Gabimet dhe zullumet e një qeverie janë një arsye e madhe që ajo të bjerë. Por jo e mjaftueshme.

Shqipëria është shembulli më i mirë i kësaj, ku, pavarësisht se mazhoranca është në ditët e saj më të zeza, qëndron e palëkundur për shkak të një opozite përball e cila është treguar e paaftë për të ndryshuar veten dhe për t’u bërë konkurruese.

Duket sikur jemi para një paradoksi, mirëpo kapitali më i madh që ka sot Edi Rama është pikërisht Sali Berisha dhe grupi që ai ka rreth vetes.

Pra, Partia Demokratike që dikur ka synuar të përfaqësojë energjinë e ndryshimit dhe aspiratën për një politikë të re, sot është burgosur në egon e një njeriu të vetëm.

I pashë dje teksa futeshin grup në seancën plenare. Ecnin triumfalisht përpara një vendimi të paracaktuar me shpresën se koha do bëjë punën e vet, Rama do futet në konflikt me ndërkombëtarët dhe ata do të fitojnë besimin e popullit.

Mirëpo, kur dolën pas seance panë se populli mungonte, ngase u ishte mbledhur vetëm një turmë e vogël e cila më shumë se sa kundër Ballukut, kishte ardhur aty për të brohoritur: “O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do!”

Në një rast normal, që një opozitë të vinte në pushtet, asaj do t’i mjaftonin gabimet e qeverisë, një reformim i saj i brendshëm, një mbështetje e madhe ndërkombëtare dhe një koalicion i gjerë me të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë opozitarë.

Përveç pikës së parë, të gjithë të tjerat i mungojnë Partisë Demokratike që drejtohet sot nga Sali Berisha dhe është në mandatin e saj të katërt në opozitë.

Evropianët dhe amerikanët nuk e shohin se partnere, në mënyrë që ta çojnë deri në fund përplasjen e tyre me Edi Ramën dhe mazhorancën socialiste, ndryshimi i brendshëm që ka ndodhur ka qenë për keq dhe jo për mirë, në vend të koalicionit me faktorët e tjerë opozitarë, vijohet me armiq të brendshëm dhe vetëpërjashtime të zërave që artikulojnë mendim ndryshe.

Ky është fatalitet.

Në fund të kësaj ai që përfiton është pushteti dhe ajo që humb është Shqipëria.

Shqipëria, jo opozita.

Sepse ata në të gjitha rastet në pushtet janë.

Nuk janë në atë kryesorin, por edhe atje ku janë mirë janë për veten e tyre. Ndonjë Pazar e bëjnë, ndonjë tender e marrin; po ashtu, edhe ndonjë leje ndërtimi. E ç’duhet më shumë nga jeta?!/TemA