Të gjithë prisnim një lajm të mirë në mes të marsit për Sali Berishën nga SHBA. U bënë disa paralajmërime. Këlliçi tha që në mes të marsit do ikë në SHBA. Të tjerë thanë që nuk do ikë, por vetëm do t’i heqin “non grata”. Sot erdhi vërtet një lajm i rëndësishëm, nuk na zhgënjyen!
Qeveria e SHBA-së ka publikuar sot raportin mbi pastrimin e parave në botë dhe ka lavdëruar organet e drejtësisë në Shqipëri, posaçërisht SPAK-un, mbi fillimin e procesit penal ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij për pastrim parash, duke theksuar se zoti Berisha është i sanksionuar nga SHBA për korrupsion madhor dhe përfitim nga pushteti i familjarëve të tij.
Në raport thuhet: Në shtator 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe personin e shpallur të papërshtatshëm sipas nenit 7031(c) të Aktit të Aprovimeve për Operacionet e Jashtme të Departamentit të Shtetit për vitin 2021, Sali Berisha, për korrupsion për veprime zyrtare që përfitonin interesat e familjes së tij. SPAK akuzoi gjithashtu dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe pjesën e dhëndrit në kompani të lidhura me korrupsionin.

Raporti pasqyron punën e gjithë qeverive në botë në luftën me pastrimin e parave dhe luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe është një praktikë e gjatë pune e Departamentit të Shtetit.
Natyrisht, ky nuk është ndonjë zhvillim i jashtëzakonshëm, por ama tregon se Sali Berisha nuk e ka aq të lehtë të zhbëjë dosjen e tij të zezë në Uashington.
Lajmi i vetëm që erdhi në mes të marsit për të, është pikërisht konfirmimi që ai është person “non grata” dhe përgëzimi për drejtësinë që ka nisur proces penal ndaj tij.
Nuk di nëse LaCivita mund t’i bëjë ndonjë magji Sekretarit Rubio dhe ta fshijë këtë paragraf deri më 11 maj, por tani është bërë dëmi, sepse është publikuar. Duket që LaCivita nuk është aq vigjilent sa duhet. Përveç vizitës së tij në Shqipëri dhe rekomandimit që paska dhënë për të bërë koalicion me Gjuzin, deri tani nuk ka ndonjë arritje tjetër të spikatur.
Dhe problemi është se Berisha e ka zakon që i paguan këshilltarët jo që ta këshillojnë, por që t’i këshillojë. Kjo u duk në udhëtimin e LaCivitës në Shqipëri, ku ai lexoi një deklaratë që i dha Berisha dhe nuk i rekomandoi Berishës ndonjë deklaratë të tij.
Tani ky konfirmim nga Departamenti i Shtetit që Berisha është “non grata” dhe lavdërimi për drejtësinë që ka nisur proces penal ndaj tij, nuk është ndonjë gjë e re për shqiptarët, por është një tallje e madhe me demokratët nga Berisha, që ua paraqiti “magjistarin” e tij si çudibërës që do ta rehabilitonte atë në SHBA para se të humbiste zgjedhjet në maj.
Tani ose i kanë bërë magji LaCivitës dhe nuk e ka pasur mendjen në punë, ose ai nuk e di fare që është “magjistar” i Berishës në Uashington.
K.M/SI.E./Shqiptarja.comKomente

