Deklaratë e Kryeministrit Edi Rama pas takimit me Kryetarin e FRD Bamit Topi:

Them se ka hapësirë që të ndërtojmë një urë bashkëpunimi, edhe pse ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky është një rast specifik, pasi bëhet fjalë për një parti të pozicionuar qartazi, jo vetëm në spektrin e djathtë, por edhe në një pozicion opozitar. Sigurisht që, është një pozicion opozitar i moderuar. Madje, unë besoj që normaliteti i këtij vendi do të ishte që takime dhe komunikime etike, në rrafshin e shqetësimeve të përbashkëta, të bëheshin edhe mes partive të mëdha.

Sidoqoftë, ne besojmë se ka hapësirë, pasi këtu bëhet fjalë për zgjedhje vendore dhe eksperiencat e vendeve të tjera flasin qartë që edhe mes partish që janë në pozicione të kundërta me njëra- tjetrën në rrafshin kombëtar ka bashkëpunime në nivelin vendor, në funksion të problematikave specifike që ka qeverisja vendore dhe si një raport më i afërt me qytetarët, kërkon edhe një qasje të ndryshme nga pikëpamja politike dhe nga këndvështrimi i partive.

Në konkluzion do të thosha që, sidoqoftë, ka qenë një bisedë e hapur, një bisedë e drejtpërdrejtë. Nuk kemi mundur të shmangemi nga kundërvendosja që normalisht kemi në rrafshin e politikës së ditës, por kemi mundur të identifikojmë pika të përbashkëta dhe shqetësime të përbashkëta, të cilat kanë të bëjnë, nga njëra anë, me domosdoshmërinë për të ndërtuar një politikë konstruktive në rrafshin e reformave dhe të qasjeve ndaj atyre reformave që kanë të bëjnë me shtetformimin, reforma në drejtësi, apo vetë reforma territoriale, ku FRD ka qenë qysh në krye të herës një zë i arsyeshëm dhe në mbështetje të kësaj reforme. Nga ana tjetër, po ashtu, për të parë se si mund të kemi një bashkëpunim në këto zgjedhje vendore.

Gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim, por sido që të përfundojë, unë besoj se ky është një shembull pozitiv për politikën, për shoqërinë shqiptare, e cila me plot të drejtë pret nga aktorët politikë më shumë arsye dhe më pak zhurmë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër