'Dekriminalizimi' në Shqipëri/ Fenomeni që vazhdon të prodhojë debate

'Dekriminalizimi' në Shqipëri/ Fenomeni që vazhdon të prodhojë debate

Rreth 4 vite më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e njohur si ligji i “dekriminalizimit” që kishte si qëllim largimin e funksionarëve publik me të shkuar kriminale nga parlamenti dhe disa institucione shtetërore. Protagonistë të shumicës dhe opozitës vërejnë me shqetësim se ligji është ende i nevojshëm edhe pse kur u hartua u mendua si i përkohshëm, Studjuesit nënvizojnë se partive u mungon vullneti politik dhe rregullat e konkurimeve të ndershme në rradhët e tyre, me qëllim ndalimin e depërtimit të elementëve me të shkuar kriminale në politikë dhe administratë.

Në Shqipëri në fund të vitit 2015 parlamenti nën presionin e fortë të SHBA dhe BE, miratoi Ligjin për Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funskione publike” i njohur si ligji i “dekriminalizimit”. Kjo nisëm erdhi si nevojë e domosdoshme pas zgjedhjes deputetë dhe drejtues në nivel lokal të disa eksponentëve me të shkuar kriminale. Analistët vërejnë, se kjo ndodhi me qëllim maksimalizimin e votave në zona bastione të kundërshtarëve dhe nënvizojnë, se sigurimi i mandateve erdhi përmes metodave jo demokratike të konkurimit, kërcënimeve shantazheve, blerjes së votës dhe formave të tjera negative.

Ligji i dekriminalizimit u mendua se do ishte i përkohshëm kur u miratua, dhe se do prekte vetëm personat që përbënin problem në atë kohë në vendimarrjen kryesore politike në Shqipëri, por sot 4 vite pas miratimit ai vazhdon të jetë i nevojshëm, një dëshmi që sipas kritikëve lidhet me mungesën e vullnetit politik.

“Individët të cilët kanë patur rekorde kriminale kanë axhenda politike, dhe e dinë ku fitohet më shumë, dhe luftojnë për tw kapur poste ku fitimet janë më të mëdha. Është shumë interesante, se si mundet individët që kanë kryer vepra penale në të kaluarën, të kenë kurajo, që të kandidojnë për poste të larta drejtuese dhe si është e mundur, që këta fitojnë dhe janë njerëzit e preferuar të udhëheqësve politikë”, shprehet Afrim Krasniqi politolog.

Deri tani janë larguar si subjekt i ligjit të dekriminalizimit, 4 deputetë 2 të LSI, njw i PD dhe njw Partisw pwr Drejtwsi Intergim dhe Unitet, 3 kanë dhënë dorëheqje si pasojë e presionit të lartë publik, 2 të PS dhe një i Partisë Kristian Demokrate, dhe 57 kandidatë për deputetë u larguan me vendim KQZ në zgjedhjet e 2017-ës. Në nivel lokal u larguan, 1 kryetar bashkie i PS në Kavajë, dhe një po i kësaj partie pak kohë më parë në Shkodër dha dorëheqje, ndërsa dy janë në verifikim nga strukturat përgjegjëse. Subjekt i ligjit ishin dhjetra këshilltarë dhe kandidatë për këshilltarë, mbi 80 zyrtarë bashkiakë si dhe mbi 150 zyrtarë dhe drejtues në institucione të tjera pjesë e ligjit. Por cfarë vihet re sot gati 4 vite nga aplikimi i ligjit.

“Ligji ishte dhe vazhdon të jetë i domosdoshëm. Ai ka shërbyer si një barrierë e mirë” – pohon Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

“Ka sjellë disa efekte në largimin e disa deputetëve dhe kryetarëve të bashkive ndërkohë që ka patur dhe një pastrim të administratës publike”- shprehet Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD.

“Ligji ka parashikuar faza verifikimi intensive, bëhet fjalë për mijra kandidatë, për një periudhë të shkurtër kohe. Është e pamundur qëstruktura e prokuorisë dhe KQZ, dhe strukturat e tjera ta bëjnë këtë gjë, për arsye se i mungojnë mjetet financiare dhe personeli”- argumenton Afrim Krasniqi, Politolog.

“Ka nevojë për ndryshime. E para është përputhshmëria e afateve. Kodi zgjedhor ka afate të ngushta. 70 ditë para zgjedhjeve regjistrohen partitë dhe 50 ditë para zgjedhjeve kandidatët. Në vitin 2019 kishim rreth 10 mijë kandidatë, në 2015-ën kishim rreth 37 mijë kandidatë. Për një numër të tillë kandidatësh ato janë afate të pamundura për t’u zbatuar”- thotë Dëshira Pasko, Drejtore e Drejtorisë juridike në KQZ.

“Si shoqëri civile kemi propozuar disa amendamente pasi ka nene të ligjit të dekriminalizimit që bien në kundërshti dhe krijojnë konflikt, siç kanë krijuar mes Prokurorisë dhe KQZ” –thotë Afrim Krasniqi, politolog.

“Duke filluar nga KQZ, por jo vetëm, Prokuroria e Përgjithshme dhe cdo institucion tjetër e mira do ishte që ne t’i merrnin prej tyre të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet, që ato mund të kenë dhe ta përmirësojmë ligjin”-shprehet Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

Verifikimi i funksionarëve publik ndodh në çdo kohë, edhe pasi ai e ka lënë detyrën, por kur ndaj tij ka një indicie, ose kur ka deklaruar në formulariun e dekriminalizimit të dhëna që ngrenë dyshime për pastërtinë e figurës, KQZ ose institucione të tjera pjesë e ligjit i kërkojnë prokurorisë verfikim të thelluar. Por politologu Afrim Krasniqi mendon se depërtimi i elementëve me të shkuar kriminale në institucione e ka bazën tek rregullat më të cilat funksionon një parti.

“Është interesant fakti që gjithë deputetët kryetarët e bashkive dhe shumica e drejtuesve në qarqe dhe në nivele të tjera drejtuese, që janë larguar për shkak të dekriminalzimit, rezultojnë që nuk janë produkt i strukturave partiake, nuk kanë fituar me garë, nuk janë votuar, nuk ka patur proçes transparent”- argumenton Afrim Krasniqi, Politolog.

“Ne jemi dukë bërë zgjedhjet në partinë socialiste. Në kushtet që kemi për zgjedhjen e organizatave socialiste, të sekretarit apo kryetarit, janë dhe ato që lidhen me ligjin e dekriminalizimit, pra të qënit i padënuar”- shprehet Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

“Ne kemi ngritur me ndryshimet statutore Komisionin e verifikimit të pastërtisë së figurës dhe integritetit të zyrtarëve partiakë dhe në këtë moment janë duke u kaluar në filtër të gjitha kryesitë e rretheve”- pohon Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD.

“Dy partitë kanë krijuar struktura filter, kanë deklaruar që kanë bërë angazhime publike, por koha ka treguar që këto struktura janë fiktive, nuk kanë vemdimarrje dhe nuk kanë një proçes selektimi të brendshëm”- thotë Afrim Krasniqi, Politolog.

Debati sot mbetet i hapur mbi mundësinë që individë me rekorde kriminale kryesisht jasht vendit, nuk i pengon dot as partia dhe as ligji për të kandiduar. A mund të shmangej kjo me verifikimin e kandidatëve nga vetë partitë para kandidimit.

“Ligji parashikon që një kryetar partie jashtë periudhës zgjedhore, pra në cdo moment të vitit, nëse identifikon fjala vjen Gazmend Bardhin për të kandiduar për kryetar bashkie ose deputet, i kërkon atij të plotësojë formularin e vetëdeklarimit në cdo moment, dhe i kërkon prokurorisë të kryejë verifikimin e figurës. Ajo që ka munguar nga pala tjetër ka qenë vullneti politik”- thotë Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD.

“Shikimi që bën PD, i ligjit në fjalë apo i situtatës në fjalë është sipas interesit të vet. Nuk është një shikim objektiv. A kanë të drejtë partitë politike që të kërkpojnë verifikimin e kandidatëve? Po kanë të drejtë. Ligji këtë e thotë shprehimisht, por me pëlqimin e kandidatëve. Por mos harroni. Partitë politike nuk kanë mundësi asnjëra, që të verifikojnë pranë organeve të pavarura, gjykatave dhe prokurorive të kujtdo shteti. Nuk mund të bëjnë ato verifikime. Janë organet vetë që ligji ua ngarkon këtë të drejtë të bëjnë verifikimet dhe të dalin në konkluzione”- shprehet Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

“Ligji u ka dhënë të drejtën dhe partive politike të bëjnë një verifikim paraprak, para se të sjellin kandidatët. Nëse do të ishte bërë një filtër nga partitë politike para depozitimit, volumi i punës mund të ishte më i vogël”- thotë Dëshira Pasko, Drejtore e Drejtorisë juridike në KQZ.

“Partitë kryesore kanë deklaruar disa herë që do bëjnë zgjedhje me një anëtar një votë në strukturat e tyre. Nëse partitë aplikojnë këtë sistem në votimet për kryesi, për këshill kombëtar, për kryetar për asamble kombëtare, i gjithë procesi zgjedhor do filtrohet aq shumë, sa do eliminohej çdo kandidaturë problematike”- pohon Afrim Krasniqi, Politolog.

“Mos mendoni që partitë politike nuk kanë kosto, në momentin kur dalin kandidatë të tillë. Sigurisht që kanë kosto, por është e pamundur. Partitë janë organizime vullnetare njerwzisht. Askush brenda një partie nuk di, nuk ka pse ta dijë, ose nuk ka një mënyrë për ta ditur, se çfarë ke bërë ti para 10 vitesh, para 20 vitesh. Çdo rast që është bërë publik është verifikuar. Kohëzgjatja nuk është në dorë, as të partive politike dhe as të institucionit që bën verifikimin sepse gjithmonë ai lidhet me të dhëna jashtë vendit”- shprehet Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

Por analistët dhe opozita vërejnë me shqetësim dhe të ardhmen e disa individëve në PS, të cilët janë prekur nga procesi i dekriminalizimit. Janë dënuar nga ligji por jo nga partia.

“Kemi patur deputetë të kapur nga rrjeta e dekriminalizimit, janë larguar nga funksioni public dhe janë komanduar drejtues politik në PS në një qark të caktuar”- shpehet Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD.

“Ne nuk mund të ndalojmë këdo që të shprehë vullnetin e tij politik. Sepse pjesa e të qënit i zgjedhur apo të zgjedhësh është pjesë e lirive dhe të drejtave politike. Këtë se bën dot askush. Por funksionarë të lartë që kanë rezultruar se kanë patur problem me ligjin, ne kemi bërë një vijë të qartë ndarjeje dhe jemi prononcuar publikisht për këtë gjë, pas asnjë dyshim”- argumenton Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

“Ju shikoni se pavarësisht problemve, pavarësisht se janë dënuar për trafik droge guxojnë të plotësojnë në mënyrë jo të rregullt dhe të falsifikojnë formularin e dekriminalizimit me besimin apo shpresën se kjo gjë nuk do të zbulohet. Sepse kanë konstatuar në të shkuarën kur raste të tilla janë zbuluar dënimi nga sistemi gjyqësor ka qenë minimal, pra ose më gjobë ose më masa alternative dënimi”- thotë Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i PD.

“Në vetvete shërbimi i provës dhe të tjera janë mënyra të vuajtjes së dënimit. Kjo nuk do të thotë që personi nuk është i dënuar. Ai është i dënuar dhe ai privohet dhe disa të drejta me ato shtërngesa që ne kemi bërë në ligjin e dekriminalizimit dhe në kushtetutën e republikës së Shqipërisë”- pohon Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

Ligji dekriminalizimit përbën një model unik në kontinent, përmes të cilit klasa politike në Shqipëri synon të përjashtojë nga rradhët e saj funksionarët publik të zgjedhur apo emëruar nga vetë ajo. Analistët vërejnë se edhe pse kanë kaluar 4 vite nga miratimi i tij impakti që ai ka dhënë në publik është ende minimal, dhe se kjo lidhet me mungesën e vullnetit politik.

“Nëse nuk do të kishim patur vullnetin për ta bërë këtë projekt nuk do ta diskutonim fare këtë gjë sot. U desh vullneti i qeverisë për të materializuar një ligj si ai dekriminalizimit. Kjo është kështu dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër mbi të”- shprehet Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare.

“Por është paradoksale dhe gati një turp për brezin tonë, që ne i lëmë sot Shqipërisë një kushtetutë ku përmendet fjala dekriminalizim. Nuk e ka asnjë shtet në Europë, është një tregues i degradimit të klasës politike dhe ky është çmimi më i lartë që ne kemi paguar për shkak të kësaj klase politike”- pohon Afrim Krasniqi, politolog./ VOA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri