Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve mbi bazën e parashikimeve Kushtetuese, konkretisht nenit 65 të saj dhe Kodit Zgjedhor në rastin konkret, nenit 9 të tij. As Presidenti vetë nuk ka diskrecion të pakufizuar për këtë çështje, pasi Kushtetuta dhe Kodi parashikojnë kufizimet e caktimit të datës nga Presidenti. 

Nga ana tjetër, në rastin konkret kemi një marrëveshje politike e cila arrihet nga dy forcat politike kryesore nëpërmjet të cilës ato dakordësohen për të caktuar një datë tjetër zgjedhjesh. Në kuptimin formal pa dyshim që ka një përplasje midis Kushtetutës dhe asaj çfarë bëjnë palët në konflikt dhe vetë Presidentit. 

Nga ana tjetër, Kushtetuta jonë dhe asnjë kushtetutë në botë nuk parashikon zgjidhje për situata jonormale, pasi në një shtet të së drejtës palët veprojnë në mirëbesim ndaj njëra-tjetrës dhe ajo që është më e rëndësishme në mirëbesim mbi të gjitha ndaj interesit të përgjithshëm të shoqërisë. Në rastin tonë ishim para një situatë krejtësisht jonormale dhe madje as logjike dhe një situatë e tillë krijohet dhe i shkon për shtat vetëm Shqipërisë dhe forcave politike në Shqipëri. 

Nga ky këndvështrim, Kushtetuta në frymën e saj mbron funksionimin normal të një shteti me sistem qeverisës demokratik të bazuar në pluralizëm dhe në zgjedhje të lira dhe periodike, por nuk mund të parashikoj zgjidhje mbi një situatë p.sh. kur asnjë forcë politike nuk merr pjesë në votim. 

Në këtë rast nuk quhet që dështon Kushtetuta pasi nuk ka zgjidhje, por ka dështuar shoqëria si një e tërë pasi një shoqëri e tillë nuk është e aftë të vetorganizohet dhe as të vetëqeveriset nëpërmjet vendimmarrjes politike. Një gjë e tillë mund të quhet që ka ndodhur edhe në rastin tonë, pasi një palë nuk pranoi të merrte pjesë në zgjedhje nga ana tjetër pala tjetër më pranimin e marrëveshjen pranoi që nuk kishte mundësi të hynte në zgjedhje e vetme. 

Në këto kushte, konsensusi politik nënkupton një konsensus të shoqërisë për të rigjetur ekuilibrin e humbur ose për të rigjetur aftësinë e saj për t’u vetorganizuar dhe vetëqeverisur në mënyrë demokratike. Sigurisht, në rastin e Shqipërisë më duhet të pranoj pa asnjë hezitim që ky konsensus politik nuk përputhjet fare ose në një pjesë të madhe me konsensusin e prezumuar shoqëror pasi forcat përkatëse politike nuk mund të prezumohen dhe as nuk përfaqësojnë praktikisht shumicën e cilësuar të shoqërisë. 

Sidoqoftë, vetë ekuilibri ynë politik tregon dështimin e shoqërisë për të përcaktuar ekuilibra të vërtetë dhe përfaqësues, çfarë legjitimon rrjedhimisht nga pikëpamja filozofike dhe sociale prezumimin që ky konsensus politik përfaqëson jo konsensusin e dy forcave, por të shoqërisë në tërësi. 

Rrjedhimisht, kjo gjë i jep këtij konsensusi vlerën “detyruese” kushtetuese edhe për Presidentin i cili nuk bën asgjë tjetër, por si përfaqësues i Unitetit të Kombit bën të mundur formalisht rigjetjen e ekuilibrave të humbur për të mundësuar një sistem qeverisje nëpërmjet një votimi i cili përfshin të gjitha forcat pa dallim. 

Nga ky këndvështrim nuk mund të quhet që ka një mospërputhje thelbësore midis Kushtetutës dhe vendimit politik për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe as Dekretit të Ri të Presidentit të Republikës, pasi tek e fundit, data e zgjedhjeve caktohet për forcat politike të cilat marrin pjesë në ushtrimin të pushtetit shtetëror nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe periodike. Pra Dekreti mjafton!

Redaksia Online
Al.N/Shqipatrja.com