Dekretimi i Sandër Lleshit, Fleckenstein: Gjenerali figurë pozitive, duam Ministri të Brendshme funksionale

TIRANË- Në një takim me mediat në “Shtëpinë e Europës”, Raportuesi i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein i është përgjigjur pyetjeve të gazetarve lidhur me mosdekretimin e Sandër Lleshit nga ana e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Fleckenstein është shprehur se të gjithë kanë një inters të përbashkët dhe ajo është që Shqipëria të ketë një Ministri të Brendshme tërësisht funksionale.

Të gjithë kemi një interes të përbashkët. Duam që Ministria e Brendshme të jetë tërësisht funksionale. Presidenti Ilir Meta nuk ishte i bindur plotësisht. Nuk e di çfarë arsyesh ka Meta por shpresoj në një zgjidhje sa më të shpejtë.

Knut Fleckenstein, raportuesi i PE-së

Informacionet që kam unë janë të gjitha pozitive. Nga ana tjetër nuk e dimë nëse kemi të gjitha informacionet, sepse presidenti mund të ketë informacione më të thella. Nuk jam unë personi që mund të kritikoj presidentin. Nga organizatat ndërkombëtare di që z.Lleshi pritet mirë, por kjo nuk përjashton informacione të tjera që mund të ketë presidenti.

Knut Fleckenstein, raportuesi i PE-së

Deklarata e Fleckenstein është në sinkron me deklaratat e mëparëshme të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca dhe Ambasadës Amerikane.

Ditën e djeshme, me anë të një statusi në Facebook, Ambasada e SHBA theksoi se një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e luftës kundër krimit dhe drogës, ndërsa Soreca vlerësoi punën e policisë së shtetit duke shtuar se ‘vetëm një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është në gjendje të vazhdojë të luftojë me forcë kundër krimit’. 


Lajmi kryesor:

Rama: I ridërgova presidentit kërkesën për dekretimin e Lleshit, Meta: Lexo Kushtetutën


Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:00
Akuzat për Dakon, Fleckenstein dhe Soreca: I kemi dëgjuar, është detyrë e Prokurorisë të hetojë

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein dhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca në një konferencë për mediat, iu përgjigjen interesit të gazetarëve për akuzat e opozitës në adresë të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Dy zyrtarët e lartë të Brukselit ishin në të njëjtën linjë kur thanë se i kanë dëgjuar akuzat e opozitës për Dakon, ndërsa theksuan se është prokuroria ajo që duhet të hetojë.  

Nuk mund të jemi prokurorët, kemi përgjegjësi të tjera. Për këtë arsye ne kemi besim se zyra e prokurorisë do të hetojë dhe ne i mbështesim në punën e tyre.

Luigi Soreca, ambasador i BE në Tiranë

Kam dëgjuar për këto akuza për kryebashkiakun e Durrësit, dhe them se prokuroria duhet të bëjë punën e vet. S’mund t'u jap të drejtë pa u hetuar këto akuza, pra pa dalë e verteta.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE

Ora 11:11
'Kaçifas', Knut Fleckenstein: S'duhen lejuar nacionalistët që të keqpërdorin situatën

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian gjatë konferencës për shtyp u pyet edhe për ngjarjen e Bularatit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n, mbeti i vrarë Konstandin Kaçifa, 35 vjeç. Eurodeputeti gjerman tha se nuk duhet lejuar që nacionalistët të keqpërdorin këtë situatë, ndërsa theksoi se nevojitet zbardhja e rrethanave të kësaj ngjarje. 

Kam dëgjuar për këtë gjë, mora edhe një letër të gjatë nga disa kolegë nga PE. Gjithçka kam lexuar për këtë cështje është që nuk më jep një panoramë të gjerë se c’ishte e nevojshme apo jo për t’u bërë. Pyetja është ai ishte e nevojshme për ta qëlluar.Ai kishte një kallashnikov në dorë. Por e di që ai ka bërë diçka, por nesë ishte e nevojshme për ta qëlluar apo jo nuk mund ta them. Nuk mendoj se ka nevojë të kemi nacionalistë grekë që të keqpërdorin këtë situatë të trishtë. Nga njëra anë mos lejojmë nacionalistët të përdor këtë situatë, nga ana tjetër të jemi të hapur për ta zgjidhur problemin mes dy vendeve, nëse nuk ka asgjë për të fshehur.

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE

 

Deklarata e eurodeputetit Fleckenstein u bë gjatë një konference për shtyp në Tiranë me ambasadorin e BE, Luigi Soreca. 

Ora 11:07
Fleckenstein kundër bojkotit të opozitës: Beteja bëhet në Kuvend, të ketë dakordësi për Reformën Zgjedhore

Raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Flecknestein ka komentuar nga konferenca për shtyp në Tiranë edhe bojkotin e opozitës. Eurodeputeti gjerman tha se beteja politike bëhet në Kuvend, ndërsa apeloi për dakordësi maxhorancë-opozitë sa i takon Reformës Zgjedhore, kur zgjedhjet vendore po afrojnë. 

Unë personalisht mendoj që beteja kryesore duhet të bëhet brenda parlamentit. Kjo është çështje parimi dhe jo për të thënë se cila ka të drejtë dhe cila jo. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme. Kam përshtypjen ende që dy bashkëkryetarët e komisionit parlamentar po bëjnë më të mirën për të shpëtuar atë reformë për të cilën po punojnë. Iu bëj thirrje partive që të mbështesin punën e bashkëkryetarëve të komisionit ad hoc sepse do ishte një shenjë për BE-në, që në një çështje kaq shumë të rëndësishme, themelore, palët të gjejnë një dakordësi. Jam i lumtur për bashkëkryetarët dhe përpjekjet që po bëjnë për të arritur marrëveshjen. 

Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE

 

/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s