Ajo që ndodhi sot tregon më qartë se kurrë mjerimin që është ulur këmbëkryq në Partinë Demokratike të Sali Berishës. Vjen një moment kur opozita pushon së qeni alternativë dhe shndërrohet në karikaturë të vetvetes; kur nuk është më zëri i qytetarëve, por një teatër i dobët për kamera. Pikërisht këtë po shohim sot nga PD-ja: një shfaqje të shëmtuar, të rreme dhe thellësisht fyese për demokratët që ende besojnë se kjo është e djathta që mund të mundë Edi Ramën.

Të njëjtët njerëz që firmosën me dorën e tyre Avokatin e Popullit, sot dalin dhe bëjnë sikur janë të indinjuar, të nevrikosur, të tradhtuar. Po nga kush? Nga vetja e tyre? Nga firma që hodhën dje dhe që sot bëjnë sikur nuk e mbajnë mend? Ky nuk është opozitarizëm. Kjo është hipokrizi politike në formën më të ulët.

Askush nuk flet për thelbin: si mund t’i jepet institucioni i Avokatit të Popullit një partie që udhëhiqet nga një lider i shpallur non grata? Si mund të pretendosh se mbron shtetin e së drejtës, kur në krye të opozitës mban peng gjithë opozitën për hallin tënd personal?

Kur Edi Rama nuk është në sallë, ndizen flakadanët, shtyhen me Gardën, bërtasin dhe prodhojnë zhurmë. Por kur pushteti është realisht përballë, heshtin. Ky është rebelim pa rrezik, trimëri pa kosto, luftë për kamera dhe jo për qytetarët. Një teatër i lodhur, me aktorë të njëjtë dhe një skenar të konsumuar deri në neveri.

Kjo nuk është betejë politike. Kjo është tallje me demokratët. Tallje me ata që i votuan me shpresën se këta do ta mundnin Ramën. Tallje me ata që i mbrojtën, i besuan dhe i justifikuan për vite me radhë. Ndërkohë që baza ushqehet me fjalë të mëdha, në prapaskenë bëhen pazare: për imunitete, për halle personale, për mbijetesë politike.

Në qendër të gjithë kësaj farse qëndron Sali Berisha. Jo si lider i një opozite që lufton pushtetin, por si një njeri që po e përdor opozitën si mburojë për veten. Demokratët nuk janë më subjekt politik; janë kthyer në monedhë shkëmbimi. Po shiten, po përdoren, po konsumohen për hallet personale të një njeriu dhe të një rrethi të ngushtë rreth tij.

Opozita sot nuk po lufton Edi Ramën, përkundrazi, po i shërben atij, duke u diskredituar çdo ditë e më shumë në sytë e publikut. Ngjarjet politike e kanë treguar qartë: pushteti nuk ka frikë nga një opozitë që bërtet kur ai mungon dhe hesht kur ai është aty.

Demokratë, problemi nuk është se nuk keni pushtet. Problemi është se nuk keni më opozitë. Nuk keni më një PD që mbron interesat tuaja. Ajo që keni sot është një shfaqje e mjerë, ku ju përdoren si spektatorë të detyruar, ndërsa vendimet merren pa ju dhe kundër jush.

Kjo është tradhtia më e madhe: jo humbja e zgjedhjeve, por shitja e besimit tuaj.