Ish-deputeti socialist, Spartak Braho, thotë se kryeministri Edi Rama duhej ta kishte shkarkuar Belinda Ballukun nga posti i zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, menjëherë pasi SPAK i komunikoi akuzën për veprën penale “shkelje e barazisë në tenderë” për tunelin e Llogarasë.
“Duhej, duhej ta kishte shkarkuar. E lehtësonte. Duhet kuptuar një gjë. Hiqet imuniteti, s’hiqet imuniteti; merret e pandehur, s’merret e pandehur; ka filluar çështja penale. Dosja në fund do të shkojë në gjyq. Nuk ka perëndi që i bën derman Ballukut. Do vejë në gjyq, do ta shqyrtojë. Vendimin e fundit, me imunitet, pa imunitet, e jep gjykata që do të shqyrtojë çështjen”,- tha Braho në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report Tv.
Ish-deputeti scialist deklaroi që ndryshe nga çfarë thuhet në publik, mazhoranca po ndërhyn në punët e Drejtësisë. Sipas Brahos këtë e vërteton edhe gjuha e përdorur nga kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua raporti i ligjvënësve socialustë në Këshillin e Mandateve, për kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim heqjen e lirisë.
“Ashtu thotë, por ndërhyn në punët e Drejtësisë. Dëgjoje Ramën pardje vije duart në kokë. Vije duart në kokë. Ishte kakofoni. U duk si një student i vitit të parë të Drejtësisë me ato kazuse që përmendi. Biles mori përsipër të komentonte ka fyerje apo s’ka fyerje, ka shpifje apo s’ka shpifje. Ka kërcënuar apo nuk ka kërcënuar. Kazus për të qeshur. Shpjegimi ishte pa kuptim fare, ashtu siç ishte dhe kazusi që përdori. Rama mund të jetë politolog i mirë, piktor i mirë. Por, jurist shumë i keq”,- tha Braho.
Për deputetin Ulsi Manja, i cili lexoi raportin e socialistëve, Braho tha se “është një jeniçer i pushtetit politik. Nuk ka më shërbër të pushtetit politik se sa kur një jurist bëhet jeniçer. Manja të tregojë njëçikë dinjitet. Ta këshillojnë atë se janë afër mos të flasë kodra pas bregut.”
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











