Makina me targa maqedonase përplaset me trafikndarësen, plagosen dy persona

Një aksident është shënuar në Kukës për shkak të situatës së motit. Për shkak të akullit dhe dëborës, makina me targa maqedonase ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarsën. Si pasojë e përplases dy gra janë plagosur dhe janë transportuar në spitalin e Kukësit. Ende nuk dihet detaje lidhur me gjendjen e dy të aksidentuarave. 

Ora 15:48
Bllokohet aksi Shkodër-Han i Hotit, shkak mospastrimi i dëborës

Bllokohet aksi Shkodër-Han i Hotit, në zonën e njohur si ura e Vrakës. Shkak për bllokimin e aksit është bërë mospastrimi i rrugës nga dëbora. 

Ora 14:01
Reshjet e borës në Elbasan (VIDEO)
Ora 13:57
Situata nga dëbora në rrugët nacionale në Lezhë (VIDEO)
Ora 11:22
Vijojnë reshjet e dëborës/ MAS pezullon përkohësisht mësimin në disa qytete

Për shkak të kushteve atmosferike të rënduara pasi në pjesën më të madhe të territorit vijojnë reshjet e dëborës, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njofton se ka marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në disa qytetet. Nga informacionet e raportuara nga Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore për datën 10 janar 2019, Ministria e Arsimit njofton se në 16 Drejtori dhe Zyra Arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë, Përmet, Kukës, Tropojë, Has, Dibër, Mat, Bulqizë, Korçë, Pogradec, Devoll, Mirditë dhe Malësi e Madhe, është pezulluar procesi mësimor për të gjithë nxënësit. 

Në 6 Drejtori dhe Zyra Arsimore, mësimi është ndërprerë në disa shkolla si: Shkodër në 28 shkolla, Gramsh në 4 shkolla, Vlorë në 2 shkolla, Lezhë në 3 shkolla, Kolonjë në 4 shkolla dhe Delvinë në 1 shkollë. Në Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore: Elbasan, Peqin, Tiranë Qytet, Tiranë Qark, Kavajë, Durrës, Fier, Lushnjë, Krujë, Kuçovë, Berat, Skrapar, Laç, Sarandë, Mallakastër etj, mësimi zhvillohet normalisht ose me orë të reduktuara.

Mësimi do jetë i pezulluar deri në një njoftim të dytë nga Ministria e Arsimit në varësi të kushteve atmosferike që po kalojnë mbi vendin tonë.

Ora 10:55
E bllokuar nga dëbora/ Zjarrfikësit transportojnë në spital vajzën e sëmurë në Gjirokastër (VIDEO)

Reshjet e dendura të dëborës të shoqëruara me bllokime rrugësh kanë penguar edhe ofrimin e shërbimit mjekësor në zonat rurale të vendit. Në Gjirokastër ka qenë një familje e cila ka kërkuar ndihmë pasi një vajzë e mitur kishte shfaqur probleme shëndetësore. Ofrimi i ndihmës shëndetësore me autoambulancë apo transportimi drejt spitalit pamundësoheshin për shkak të bllokimit të rrugës nga dëbora. 

Sipas familjarëve, Vanesa Mele kishte temperaturë të lartë dhe nevojitej dërgimi me urgjencë në spital. Është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës të cilët mbërritën në fshatin Kolonjë dhe transportuan vajzën e mitur në drejtim të spitalit të Gjirokastrës.

Ora 10:37
Reshjet e borës në Kukës, zbardhen rrugët dhe qyteti (VIDEO-FOTO)
Ora 10:36
Borë dhe ngricë/ Autobusi me pasagjerë del nga rruga në Shkodër (FOTO)

Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore dhe temperatura të ulëta ka shkaktuar edhe aksidentet e para rrugore në vendin tonë. Këtë të enjte një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga në aksin Shkodër-Shirokë-Zogaj siç e shikoni edhe në këtë foto. Udhëtarët kanë kaluar momente paniku, por fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar. Mësohet se në mesin e pasagjerë kishte edhe të mitur si dhe të moshuar. 

Autobusi i aksidentuar në rrugën Shkodër-Shirokë
Ora 10:03
Bora mbulon vendin, Rama: Strukturat shtetërore, të angazhuara maksimalisht (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë enjte fotografi ku shihet prania e strukturave shtetërore nëpër akset dhe fshatrat e qytetet më të prekura nga dëbora.

Kreu i ekzekutivit cilëson se strukturat janë angazhuar maksimalisht për të garantuar të gjitha shërbimet dhe sigurinë e jetës së njerëzve, si edhe për të lehtësuar situatën e vështirë të krijuar nga moti i keq. 

"MIRËMËNGJES! Dhe me këto pamje të angazhimit maksimal të të gjithë strukturave shtetërore për të qenë pranë njerëzve dhe lehtësuar situatën e vështirë të krijuar nga rreshjet e dendura të dëborës duke garantuar të gjitha shërbimet dhe sigurinë e jetës, ju uroj një ditë të mbarë", shkruan Rama.

 

Ora 09:56
ARRSH: Akset nacionale të hapura, ja ku nevojiten zinxhirët, përdorni gomat dimërore

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka dhënë informacionin më të fundit lidhur me situatën në akset rrugore kryesore në vend, pas reshjeve të dendura të dëborës dhe ngricave. ARRSH thekson se qarkullimi në akset nacionale bëhet pa zinxhirë, ndërsa në rrugët rurale lëvizja vështirësohet për shkak të trashësisë së dëborës dhe ngricave në rrugë. Gjithashtu, Autoriteti Rrugor rekomandon përdorimin e gomave dimërore (Lexo këtu të plotë).

Ora 09:53
Gjirokastër/ Dëbora i lë vendin shiut, situata drejt normalizimit (FOTO)

Foto më poshtë vijnë nga Gjirokastra ku duket se dëbora ka filluar të shkrijë duke i lënë vendin reshjeve të shiut. Në bashkitë Gjirokastër, Përmet, Memaliaj dhe Tepelenë raportohet për probleme në rrugët e zonave rurale, por situata po shkon drejt normalizimit.

Ora 09:30
Rinisin reshjet e dëborës në Korçë, trashësia arrin në 70 cm, të bllokuara rrugët e disa fshatrave (FOTO)

Reshjet e dëborës kanë rinisur edhe në Qarkun e Korçës të shoqëruara me temperatura të ulëta. Në aksin kryesor Qafë Thanë - Dogana Kapshticë qarkullimi kryhet normalisht pa zinxhire. Të gjitha akset e tjera nacionale janë të hapura dhe kalueshmëria kryhet me zinxhirë. Po punohet për hapjen e rrugëve rurale deri në qendër të Njësive Administrative si Vithkuq, Lekas, Çlirim, Dardhas, Velçan dhe Miras. Në Devoll problematike ngelet aksi Miras - Arrëz pasi debora ka arritur 70 cm dhe është rrugë e pakalueshme. Mungon energjia elektrike në fshatrat Cerravë, Dardhas dhe Petrushë. Ndërkohë në zonën e Gorës dhe Mokrës bora ka arritur 50 cm.

Ora 09:15
Reshjet e dëborës në Qarkun Shkodër/ Vështirësohet qarkullimi e pezullohet mësimi në Pukë e Fushë Arrëz

Si pasojë e reshjeve të dëborës, të cilat vijojnë ende, është vështirësuar situata edhe në Shkodër. Konkretisht është vështirësuar qarkullimi mes fshatrave në Bashkinë Pukë dhe në Fushë Arrëz rezulton se është pezulluar mësimi. Burime pranë bashkisë bëjnë me dije për Report Tv se po punohet për hapjen e rrugëve, pas në këto zona trashësia e dëborës arrin në mbi 30 cm. Policia Rrugore ka kërkuar nga qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa vijojnë patrullime në të gjitha akset rrugore në qytet dhe në rruget rurale.

Ora 09:11
Dëbora izolon Qarkun e Dibrës, trashësia deri në 1.2 m, situata sot (FOTO)

Reshjet e dëborës të nisura 24 orë më parë vijojnë të dominojnë vendin tonë. Zonat rurale të Qarkut të Dibrës si Kalaja e Dodës, Ostreni, Lura, Arrasi Selishta dhe Trebishti janë izoluar nga trashësia e dëborës dhe ngricat në rrugë. Ndërsa rruga nacionale Peshkopi-Tiranë është e kalueshme me zinxhirë. Trashësia e dëborës në Qarkun e Dibrës arrin nga 40 cm në 120 cm në zonat e thella dhe malore. Mësohet se procesi mësimor është ndërprerë në të gjithë Qarkun deri në një urdhër të dytë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja