Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të dielën në mbrëmje, se në kuadër të marrëveshjes së dekriminalizimit, opozita ka gati propozimet dhe amendamentet kushtetuese dhe ligjore, të cilat do t'i bëjë publike duke nisur nga dita e hënë.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Basha tha se "nga nesër do të zyrtarizohen amendamentet e opozitës".
"Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bashkë me aleatët tanë, kanë vendosur që javën e ardhshme, në kuadër të marrëveshjes së dekriminalizimit, të bëjë publike propozimet dhe amendamentet tona, kushtetuese dhe ligjore, për të përjashtuar nga Parlamenti i Shqipërisë dhe nga çdo zyrë tjetër publike, të zgjedhur apo të emëruar, personat me rekorde të tmerrshme kriminale të natyrës së krimit të organizuar", tha Basha.
Ppas një pune voluminoze nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike dhe të vendit, vijoi Basha, ne jemi gati të ecim me platformën tonë të dekriminalizimit dhe në këtë kuadër, bashkë me qytetarët shqiptarë, kërkojmë angazhimin e plotë të deputetëve të shumicës, bashkëpunimin e tyre në kuadër të marrëveshjes, qoftë kjo edhe kundër urdhrave politik të krerëve të tyre.
Basha tha se, opozita kërkon dekriminalizimin e plotë të Parlamentit dhe të institucioneve të tjera publike përmes amendamenteve ligjore brenda kohës më të shkurtër të mundshme të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit, ose përballjen me qytetarët shqiptarë në sheshet e protestës popullore.
"Duke filluar nga dita e nesërme, opozita do të hedhë hapat për të institucionalizuar amendamentet tona për përjashtimin nga Kuvendi i Shqipërisë, nga të gjitha institucionet publike, të personave me rekorde të tmerrshme kriminale të krimit të organizuar", tha Basha.
Ai u shpreh se, do të kërkohet gjithashtu edhe shqyrtimi i amendamenteve për uljen e çmimit të energjisë dhe të naftës. "Nuk bëjmë kompromis me këto dy çështje, në të kundërt përballja finale me qytetarët në sheshin e protestës popullore", tha Basha.
"Opozita do të kërkojë brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe shqyrtimin pa vonesë të dy amendamenteve tona të 20 janarit, për uljen e çmimit të energjisë dhe uljen e çmimit të karburantit përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike dhe eliminimin e taksës, që Edi Rama shtoi këto dy vite mbi karburantet", tha Basha./atsh/