Ditën e sotme, Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar Papa Leone XIV duke e quajtur "të dobët". Nga ana tjetër, Papa Leone XIV tha për Reuters se “s’ka frikë dhe do të vazhdojë të flasë kundër luftës”.

Lidhur me këto zhvillime, ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, i ftuar në emisionin 'Bota Report' me gazetarin Denis Minga në Report Tv është shprehur se Trump ka bërë vazhdimisht deklarata shumë kontradiktore, saqë sipas tij, të jep përshtypjen sikur në krye të Shtëpisë së Bardhë nuk është ai, por dikush tjetër.

“Presidenti i SHBA-së ka bërë kaq shumë deklarata kontradiktore, saqë duket sikur nuk është ai në krye të shtetit, por është dikush tjetër që i thotë se çfarë duhet të thotë. Në këtë këndvështrim, kundërvënia ndaj Papës ka një dimension shumë të rëndësishëm, sidomos në raport me atë që Papa Leone ka deklaruar para 2 javësh, kur tha që ‘Zoti nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë’. Në atë moment sekretari i Luftës i SHBA-së, që pretendon se është një besimtar i thekur, me gjithë ato tatuazhe në trup...”, tha mes të tjerash Bimo.

Bimo deklaroi më tej se kundërvënia e Trump ndaj Papa Leone-s, vjen pasi në ushtrinë amerikane janë rritur dozat fetare.

Ish-ambasadori tregoi gjithashtu se ushtarët amerikane ankohen se komandantët e tyre u thonë se ‘Trump është i piketuar nga Jezu Krishti, për t’i vënë flakën Teheranit që të shërbejë si shenjë për ardhjen e Mesias’.

“Kjo kundërvënie ndaj Papës ka precedentë, pasi nëse e lidhim edhe me lajmin që ka qarkulluar se në SHBA është rritur doza fetare, pra ushtarët ankohen se kanë dëgjuar nga komandantët e tyre të thonë se ‘Trump është i piketuar nga Jezu Krishti, për t’i vënë flakën Teheranit që të shërbejë si shenjë për ardhjen e Mesias’. S’ka sens politik, por ka sens në mobilizimin e njerëzve për luftë”, tha mes të tjerash Bimo.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:49
Replikat në distancë/ Ish-ambasadori shqiptar në Vatikan: Papa Leone XIV lider shpirtëror i 1.3 miliardë njerëzve, Presidenti Trump do tërhiqet nga ‘konflikti’ me të

 

Ish-ambasadori shqiptar në Vatikan, Zef Bushati, ka dënuar deklaratat e Presidentit Donald Trump kundrejt Papa Leone XIV.

Në një lidhe live për emisionin ‘Bota Report’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Bushati tha se Trump i ka krisur marrëdhëniet me shtetet e Europës, gjë që sipas tij, nuk është në favor të SHBA-së.

“Edhe në Bordin e Paqes, Italia nuk mori pjesë. Ata nuk pranuan, duke nxjerrë si argument Kushtetutën. Dhe thanë që ‘ne do të jemi vëzhgues në këtë bord, por nuk do të jemi anëtarë, sepse është Kushtetuta ajo që na pengon’. Pra italianët e dhanë një sinjal. Nuk ishte përshembull se meqë ai kritikoi Papën dhe ata u hodhën për ta mbrojtur figurën e Papës. Jo, marrëdhëniet janë krisur me Anglinë, me Francën, me Gjermaninë, me Italinë dhe shumë vende të tjera europiane”, tha mes të tjerash Bushati.

Më tej Bushati komentoi përgjigjen e Papa Leones XIV ndaj sulmeve të Trump, i cili tha se nuk e kishte frikë administratën e Presidentit të SHBA-së.

Sipas Bushatit, Papa Leone XIV është më ‘i fuqishëm’ se Presidenti Trump, pasi është lideri shpirtëror i rreth 1.3 miliardë njerëzve. Ai shtoi se Donald Trump me siguri që nuk do ta vazhdojë këtë konflikt dhe do të tërhiqet.

“Dhe një gjë e tillë, unë nuk mendoj se Trumpit i intereson. Pavarësisht se ai tani po luan të fortin. Por një lider që kërkon të sundojë botën, gjithmonë ka dështuar. Papa iu kundërpërgjigj sot Trump duke i thënë se ‘unë nuk i trembem administratës tënde’. Kjo tregon se Papa është i fortë, është lider shpirtëror i 1 miliardë e 300 milionë njerëzve. Ai që nuk do ta vazhdojë këtë konflikt dhe që me siguri do të tërhiqet, do të jetë Donald Trump”, tha mes të tjerash Bushati”, deklaroi Bushati.