Ka një debat të gjërë në botë sot për lindjen e liderëve autoritarë dhe shtimin përditë e më shumë të tyre në horizontin e afërt e të largët që arrijmë të imagjinojmë. Jetojmë në kohët e shënjuara nga një tension i vazhdueshëm mes shpejtësisë dhe reflektimit, mes dëshirave të përgjigjeve të menjëhershme dhe nevojës për vendimmarrje të peshuara. Teknologjia, globalizimi dhe informacioni i vazhdueshëm kanë krijuar një mentalitet të ri: Gjithçka dhe shpejt! Jetojmë në kohët ku ngadalësia perceptohet si dobësi. Pikërisht në këtë skenar të ri demokracia me rregullat e saj, me kohët e saj të gjata dhe kompleksitetin e preceseve për vendimmarrje, duket sikur ecën “me karrocë”.
Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botën demokratike siç e kemi njohur deri më sot, shohim që ministra e politikanë nuk japin më llogari. Nuk sqarojnë, nuk tregojnë, nuk kalojnë nëpër rregullat e transparencës. Kapërcejnë procedurat demokratike: në një vend zgjedhjet, në një tjetër median dhe pluralizmin... Procedura që janë garanci për lirinë, por nga ana tjetër dhe pengesa për shpejtësinë. Si mund të arsyetohet kur bota sot matet me sekonda dhe me klikime dhe ku demokracia sa vjen e duket si një mal pengese e së shkuarës? Tepër e ngadaltë për t’iu përgjigjur krizave ekonomike, emergjencave të migracionit, luftërave apo pandemive. Po kalojmë çdo gjë si në një ëndërr duke harruar se pikërisht ngadalësia e demokracisë është çmimi dhe shenja se ekziston liria. Për të vendosur gjërat bashkë, pushtet, opozitë, media, drejtësi, shoqëri civile kërkon kohë dhe durim, sidomos dëgjim, sepse të dëgjosh është më e vështirë se të imponohesh.
Duket sikur disa autokratë që po lindin si kërpudhat pas shiut kudo në botë, dolën nga asgjëja, pa kuptuar padurimin kolektiv që na ka përfshirë të vegjël e të mëdhenj, të pasur e të varfër; kemi krijuar bashkë humusin perfekt për “njeriun e fortë”, për autokratin që “vendos dhe vepron” pa pengesa, duke bërë që demokracia të lëkundet jo për ndonjë komplot kushedi se çfarë, por thjeshtë për padurimin dhe lodhjen tonë për të pritur zgjidhje të problemeve. Ata që vendosin dhe zgjidhin për ne duket se qenkëshin ëndrrat ku njerëzimi bie periodikisht pa kuptuar.
Kush sot alarmohet për demokracinë, kush deklaron se nuk ekziston më, e ekzagjeron, por nuk gabon plotësisht, pasi, edhe pse nuk jemi akoma drejt fundit të saj, padyshim po përjetojmë lodhjen e një ekzistence mes një bote që s’pret më, që nuk ka durim për asgjë dhe rregullave që na mbajnë në harmoni e në këmbë.
Komente











