Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë publike vendimet për incidentet e fundit të regjistruara në futbollin shqiptar, duke dhënë masa të ashpra ndëshkuese për disa klube, zyrtarë dhe futbollistë. Dënimet më të rënda janë dhënë në drejtim të Ilirisë.

Klubi nga Fushë-Kruja është dënuar të zhvillojë pesë ndeshje pa praninë e tifozëve, si dhe është gjobitur me 100 mijë lekë, për shkelje të rënda disiplinore dhe sjellje të papërshtatshme gjatë ndeshjeve.

Në plan individual, futbollisti Brajan Selmani është pezulluar për 10 ndeshje, për kërcënim ndaj zyrtarëve të takimit. Ndërkohë, drejtuesi Petrit Selmani është dënuar me katër ndeshje pezullim. Klubi i Ilirisë do i zhvillojë ndeshjet e mbetura të sezonit në fushë asnjëanëse, si pasojë i një dënimi të mëparshëm.

Vendime ndëshkuese janë marrë edhe ndaj Skënderbeu, ku janë pezulluar sulmuesi Mario Gjata dhe zëvendëstrajneri Gentian Lico.

Gjithashtu, Komisioni ka vendosur gjoba financiare për Vllazninë, Tiranën dhe Teutën, për shkelje të ndryshme të rregullores disiplinore.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimet lidhen me sjellje të gabuar të spektatorëve, mosrespektim të rregulloreve organizative dhe incidente ndaj zyrtarëve të ndeshjeve, duke paralajmëruar masa edhe më të ashpra në rast përsëritjeje.

Vendimet e plota:

1. KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe ndezje mjetesh piroteknike, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

2. KF Tirana, për mosrespektimin e detyrimeve dhe përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës, në bazë të nenit 8/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

3. KF Teuta, për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke lejuar persona të paautorizuar në ambientet e brendshme të stadiumit, në bazë të neneve 8/1 dhe 17/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

4. KF Iliria, për mosrespektim të përgjegjësive në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke cënuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, ku janë përdorur kore fyese ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/2/b dhe 17/2/h të Kodit të Etikës dhe Disiplinës, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 5 (pesë) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Në zbatim të nenit 58 të Rregullores së Aktivitetit, KF Iliria urdhërohet të dërgojë për miratim listën e zyrtarëve të cilët do të qëndrojnë në tribunë, tek delegati i ndeshjes, të paktën 48 orë përpara fillimit të çdo ndeshje deri në përfundim të dënimit.

5. Lojtari i KF Iliria, Brajan Selmani, për kërcënim të zyrtarëve të ndeshjes si dhe për mosrespektim të vendimit nr. 15, datë 05.12.2025, në bazë të neneve 14/1/k dhe 29/1/d të KDE, dënohet me pezullim nga çdo veprimtari e organizuar nga FSHF për një periudhë prej 10 (dhjetë) ndeshjesh.

Kohës së re të dënimit i shtohet periudha e pashlyer e dënimit të mëparshëm të vendimit nr. 15, datë 05.12.2025.

6. Zyrtari i KF Iliria, Petrit Selmani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.

7. Zyrtari i KF Skënderbeu, Gentian Lico, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

8. Lojtari i KF Skënderbeu, Mario Gjata, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

9. Lojtari i KF Laçi, Taleb Khalil, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

10. FC Lushnja, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

11. Zyrtari i FK Kukësi, Florian Biba, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.

12. Zyrtari i FC Lushnja, Mario Sula, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

13. KF Tirana U-16, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.

14. Zyrtari i KF Vllaznia U-16, Ali Shpuza, për provokim të spektatorëve, në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

15. Zyrtari i KF Vllaznia U-16, Khaled Hoxha, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

16. FC Kinostudio U-16, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se, në rast të përsëritjes së mosplotësimit të masave të nevojshme të sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjeve, të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.

17. Pranimin e kërkesës së kërkuesit Aldo Vangjeli. Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 21, datë 21.11.2025 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, Klubit të Futbollit Tirana i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.