Dekriminalizimi- Gjata: Procesi të shtrihet te të gjitha organizmat e shtetit



- Në një intervistë për ATSH-në, konstitucionalisti Çlirim Gjata thotë se, duhet parë mundësia për hartimin e një Kushtetutë të re -
TIRANË, 9 Prill/ATSH-Maela Marini/.- Muajt e fundit dhe sidomos ngjarjet e fundit kanë shtruar para opinionit publik, politik dhe institucional konceptin e dekriminalizimit, të pahasur deri më sot.
Në një intervistë për ATSH-në, konstitucionalisti Çlirim Gjata përshëndet nismat e ndërmarra në kuadër të procesit të decentralizimit, ndërsa shton se, përpara se të kërkohet një dekriminalizim i parlamentit, duhet shtruar fuqimisht pyetja se, si u kriminalizua ky parlament.
"Opozita ndodhet në ndërmarrjen e nismave më konkrete, të paktën mediatikisht, duke paraqitur një platformë mbi dekriminalizimin deri në ndërhyrje kushtetuese. Parimisht nuk është se ka patur ndonjë kundërshti të prerë nga mazhoranca në pushtet, me përjashtime të vogla në terminologji", shprehet Gjata.
Duke përshëndetur këto nisma, ai thekson se problemi qëndron se, përpara se të kërkohet një dekriminalizim i parlamentit, duhet shtruar fuqimisht pyetja se, si u kriminalizua ky parlament që u dashka dekriminalizuar. "Në kuptimin e vënies dorë në plagë për ta shëruar atë", shprehet Gjata.
Nëse nuk ndërmerren nisma, qoftë edhe nëpërmjet komisionesh hetimore parlamentare, për ta sqaruar këtë fenomen publikisht deri në rrënjë, sipas Gjatës, "edhe ndërmarrja e opozitës edhe vullneti politik i mazhorancës do të mbeten gjysmake". Vetëm pas kësaj, thekson ai, mund të fillojë procesi i dekriminalizimit i mbështetur shumë seriozisht edhe nga faktori ndërkombëtar.
Ndërkohë, sipas konstitucionalistit Gjata, "ky proces duhet ndarë në dy kohë". Së pari, në atë të pastrimit të parlamentit të sotëm nga elementë të inkriminuar dhe për këtë, sipas Gjatës, nuk mund të priten vendimet e Gjykatës së Lartë, sepse kjo e fundit nuk është për këtë punë.
"Mendoj se duhen krijuar forma ndoshta edhe të sforcuara ligjore përballë një qëllimi të madh siç është dekriminalizimi", shprehet Gjata, duke sjellë si shembull në këtë drejtim komisionet e Senatit amerikan kundër mafies në vitet `50 në SHBA.
Së dyti, Gjata thekson se duhet trajtuar deri edhe konstitucionalisht dhe duhen ndërtuar ligje kontrolli në atë mënyrë që të jetë e pamundur që të ndodhë në të ardhmen. "Në fund të fundit demokraci pa kontroll nuk ka", shprehet ai.
Rëndësi të veçantë merr fakti se, procesi i dekriminalizimit nuk përfundon vetëm në parlament, por duhet të shtrihet në të gjitha organizmat e shtetit, si ato politike, ashtu edhe administrative. "Pra, ligjet e kontrollit që pamundësojnë praninë e të inkriminuarve në organet e pushtetit duhet të jenë të tilla për të vepruar mbi çdo qelizë shtetërore", shton Gjata.
Sa i takon nevojës për ndryshime në Kushtetutë për dekriminalizimin, Gjata shprehet se "nuk mjafton më një arnim i ri i Kushtetutës". Tashmë për një periudhë 14-vjeçare, Kushtetuta jonë është ndryshuar tre herë dhe po përgatitet i katërti në vitin e 17-të të hartimit të saj. Kjo nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht. Ndaj mendoj se duhet parë mundësia për një Kushtetutë të re edhe për shumë problematika të tjera veç dekriminalizimit", shprehet Gjata.
Problemi i fundit është ai nëse, duhen bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor në lidhje me dekriminalizimin sa iu takon zgjedhjeve të 21 qershorit.
Sipas konstitucionalistit Çlirim Gjata, njëkohësisht ish-Kryetar i KQZ-së, për këtë duhet marrë edhe mendimi i KQZ-së, sepse nuk ka kohë për elementë të rinj ligjore në përgatitjen e tyre. "Nuk mund të ecet qorrazi. Politika, sa herë që i teket ndryshon ligjin zgjedhor dhe KQZ duhet ta zbatojë në kushte kohore inextremis. Prandaj duhet pyetur edhe KQZ nëse ka kohë për t'u zbatuar për këto zgjedhje ndryshimet e reja, pastaj të vendoset", shprehet Gjata.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas