Dekriminalizimi, dhjetëra
këshilltarë humbin mandatin 

Dekriminalizimi, dhjetëra<br />këshilltarë humbin mandatin 
Ka skaduar pasditen e djeshme afati për plotësimin dhe dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, pranë institucioneve përkatëse, në zbatim të ligjit për dekriminalizimin e politikës, Parlamentit, administratës dhe pushtetit vendor.

Në limitet e fundit kohore, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në sportelet e Departamentit të Administratës Publike pati fluks të subjekteve deklaruese, për dorëzimin e formularit. Gjithsesi, pavarësisht thirrjeve, paralajmërimeve dhe rreptësisë së ligjit, shumë funksionarë, sidomos të pushtetit vendor, kanë sfiduar ligjin për dekriminalizimin, duke mos dorëzuar formularin pranë KQZ.

Në mbyllje të afatit të pacaktuar, dhjetëra anëtarë të këshillave bashkiakë, kanë refuzuar plotësimin e formularëve, duke humbur kësisoj mandatin. Në vendimin e Kuvendit nr. 17/2016 për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin e dekriminalizimit, thuhet se nëse subjekti nuk depoziton formularin e vetëdeklarimit brenda afatit, konsiderohet se refuzon propozimin e organit kompetent për kandidim, zgjedhje apo emërim. Ndërkaq, pikën 5 të ligjit, thuhet se refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit ose mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo për mosemërimin nga organi përgjegjës sipas ligjit.

DAP
Nëpunës të shërbimit civil, shërbimit diplomatik, drejtues të niveleve të ndryshme të administratës qendrore dhe vendore, nuk kanë dorëzuar pranë sporteleve të DAP formularët e vetëdeklarimit. Apartamenti i Administratës Publike shtoi numrin e sporteleve si dhe ka zgjati edhe me dy orë afatin, për t’u krijuar një tjetër mundësi nëpunësve që sfiduan ligjin. Në një njoftim të fundit, DAP paralajmëroi subjektet për pasojat. “DAP përsërit ftesën për të gjithë nëpunësit që janë subjekt i ligjit të lartpërmendur që të nxitojnë me dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit, pasi mos plotësimi i kësaj kërkese të ligjit do të çojë në largimin e tyre të menjëhershëm nga detyra”, thuhet në njoftimin e DAP. Megjithatë, në mbyllje të afatit, një numër i konsiderueshëm nëpunësish nuk kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit.

Ministrat dhe deputetët
Sipas burimeve, anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe deputetët, ndonëse në limitet e fundit kohore, kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mbi 40 deputetë nuk u paraqitën deri në limitet e fundit në KQZ, ndërsa disa të tjerë, kanë shpenguar pyetjet e nxehta të formularit, rreth të kaluarës dhe llogaritë e hapura me drejtësinë. Po ashtu, edhe ministrat mësohet se kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit në limitet e fundit kohore. Sipas burimeve, të gjitha kryebashkiakët kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 


Dekriminalizimi, organet do të publikojnë deklaratat 
Procesi i zbatimit të ligjit të dekriminalizimit ka hyrë në fazën më delikate. Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e deklaratave, hapet rruga për verifikimin e tyre. Pikësëpari, çdo formular vetëdeklarimi regjistrohet në regjistër me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet e dokumentohet në rrugë elektronike. Organet përgjegjëse, brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit, bëjnë publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit pranë tyre. Si rregull, në çdo rast, organi përgjegjës për administrimin merr masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet. Ndërkaq, publikimi është i detyrueshëm nëse kërkohet nga një subjekt i interesuar. Po ashtu, brenda 5 ditëve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës evidenton funksionarët publikë që nuk kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit.

Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë rast si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndërkaq, brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi dhe kryen të gjitha veprimet dhe procedurat e parashikuara. Prokuroria e Përgjithshme, nga ana e saj, kryen verifikimet për funksionarët publikë aktualë, sipas të njëjtave rregulla. Brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, organi përgjegjës zbaton procedurat e nevojshme.
 
 
Struktura që kontrollon formularët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ngritur një strukturë të posaçme për regjistrimin, administrimin dhe përpunimin e formularit të vetëdeklarimit, si dhe krijimin e një regjistri të veçantë, ku do të regjistrohet çdo formular vetëdeklarimi i paraqitur nga subjektet deklaruese. Struktura përgjegjëse përbëhet nga Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Drejtori i Drejtorisë Juridike, Drejtori i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit dhe stafi në varësi të këtyre drejtorive. Formulari i vetëdeklarimit regjistrohet në një regjistër të posaçëm, i cili do të ketë një numër unik identifikimi, datën e regjistrimit, gjeneralitetet e funksionarit publik deklarues, funksioni publik që kryen, apo për të cilin do të kandidoj, numrin e fletëve, kontaktet, adresa dhe hapësirën e posaçme për nënshkrimin e subjektit deklarues.
 
Trajtimi i funksionarëve aktualë
Funksionarët publikë detyrohen me ligj të kryejnë vetëdeklarimin dhe ta depozitojnë pranë organit kompetent. Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.


Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Manchester City pësoi katër gola nga Celtic, skuadrës së Guardiolës nuk i ndodhte prej katër vitesh

VIDEO/ Manchester City pësoi katër gola nga Celtic, skuadrës së Guardiolës nuk i ndodhte prej katër vitesh