Demokratët dhe republikanët kritikojnë Donald Trump pas thirrjeve të tij për shfuqizim të pjesëve të Kushtetutës

Demokratët dhe republikanët kritikojnë Donald Trump pas thirrjeve të tij për shfuqizim të pjesëve të Kushtetutës

Donald Trump, ish president i SHBA-ve

Zyrtarë demokratë dhe republikanë kritikuan të dielën ish-Presidentin Donald Trump pasi bëri thirrje për "shfuqizimin” e pjesëve të Kushtetutës në lidhje me pretendimin e tij se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar.

Zoti Trump, i cili njoftoi muajin e kaluar se do të kandidojë sërish për president, e shprehu qëndrimin e tij gjatë fundjavës në platformën e tij të medias sociale “Truth Social”.

"Një mashtrim masiv i këtyre përmasash justifikon shfuqizimin e të gjitha rregullave, rregulloreve dhe neneve, madje edhe atyre që gjenden në Kushtetutë," shkruante ai. “‘Themeluesit’ e mëdhenj të kombit nuk donin dhe nuk do të falnin zgjedhje të rreme dhe të manipuluara!"

Udhëheqësi i ardhshëm demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Hakeem Jeffries të dielën e cilësoi deklaratën e ish-presidentit Trump si të çuditshme dhe të skajshme dhe tha se republikanëve do t’u duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të përqafojnë pikëpamjet antidemokratike të tij.

"Republikanët duhet të zgjidhin çështjet e lidhura me ish-presidentin dhe të vendosin nëse do të shkëputen prej tij dhe do t’i kthehen logjikës, apo do të vazhdojnë të anojnë nga ekstremizmi,” tha ai.

Ish-presidenti Trump, mandati i të cilit u mbyll me sulmin e dhunshëm të përkrahësve tij ndaj Kapitolit në një përpjekje për të ndalur frenuar tranzicionin paqësor të pushtetit më 6 janar 2021, përballet me një përshkallëzim të hetimeve penale, disa prej të cilave mund të çojnë në aktakuza. Ato përfshijnë hetimin për dokumentet e klasifikuara të sekuestruara nga FBI nga Mar-a-Lago, dhe hetime të vazhdueshme shtetërore dhe federale në lidhje me përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

I pyetur në lidhje me komentet e zotit Trump të dielën, Mike Turner, republikani më i lartë në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ai "i kundërshton me forcë” dhe "absolutisht" i dënon komentet, duke shtuar se republikanët duhet t’i kenë ato parasysh kur të vendosin se kush duhet ta drejtojë partinë e tyre në 2024.

"Ka një proces politik që zhvillohet për të përcaktuar se cili duhet të jetë kandidati kryesor i partisë", tha ai. "Unë besoj se republikanët me siguri do ta konsiderojnë një deklaratë të tillë ndërsa vlerësojnë kandidatët."

Komentet e zotit Trump vijnë pasi pronari i ri i rrjetit Twitter, Elon Musk, tha se do të nxirrte të dhëna që tregonin se si Twitter u angazhua në "shtypjen e fjalës së lirë" para zgjedhjeve të vitit 2020.

Por informacionet e publikuara të premten, të përqendruara tek reagimi i paqartë i kompanisë së teknologjisë ndaj lajmeve për të birin e presidentit Biden, Hunter, nuk tregojnë se demokratët u përpoqën t’i pengojnë ato lajme.

Shtëpia e Bardhë reagoi të shtunën ndaj deklaratave të ish-presidentit Trump duke thënë: "Nuk mund ta duash Amerikën vetëm kur fiton."

"Kushtetuta amerikane është një dokument i shenjtë që për më shumë se 200 vjet ka garantuar që liria dhe sundimi i ligjit të mbizotërojnë në vendin tonë të madh," tha zëdhënësi Andrew Bates në një deklaratë. "Sulmi ndaj Kushtetutës dhe gjithçka që ajo përfaqëson është një sulm ndaj thelbit të kombit tonë." VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Dosja e zyrtarit të FBI, kush ka të drejtë në akuzat politike në Tiranë?



×

Lajmi i fundit

Dashuria për ngjyrat, Pep Guardiola: Nëse Barça do më kërkonte, do shkoja

Dashuria për ngjyrat, Pep Guardiola: Nëse Barça do më kërkonte, do shkoja