Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi mbrëmjen e sotme se Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë në sajë të shembjes dhe bllokimit të aksit Librazhd-Pogradec, që ka shkaktuar "paralizimin" e qarkullimit rrugor në juglindje të vendit.
Për media, Ziu tha se blutë vazhdojnë të orientojnë shoferët për të përdorur akset alternative të sugjeruara nga Autoritetei Rrugor Shqiptar dhe të ndalojë qarkullimin drejt segmentit të dëmtuar.
Gjithashtu, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike tha se të gjithë shoferët që hyjnë në Shqipëri nga pikat kufitare të juglindjes, po njoftohen për situatën e krijuar, si dhe po prezantohen me rrugët alternative që mund të përdorin.
"Ka shkuar në vendngjarje, ka marrë masat e sigurisë, ka ndërprerë lëvizjen e mjeteve, ka kontaktuar me ARRSH dhe subjektet që kryenin punimet në këtë aks, ka vendosur normat dhe rregullat dhe ka devijuar lëvizjen e mjeteve në akse të ndryshme sipas orientimeve nga ARRSH. Hartuam një plan masash të detajuara për të marrë masa të posaçme për sigurinë rrugore në të gjitha akset. Drejtoria e Policisë së Migracionit dhe Kufirit orienton në pikat e kalimit kufitar për të gjithë situatën dhe drejtimin e lëvizjes në akset e ndryshme. Detyrat e posaçme janë ndalimi i lëvizjeve drejt vendit ku është dëmtuar aksi rrugor, orientimi sipas udhëzimeve të ARRSH dhe respektimi i Kodit Rrugor",- tha Dhimitraq Ziu.
Lajmi kryesor:
Dëmtimi dhe bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, kreu i ARRSH: Do të ndërtojmë një rrugë alternative dhe urë të re










