Iniciativa e qeverisë për të dekriminalizuar shpifjen dhe fyerjen në Kodin Penal për gazetarët ka qenë në fokus të emisionit ‘Repolitix’ në Report Tv. I ftuar në emision juristi Rezart Kthupi tha se ligji ka probleme.
Ai theksoi se ligji duhet të hartohet mbi baza logjike dhe në përputhje me standardet që mbrojnë lirinë e medias. Juristi sqaroi gjithashtu aspektin procedural të hyrjes në fuqi të Kodit Penal, duke theksuar se ligjet zakonisht hyjnë në fuqi pas një periudhe 6 mujore, për t’i dhënë kohë publikut të njihet me ndryshimet ligjore.
‘Si mund ta përcaktojmë gjykata që një informacion është i pasaktë. Gazetari ka për qëllimin që të informojë publikun. Ka një logjik si hartohet ligji. Ka disa dispozita në atë që quhet organizata e gazetarëve sepse ti po i mbron ata, po me syrin e atyre që sheh ligji. Gjykata civile urdhëron fshirjen e lajmit, dhe nuk ka kuptim që të mbash si dy vepra penale edhe shpifjen edhe fyerjen. Kodi Penal hynë në fuqi pas një periudhe 6 mujore, sepse i lihet kohë publikut që të njihet me ligjet. Por po bëhet një kod që i referohet një normë ligjore që ti sot nuk e ke. Ai parashikon ekzistencën e legjislacionit në të ardhmen dhe nuk mund të parashikojë ligji që bëhet një ligj që mund të vijë në të ardhmen’, tha ai.
Për avokatin Idajet Beqiri problemi i shpifjes dhe fyerjes është problem serioz në Shqipëri veçanërisht në fushën e medias. Sipas Beqirit, edhe nëse fyerja dhe shpifja do të hiqeshin plotësisht nga legjislacioni penal, në praktikë ato do të mbeteshin formale ashtu siç janë edhe sot.
‘E kemi problem shumë shpifjen dhe fyerjen është konsideruar si normë morale. Unë them se duhet që të jetë si kundravajtje penale, pra shpifja dhe fyerja, po këtu diskutohet për fushën e medias, do ta dekriminalizojmë thonë. Ai thotë në momentin e publikimit të një lajmi nuk ke pasur dijeni, dhe i thuhet nga gjykata ke pasur dijeni. Ti e fut në arsyetim të gjykatës dhe problemi është që për veprën penale të parashikuar nga 119 dhe 120 gazetarët nuk janë pjesë e kësaj vepre penale. Edhe gazetarët nuk janë vetëm ata që janë të regjistruar dhe punësuar, edhe unë bëjë shkrime. Ne sikur t’i heqim të dyja edhe fyerjen edhe shpifjen edhe në të ardhmen do të ngelen formale prap, si kanë ngelur edhe sot. Edhe pse në Shqipëri janë të përhapura si shpifja dhe fyerja, për gjykim sot s’ke asnjë çështje’, tha ai.
Gazetari Kujtim Topuzi tha se ka ligji ka mangësi dhe probleme në përcaktim se kush konsiderohet një gazetar.
‘Mangësia është se nuk njeh një autoritet dhe ka probleme në përcaktim se çfarë konsiderohet një gazetar. Për mua ka probleme në zbatim. Ka probleme ligji dhe është i pazbatueshëm’, tha ai.
Avokatja Alesia Balliu ka komentuar ndryshimet në Kodin Penal për parkimin dysh në korsitë e emergjencës që dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit si edhe zjarrvënien e qëllimshme.
Balliu u shpreh kundër ndëshkimeve për parkimin dysh, pasi sipas saj në Tiranë parkimet janë problematik dhe nuk ka vende parkimi. Avokatja mbështeti ashpërsimin e masave për zjarrvënien, pasi sipas saj ashpërsimi mund të parandalojë këtë fenomen.
‘Në pjesën e parkimit dush nuk jam dakord sepse e dimë si është parkimi në Tiranë të gjithë e dimë se nuk gjejmë dot vend për të parkuar. Këtu nuk ke parkime publike, i ke të gjitha parkimet me pagesë. Për zjarrëvënien jam dakord që ashpërsimi e parandalon dikë, pra duhet që të merren masa të ashpra’, tha ajo.
Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Malaj, në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv ka deklaruar se ndryshimet e propozuara në Kodin Penal që po diskutohen në Kuvend, janë hartuar në përputhje të plotë me legjislacionin evropian.
Malaj theksoi se masat e reja, veçanërisht ato që lidhen me parkimin dysh, nuk kanë për qëllim dërgimin e qytetarëve në burg, por për adresimin e problematikës.
‘Çdo gjë që ne kalojmë në votim më para rakordohet, nuk janë nisma që ndërmerren në ajër, por në përafrim me legjislacionin europian. Kemi gjithë dakordësin e Komisionit Europian. Nuk besoj se janë masa të parealizueshme, kur flasim për parkimin dysh nuk është për të çuar njerëzit drejt burgut por për të zgjidhur problematikën. Ka raste kur parkimi dysh ose parkimi që është për ambulanca, për zjarrfikëse mund të kushtojë jetë njerëzish dhe prandaj kemi arritur në këtë përfundim me këtë paketë. Bazën ligjore duhet ta kemi dhe më pas ta realizojmë. Parkimi dysh ndalon ata që parkojnë dysh me orë të tëra dhe bllokojnë trafikun', tha ai.
I pyetur lidhur me numrin e votave të nevojshme për miratimin e ndryshimeve dhe mungesën e konsensusit me opozitën, Malaj pranoi se do të kishte preferuar një dakordësi me opozitën, por nuk u arrit.
Ai shtoi se mazhoranca do të vijojë të çojë përpara nisma që janë në interes të qytetarëve.
‘Dëshira jonë ajo do të ishte, por jo çdo gjë bëhet me zor, nuk është gjetur dakordësia, dhe kjo do të thotë se kemi pasur qëndrime të ndryshme. Ne i kemi votat e nevojshme për të kaluar këtë. Kemi edhe ndonjë aleatë në sallë. Do të kisha dashur që të ishin edhe votat e opozitës, por nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Janë pika në interes të qytetarëve dhe aty ku nuk gjendet dakordësia ne si mazhorancë duam që t’i çojmë para këto nisma’, tha ai.
Komente











