Deklarata e deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, për përdorimin e gegënishtes në jetën publike u diskutua në mënyrë të thelluar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, ku gjuhëtari Rami Memushaj dhe politologu Alban Daci analizuan çështjen nga dy këndvështrime të ndryshme: njëra që mbron gjuhën standarde si të konsoliduar dhe e detyrueshme, dhe tjetra që kërkon rishikim 'estetik' duke vënë më shumë në pah rolin e gegënishtes.

Alban Daci e vuri theksin tek nevoja për ta rishikuar standardin aktual, duke argumentuar se ai nuk përfaqëson plotësisht realitetin gjuhësor të shqiptarëve.

Rami Memushaj ishte i prerë që në fillim, duke e cilësuar gjithë këtë debat si të tejkaluar. Ai hodhi poshtë idenë se standardi i shqipes është produkt i diktaturës, duke sjellë një argument historik të detajuar. Sipas tij, standardi ka lindur si nevojë praktike tek shqiptarët në ish-Jugosllavi, për të unifikuar tekstet shkollore.

““Kjo deklaratë ka ndezur debat për një problem të mbyllur. Gjuhën standarde nuk e bëri Enver Hoxha, ajo ka nisur në Maqedoni dhe si një projekt i madh kombëtar ka filluar atje, sepse atje lindi problemi si do të botoheshin tekstet mesimore. Para luftës në Jugosllavi, shqipja ishte e ndaluar dhe lindi një diskutim mes intelektualëve të Maqedonisë dhe Kosovës. Kosovarët ishin për variantin kosovar të gegënishtes ndërsa ata të Maqedonisë në gjuhën zyrtare të shtetit shqiptar. Çështja vajti deri tek Komiteti qendror i lidhjes komuniste të jugosllavisë dhe përgjigja ishte që tekstet duhet të jenë në gjuhën e shtetit amë. Që ne muajt e fundit te 1966 nisi të botohej gazeta Flaka e Vllaznimit dhe botohej në toskërisht. Pak më vonë, konsulta e Prishtinës vendosi gjuhën zyrtare të ishte ajo e shtetit amë. Pra gjuhën e bënë shqiptarët jashtë atdheut” tha Memushaj

Në vijim, ai argumentoi se një gjuhë letrare nuk zgjidhet rastësisht, por mbi bazën e variantit më të njësuar dhe më të përpunuar në kohë. Duke iu referuar studimeve të Selman Rizës, Memushaj tha se toskërishtja kishte arritur një nivel më të lartë standardizimi, ndërsa gegnishtja kishte mbetur e ndarë në disa variante.

“Gjuha letrare zgjidhet mes varianteve më të gjatë dhe më të njësuar në kohë.  Ne kemi një botim të mrekullueshëm në vitin 1944 nga Selman Riza, i cili pasi analizoi dialektet arriti në konkluzionin se toskërishtja është njësuar, sepse e ka bërë Noli dhe Konica kurse gegërishtja ka pasur dy dialekte . Gegënishtja duhet të njësohet dhe pastaj politika të vendosë dhe cili variant do të bëht gjuhë letrarë” tha Memushaj.

Nga ana tjetër, Alban Daci solli një qasje më kritike dhe sfiduese ndaj këtij standardi, ndonëse e cilëson shqipen si ‘gjuhën më të bukur në botë’.  Në argumentat e tij, ai e vendosi theksin tek pesha historike dhe reale e gegnishtes në shoqërinë shqiptare. Ai ngriti edhe një argument social: 80%  e shqiptarëve, sipas tij, flasin gegnisht, ndërsa standardi mbështetet kryesisht në toskërisht. Kjo, sipas Dacit, krijon një hendek mes gjuhës zyrtare dhe asaj të përditshme. Daci ndaloi edhe tek çështje konkrete si paskajorja, që sipas tij është “problemi më i madh”, pasi mungesa e saj në standard e bën gjuhën më pak natyrale për një pjesë të folësve.

“Shqiptarët kanë mbijetuar dhe ruajtur identitetin kombëtar falë gjuhës shqipe. Gegënishtja nuk mund të  relativizohet. Gegenishtja është gjuha shqipe e shkruar për herë të parë dhe që ka qenë në fuqi deri në vitin 1972. Ky standard është vendosur në kohën e diktaturës. Ne kemi rrezuar Kushtetuten e Enverit dhe nuk paskemi kurajo të rishikojmë gjuhën shqipe të 72-shit? Për shembull, ja një frazë ”ka kohë që nuk jemi dëgjuar” në gegenisht shte” moti s’jena ni’” . Dialekti bazë i gjuhës standarde është toskërisht. Problemi më i madh është paskajorja që është vendosur në toskërisht. Ne ‘detyrojmë’ shqiptarët e Tuzit të flasin një gjuhë që nuk është e natyrshme për ata. TV-te e Kosoves kanë një variant gegenisht të bërë letrare ndërsa të Maqedonis së Veriut me toskërishten. Sot, nëse kemi një alfabet latin e kemi nga gegënishtja që është shkruar gjithmonë në latinisht. Mbi 80% e popullësisë flet gegënisht. Përse një i huaj e ka më të lehtë të mësojë gegënishten se gjuhën letrare?” tha Daci duke argumentuar ne favor të riparjes së gjuhës shqipe

Megjithatë, Memushaj e relativizoi këtë argument, duke theksuar se paskajorja është në zhdukje edhe në gjuhë të tjera të Ballkanit dhe nuk përbën më një element vendimtar.

“Ke 3 gegenishte, te Kosoves, te Shqipërisë qendrore dhe të Shqipërisë veri perëndimore. Të mos i hyjmë këtij debati. Paskajorja është një kategori që po zhduket. Shume gjuhe te Ballkanit e kanë zhdukur paskajoren. Edhe vete Rexhep Ismaili e pranon që paskajorja është tkurrur. ” tha Memushaj.  

Debati u prek edhe nga aspekti praktik i përdorimit të shqipes. Daci solli shembuj për vështirësitë që hasin disa folës veriorë me standardin, sidomos në shkrim, ndërsa Memushaj këmbënguli se standardi duhet të mbetet i qëndrueshëm dhe funksional për të gjithë.

“Ne kemi disa shkronja që janë të vështira për tu shqiptuar për një verior të paarsimuar siç janë ç, xh, gj, q, zh. Nje verior nëse nuk ka arsim të fortë nuk di ta shkruajë shqipen” tha Daci.

Një tjetër pikë kyçe e të ftuarve në studion e Report TV ishte përdorimi institucional i gjuhës. Memushaj dhe Daci e konsideruan të detyrueshme gjuhën standarde për politikanët dhe zyrtarët, sidomos në Parlament dhe në komunikimet zyrtare.

“Nuk është korrekte që në parlament të mos flitej gjuha letrare . Presidenti nuk mund të bëjë një shkresë në gegënisht. Ne shqetësohemi për një deputete nga Shkodra që do të flasë në dialektin e saj, dhe nuk kritikojmë shumicën e emrëtimeve në jug që nuk janë në shqip por në greqisht. Ne kemi toleruar gjuhe te huaja shume. Ne 2007 po shkoja ne jug dhe dëgjova çobanin që u fliste dhive greqisht. Imagjinoni! Gjuha shqipe nuk ka asnjë problem edhe të qëndrojë kështu siç është, por duhet të jetë më estetike dhe më e thjeshtë për tu shkruar ” tha Daci.

Njëjtë mendon edhe Memushaj i cili e sheh gjuhën letrare të detyrueshme për politikanët.

“Gjuha standarde është e detyrueshme për politikanët dhe zyrtarët e shtetit në mjediset ku ushtrojnë funksionet shtetërore. Koçeku po fyen kolegët duke mos folur në gjuhë letrare. Është një absurditet. Nëse ajo del të mbrojë një ligj, çfarë do të bëjë ajo?” Tha Memushaj

I pyetur nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje nga politika për gjuhën standarde, Memushaj kujtoi edhe përpjekjet e Sali Berishës në vitin 2017 për të kthyer gegënishtjen por projekti dështoi.

 “Sali Berisha vetë ka deklaruar në një televizion të Kosovës ne 2017 se “u përpoqa ta ktheja gegënishten por thirra një gjuhëtar dhe më tha që nuk është e mundur.; Projekti dështoi sepse shkrimi nuk shkon pas të folurës. Toskërishtja është konservatore ndërsa gegënishtja i ka gërryer format e fjalëve dhe kjo nuk është gjuhë e mirë,” përfundoi Memushaj.