Grupi politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE) ka shprehur shqetësim për kohëzgjatjen e qëndrimit në paraburgim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ‘Demokratët Europianë’ theksojnë se Veliaj qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit 2025 dhe akuzat zyrtare iu komunikuan vetëm në korrik të të njëjtit vit, pas 163 ditësh në paraburgim.
Ata kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare respektimin e shtetit të së drejtës, prezumimit të pafajësisë dhe parimit të proporcionalitetit, në procesin ndaj Veliajt.
‘Demokratët Europianë’ për vendimin e Gjykatës Kushtetuese (e cila ia riktheu Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës së masës së Veliajt me argumentin se duhet të arsyetohet përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër, përveç arrestit në burg) shprehen se vuri në pikëpyetje proporcionalitetin e masës së sigurisë, në raport me mandatin e tij si kryetar i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës.
EDP/PDE e vendos çështjen në një kontekst më të gjerë, duke shprehur shqetësim për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Forumi thekson se do të vazhdojë ta mbajë çështjen nën vëmendje, duke argumentuar se Shqipëria meriton një të ardhme evropiane, demokratike dhe transparente.
Reagimi i plotë i Grupit Politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE):
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 — gati një vit e gjysmë. Akuzat zyrtare iu komunikuan vetëm në korrik 2025, pas 163 ditësh në paraburgim.
Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe urdhëroi një rishqyrtim të ri të masës së paraburgimit ndaj tij, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e saj në raport me mandatin e tij si kryetar i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës.
Ne i bashkohemi atyre që u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Kjo çështje vjen në një sfond thellësisht shqetësues për demokracinë shqiptare.
Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë çështje në vëmendje, sepse Shqipëria meriton një të ardhme evropiane — një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort në luftën kundër korrupsionit, duke garantuar njëkohësisht që drejtësia të ushtrohet gjithmonë me paanshmëri, pavarësi dhe respekt për të drejtat themelore.












Komente
Komento