Ka një paradoks që vetëm burokracia moderne e llojit “Rregullorja Bani” mund ta prodhojë, me aq seriozitet sa ta shesë si mençuri. Pretendohet se Drejtësia fiton besueshmëri pikërisht duke u bërë më pak e dukshme. Me fjalë të tjera, transparenca na qenka arti i mbylljes së perdeve.

Në fund të fundit, nëse gjykimi i Metës, Veliajt, Berishës etj, janë vërtetë “gjyqe historike”, atëherë mos ua lini historinë vetëm atyre që mbajnë çekiçin. Jepini edhe kamerës vendin që i takon në sallë. Ajo, ndryshe nga shumë dëshmitarë të tjerë, nuk ka ambicie të bëhet personazh i historisë. Kamera mjaftohet me detyrën më të vështirë, ta tregojë procesin gjyqësor në origjinal.

Dhe nëse jeni kaq të bindur se provat janë të pakundërshtueshme, atëherë kamera do të jetë aleatja juaj më besnike. Ajo vetëm regjistron.

Ndoshta këtu qëndron edhe komedia më e madhe. Parlamenti, ONM-ja ndërkombëtare dhe Institucioni i Drejtësisë, shpenzuan 10 vite për të arritur finishin, besimin e qytetarëve dhe, sapo u jepet mundësia më e mirë për ta finalizuar atë, zgjedhin ta mbyllin derën.

Në thelb, argumenti që paraqesin është i thjeshtë: qytetari duhet të besojë atë që nukjohet të shikoj. Është një logjikë që do të dështonte në çdo fushë tjetër të jetës njerëzore, por që, çuditërisht, vazhdon të gjejë strehë në një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit. “Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por duhet të shihet qartë se po bëhet”, është fraza më e rëndësishme në historinë e së drejtës. Të Reformuarit tanë të drejtësisë, na thonë se kamerat nuk do lejohen në sallën e gjyqit në emër të “ruajtjes së integritetit të procesit”. Po nga kush cenohet integriteti i procesit?

Nga qytetari? Nga publiku? Nga kamera? Nga drita? Kush tjetër?

Sepse mënyra si trajtohet ndonjëherë një proçes gjyqësor “VIP” të krijon përshtypjen se nuk kemi të bëjmë me një sallë gjyqi, por me një dhomë komandimi të një arsenali bërthamor. Sikur brënda sallës të ruhen kode sekrete për nisjen e raketave, jo fakte, dëshmi dhe argumente që duhet t'i nënshtrohen besimit publik.

Një kamerë hyn në sallë dhe papritur atmosfera bëhet sikur ka hyrë një agjent i huaj me një valixhe me sekrete shtetërore. Harrohet se ajo nuk ka mikrofon diplomatik, nuk ka uniformë, nuk ka axhendë. Ka vetëm një sy qelqi që sheh dhe kujton. Në shekullin XXI, njerëzimi ka vendosur kamera në Mars. Sot teknologjia ka arritur në një pikë ku njerëzimi mund të shohë me sy të lirë edhe gjëra që dikur i përkisnin fantazisë; mund të ndjekim riparimin e një anijeje në hapësirë, të shohim robotë miliona kilometra larg duke mbledhur gurë në planete të tjera dhe të kemi transmetime pothuajse të drejtpërdrejta nga skaje të universit.

Por në tokë, në një sallë gjyqi në kryeqytet, një kamera apo një telefon bëhet papritur një kërcënim kozmiksikur të ishte formula e fundit e armës bërthamore., . ;

Dhe nëse për të ruajtur "integritetin e procesit" duhet të fikim dritën, të mbyllim derën dhe të largojmë kamerën, atëherë pyetja bëhet e pashmangshme: a po ruajmë vërtet integritetin e procesit, apo thjesht po ruajmë procesin nga sytë e atyre për të cilët ai proces ekziston?

George Orŵell e kuptoi se kontrolli mbi informacionin është forma më elegante e pushtetit. Në kohën e tij digjeshin libra dhe fshiheshin arkiva. Sot nuk është më e nevojshme të zhdukësh dokumentet. Mjafton të kufizosh ose të bllokosh pamjen. Kamera në sallën e gjyqit është e bezdisshme. Mbrojtësit e ndalimit thonë se kamerat ndikojnë në “sjelljen e gjyqtarëve”. Le ta marrim seriozisht këtë argument. Nëse sjellja e një gjyqtari varet nga fakti nëse po e sheh publiku apo jo, atëherë problemi nuk është kamera. Kamera vetëm zbulon se sa e hollë është shtresa e profesionalizmit dhe sesa i ngushtë është mendimi i atyre që duhet të japin drejtësi. Pikërisht ky është alarmi, standardi profesional.

Sipas kësaj logjike, një kompani ajrore mund të deklarojë se kutia e zezë e avionit nuk do lejohet të regjistrojë më, asgjë, sepse regjistrimi ndryshon sjelljen e pilotëve si pasojë e presionit psikologjik mbi ta. Ose se sjellja e nje kirurgu influencohet gjatë operacionit për arsye se proçesi operator po transmetohet në një konferencë mjekësore. Kamera në sallë është zgjatimi i syrit të qytetarit.

Në epokën kur një qytetar mund të ndjekë drejtpërdrejt nisjen e një rakete drejt Marsit, operacione të ndërlikuara në zemër apo seanca parlamentare në anën tjetër të botës, ne ende debatojmë nëse publiku duhet të ketë mundësi të shohë ose jo një proces gjyqësor me interes të jashtëzakonshëm publik.

Nëse procesi do të tregojë se akuza është e bazuar, atëherë transmetimi nuk do të dëmtonte institucionin. Përkundrazi. Do ta kthente në shembull. Besimi fitohet kur qytetarët kanë mundësinë të thonë: “E pashë vetë”. Njeriu është e vetmja krijesë që mund të buzëqeshë si engjëll dhe të veprojë si djall. Por se cili flet ose shfaqet më fort, engjëlli apo djalli, këtë e vendosin interesat. Këtu te interesat konstatohet një heshtje që flet më shumë se mijëra konferenca shtypi. Është ajo heshtje që bie rëndë sa herë lind pyetja: si është e mundur që, kur SPAK nuk lejon praninë e kamerave televizive në sallën e gjyqit, institucionet e Bashkimit Evropian zgjedhin të mos thonë asgjë?

Ndoshta heshtja nuk është rastësi. Ndoshta është diplomaci. Ose ndoshta është ajo forma moderne e mirësjelljes politike ku askush nuk dëshiron të prishë qetësinë e një eksperimenti që ende nuk dihet nëse është punë laboratori apo teatër.

Thuhet se Bashkimi Evropian është mjeshtër i transparencës, llogaridhënies dhe standardeve demokratike. Mirëpo, si çdo rregull, edhe ky i BE-së duket se njeh përjashtime. Në Shqipëri, transparenca nganjëherë interpretohet si diçka që duhet mbrojtur. Po si?.. pikërisht duke mos e parë askush.

Ironia është se shqiptarët, pas dekadash të tëra krenarie kokëfortë, kanë filluar më në fund të përdorin shprehjen "Më fal". E thonë në familje, në rrugë, madje shumë rrallë edhe në politikë, edhe pse shpesh vetëm për efekt protokolli. Por duket se kjo epidemi e re e mirësjelljes ka kapërcyer kufijtë. Edhe përfaqësuesit e BE-së duket se janë infektuar. Vetëm se versioni i tyre i “Më fal” tingëllon ndryshe: “Na falni, por nuk kemi koment”.

Është një frazë elegante. Nuk kundërshton askënd, nuk zemëron askënd dhe, mbi të gjitha, nuk zgjidh asgjë. Një formulë perfekte burokratike, që funksionon si qetësues politik.

Ndoshta, ata dinë më shumë se vetë shqiptarët për cilësinë e magjistratëve dhe prokurorëve që ka prodhuar reforma në drejtësi. Fundja, një pjesë e mirë e reformës është projektuar, monitoruar dhe përshëndetur prej tyre.

Kjo të sjell ndër mend një mjek që, pasi ka përshkruar ilaçin, nuk dëshiron të dëgjojë pacientin kur ai thotë se temperatura nuk po i bie. Në vend të një kontrolli të ri, mjeku zgjedh të buzëqeshë dhe të përsërisë se trajtimi është sipas standardeve më të mira evropiane.

Dikur thuhej se antidoti i Bashkimit Evropian kundër sëmundjeve të korrupsionit, arbitraritetit dhe mungesës së transparencës ishte i pagabueshëm. Sot duket sikur ai antidot ka humbur efektin, ose ndoshta ka skaduar gjatë transportit drejt Ballkanit. Sepse, nëse antidoti funksionon, përse simptomat vazhdojnë? E nëse nuk funksionon, përse vazhdohet të shpallet sukses?

Në fund mbetet vetëm publiku. Ai që paguan taksa, pret drejtësi dhe, ndërkohë, duhet të besojë se gjithçka po ndodh në emër të transparencës, edhe kur nuk lejohet ta shohë vetë.

Dhe kështu, mes heshtjes së institucioneve, deklaratave diplomatike dhe justifikimeve procedurale, mbetet vetëm një pyetje që endet pa përgjigje korridoreve të drejtësisë: a është heshtja shenjë pjekurie politike apo thjesht mënyra më elegante për të mos thënë atë që shumëkush mendon?

Nëse është kjo e dyta, atëherë nuk është vetëm antidoti që nuk ka funksionuar. Edhe diagnoza ka qenë e gabuar që në fillim. Siç ndodh rëndom në Shqipëri, zgjidhja pritet të vijë sërish nga Brukseli. Atje, me sa duket, po shqyrtohen të gjitha opsionet e mundshme. Edhe ato që në pamje të parë duken të pabesueshme. I fundit në listë qenka "subversioni iranian". Jo pa arsye, thonë. Ndoshta teknologjia e kamerave iraniane ka përparuar shumë më tepër sesa dihet publikisht.

Në këtë frymë, ONM-ja paska një sugjerim të thjeshtë: kamera të vendoset në sallë krejtësisht e palëvizshme, e fokusuar vetëm mbi të akuzuarin dhe, për më tepër, të monitorohet nga një kamerë tjetër. Një lloj "mbikëqyrjeje të mbikëqyrjes", që askush të mos dyshojë se kamera po bën ndonjë lëvizje të paautorizuar.

Edhe sikur "kamera iraniane" të zotërojë aftësi futuriste, të skanojë përtej kostumit e deri te veshjet intime të të akuzuarit (br...t), dëmi nuk do të ishte i madh. Marka, modeli dhe "inventari familjar i të brëndshmeve" i tyre tashmë janë bërë njohuri publike.

Problemi fillon nëse kamera, për ndonjë arsye misterioze, ndryshon këndin dhe fokusohet nga trupi gjykues. Atëherë nuk kemi më çështje transparence, por cënim të privatësisë së gjyqtarëve dhe të personelit, veçanërisht të zonjave në sallë. Kush e di çfarë sekretesh tekstile mund të zbulohen! E nëse, larg qoftë, inventari i veshjeve intime të gjyqtarëve del më luksoz se ai i të akuzuarit, me fije ari 24 karatësh apo "gold thread", atëherë dosja penale kalon në plan të dytë. Seanca gjyqësore shndërrohet në pasarelë mode, ndërsa ekspertiza më e kërkuar nuk do të jetë ajo juridike, por ajo tekstile. Në fund, vendimi mund të harrohet, por debati kombëtar do të mbetet: kush i kishte brekët më të shtrenjta?

Ne shqiptarët, sa herë përballemi me ndonjë mbrapështi institucionale, na vijnë ndër mend vargjet e vjetra: “Për reformë u nisëm, sosëm në xhehnem, Reformë moj kuçkë, na bëre verem. Pesëqind vjet rehat, si denbabaden, kamerat në sallë kthehen në verem”. Nëse e vërteta është në anën tuaj, mos ia mbyllni derën publikut, zotërinj gjyqtarë./TemA