TIRANË – Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i cilëson deklaratat e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres dhe zëvendës kryeministres nga GJKKO, si presion ndaj organeve të drejtësisë. Në një deklaratë zyrtare, shoqata tha se janë të shqetësuar dhe indinjuar ndaj qasjes që kryeministri Rama ka zgjedhur të bëjë ndaj kësaj problematike.
Nën petkun e ankesës, tha shoqata, fshihet mesazhi i presionit ndaj organeve që po shqyrtojnë çështjen, duke iu referuar Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të vendosë nëse do ta kalojë për shqyrtimin ankimimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut, si dhe GJKKO, që vendosi pezullimin e saj.
Gjyqtarët theksuan se pavarësia e gjyqësorit mbetet gur themeli për shtetin e së drejtës, por mund të cënohet jo vetëm me veprime konkrete por edhe me deklarata të tilla si të kreut të qeverisë. Këto deklarata, jo vetëm që shihen si kërcënim apo presion, por edhe ulin reputacionin e drejtësisë te publiku. Në fund, shoqata thotë se gjyqtarët i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa përcjell edhe një thirrje për zyrtarët, duke kërkuar që të respektojnë pavarësinë në vendimarrjen e tyre.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili shprehet se Shoqata e Gjyqtarëve gabon nëse pret që ai të mos reagojë në një kohë kur është palë në proces. Rama thotë se funksioni që ai mbulon, me votat e rreth 1 milionë shqiptarëve, është "goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore. "
Po ashtu, thotë se shoqata gabon nëse do të priste që të heshte edhe për kërkesën e tyre për rirritje pagash, që sipas tij, është skandaloze, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit. Kreu i qeverisë thotë me ironi se gjyqtarët nuk kanë reaguar deri më tani për ata që ushtrojnë në të vërtetë presion ndaj tyre, dhe "që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë".
Sipas tij, shoqata e di shumë mirë se nga ai nuk iu hyn asnjë gjemb në këmbë, pasi sipas tij, për 10 vite ai "nuk ka luftuar me ta, por ka luftuar për ta."
"Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.", shkruan Rama.
Kryeministri, në një sërë reagimesh lidhur me këtë çështje, ka argumentuar se nuk po ushtron presion ndaj gjyqësorit, por se komentet i bën pasi është palë në çështje. Kreu i qeverisë nuk e shkarkoi Ballukun nga detyra, e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për disa procedura të tjera tenderuese, por i hoqi të drejtën e firmës pas vendimit të GJKKO. Ai ka thënë se do të presë vendimin e Kushtetueses për ankimin që ka bërë për pezullimin, pasi qeveria argumenton Gjykata e Posaçme ka ndërhyrë në kompetencën e kryeministrit, presidentit dhe Kuvendit. Kalimi ose jo për shqyrtim i ankimimit të qeverisë në Kushtetuese pritet të vendoset më 12 dhjetor. Tre gjyqtarët e kësaj gjykate nuk kishin unanimitet për këtë çështje, dhe kërkesa për shqyrtim i kaloi mbledhjes së gjyqtarëve.
Reagimi i plotë:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.
Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.
Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.

Lajm ne perditesim...

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama pas deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, të cilët shprehën shqetësim për komentet e tij për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Në një postim në rrjetin social X, shefi i qeverisë thotë se gjyqtarët gabojnë nëse mendojnë se ai do të heshtë për problematika të tilla, duke qenë se ai është vetë palë në këtë çështje që ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Ramës, po ashtu, shoqata gabon nëse do të mendonte që ai do të heshte për kërkesën e tyre për rirritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykatë, që e cilëson si skandaloze, duke i rrëmbyer kompetencat për këtë çështje qeverisë dhe parlamentit.
Kreu i qeverisë shprehet se prej tij nuk do të ketë kurrë presion pasi, siç thotë ai, "për 10 vite nuk ka luftuar me ta, por ka luftuar për ta". Me ironi, ai shkruan se shoqata nuk e kupton fjalën presion, teksa shton nuk i ka parë asnjëherë që të reagojnë ndaj "ca të tjerëve që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë".
Reagimi i plote:
Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:
Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta - madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.
Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore. Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.
Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh - po po, 1600 Euro plus pagës aktuale - të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.
Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.
Komente











Bravo Shoqates se Gjyqtareve, qendroni te drejte dhe te paanshem ne cfaredo çeshtje qe keni. Kryeministri eshte dukshem ne hall personal, nuk eshte ne hall shteti!
PërgjigjuKa te drejte km dhe bravo belinda qe po lufton per te drejten e saj. Ajo eshte zonj grua, dhe ai punon edhe mhnd te gaboje, por ka vene shqiperine te paren kjo zonja jo si ato militantet e pd-se qe nuk ben asgje per vendin
PërgjigjuReagimi i juaj si shoqatë tregon qartë mjerimin se në çfarë gjendje gjendet pushteti gjyqësor.
PërgjigjuBravo Engert jepini dërrmën kësaj qeverrie te korruptuar. A e deshte reformën në Drejtësi Ramaduro, ky dashnor i drejtësisë do jetë viktima e asaj qe krijoi vetë dhe për më tepër nga patronazhistët qe i bëri gjyqtarë e prokurorë. Shejtani doli nga shishja dhe nuk mblidhet më. Patronazhistët, këta gjyqtarë e prokurorë te rinj, duke qenë se janë mësuar me rryshfetin si ish punonjës te kesaj adminstrate te korruptuar për te mbrojtur tashmë korrupsionin e tyre në drejtësi(këta te rinjtë thjesht kanë rritur pazaret), do i turren ekzekutivit e duke e etiketuar si delen e zezë të korrupsionit.
PërgjigjuJà filluan kto, Ca si Kan Bo ktij populli dhe kto smund te kritikohen
Përgjigju