Prej më shumë se 3 dekadash, ish të përndjekurit politik presin dëmshpërblimin për vuajtjet në kohën e regjimit komunizmit.

I pranishëm në komisionin e Ekonomisë për rishikimin e buxhetit, ministri i Financave Petrit Malaj tha se janë më shumë se 10 mijë dosje me vlerë 270 milionë euro që vijojnë të jenë në proces.

“Në total numri i dosjeve të ish të përndjekurve politikë është 13500 dosje, nga të cilat 3100 dosje janë totali të paguara dhe mbeten 10.400 dosje të cilat janë ende në proces. Duhet të theksoj që totali i 13.500 dosjeve ka një faturë financiare prej 520 milionë eurosh, ose 52 miliardë lekë. Janë 25 miliardë lekë ose 250 milionë euro të paguara tashmë tek ish të përndjekurit politikë dhe që lidhen kryesisht me 3100 dosjet që janë paguar”, tha Malaj.

Shkak për këtë ecuri të ngadaltë thotë ministri janë mungesat në dokumentacion, pasi edhe fondi i caktuar për këtë vit ende nuk është shfrytëzuar sa duhet.

“Përsa i përket dosjeve të mbetura, dua t'ju bëj me dije që nga totali i fondit që ne kemi vendosur në dispozicion për vitin 2025 që është 14 milionë euro apo 1.4 miliardë lekë, deri e muajin shtator, fondet të cilat janë përdorur ose janë paguar, janë 42%, për vetë faktin sepse praktikat kanë problematikë ose mungesë dokumentacioni”, tha Malaj.

Për të përshpejtuar këtë proces që vijon që prej vitit 1993 kur u miratua ligji “Për statusin e e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, Ministria e Financave thotë se po diskutohen disa ndryshime ligjore.

“Ministria e Financave është duke vlerësuar aktualisht ligjin që është në fuqi dhe duam që të propozojmë ndryshime të caktuara ligjore që do të rrisin kohën e përshpejtimit të trajtimit të këtyre dosjeve. Pra, kjo përsa i përket ish të përndjekurve politik”, tha Malaj.